Kryeartikull

Në këtë moment, demokracinë shqiptare nuk ka rotacion pushteti ta shpëtojë

Ashtu si mbreti antik Midas që çdo gjë që prekte e shndërronte në flori, po ashtu edhe lidershipi i PD lakmon, ndonëse prej dy vjetësh pa sukses, që çdo incident, sado të vogël, ta shndërrojë në revolucion. Sapo ndodh diçka deklarojnë me nxitim: Plasi revolucioni! Ka dy vjet që plasën që të plasë! Kështu edhe këtë herë, kur një grup studentësh tentuan të godasin me vezë kryeministrin Rama, në shenjë proteste ndaj ligjit për arsimin e lartë. Nisi revolucioni! – u entuziazmua Berisha duke “harruar” se ca nga këta studentë përfliten si ekstrem i majtë. Po kështu edhe Basha.

Shfaqet tejet komike që këta “të djathtë” nuk e kanë problem të këndojnë edhe “internacionalen”, mjafton që të rikthehen edhe një herë në pushtet. Një pragmatizëm tipik për një lidership që e ka fiksim pushtetin dhe nuk rron dot pa të. Dhe prandaj është antidemokratik. Por sikundër uria për flori e mbretit Midas qe një ves që i solli atij vdekjen, edhe ky padurim për pushtet e opozitës, vetëm 2 vjet pas një qeverisjeje 8 vjeçare, është një patologji që nuk e ndihmon demokracinë. Përkundrazi e rrezikon atë. Sepse në këtë moment, demokracinë shqiptare nuk ka rotacion pushteti ta shpëtojë. Madje do t’i bënte shumë keq. Atë e shpëton vetëm drejtësia!

***

Thonë se demokracia dhe liria nuk ecin gjithmonë paralel. Në fillim të shekullit të XX në Europë kish jo pak shtete me njerëz të lirë por jo edhe aq demokratikë nga që shtresa të gjera të popullsisë, mbeteshin të përjashtuar nga e drejta e votës. Por ishte liria ajo që i bëri ato shtete edhe më demokratikë. Kohët por provojnë se edhe të dallueshme, liria dhe demokracia nuk mund ta shtyjnë gjatë pa njëra-tjetrën. Aq më tepër demokracia nuk mund ta shtyjë gjatë pa lirinë. Dhe kur themi lirinë, kemi parasysh drejtësinë si emër i dytë i lirisë (Burke), drejtësia si plazmim juridik i lirisë së njeriut. Dhe si frymë.

***

Në rastin e Shqipërisë, mungesa e drejtësisë e shpalosur si pandëshkueshmëri kronike  e korrupsionit dhe krimit në majat e shtetit, e ka degraduar gjendjen e demokracisë deri në atë pikë, sa tashmë edhe rotacionet politike nuk mund të sjellin asnjë përmirësim. Në fakt, rotacioni politik e ka humbur kuptimin. Madje, si për paradoks, mund ta përkeqësonte gjendjen e demokracisë edhe më shumë.

Sepse alternativë të pushtetit të sotëm, forcë kryesore opozitare, kemi një parti si PD që, pas 8 vjet qeverisjeje tejet të korruptuar, nuk e ka reformuar as edhe një fije udhëheqësinë e saj. Politikanët që keq-qeverisën 8 vjet Shqipërinë, mbi të cilët rëndojnë skandale si ai i rrugës Durrës-Kukës, Gërdeci apo krime të përbindshme si 21 janari, kanë mbetur të pa ndëshkuar nga drejtësia.

Dhe janë pikërisht këta që sot vetë ekspozohen si alternative kryesore opozitare për pushtet. Por çdo të mund të fitonin shqiptarët dhe demokracia nëse qeveria ekzistuese që sapo mbushi vetëm dy vjet, zëvendësohet duke rikthyer në pushtet përsëri një PD me të njëjtin lidership të korruptuar? Dhe jo vetëm kaq, por edhe me epshe të pa fjetura autokratike? Po a ka më keq për demokracinë se të risjellësh në pushtet autokratë që edhe kanë vrarë, pra kanë derdhur gjak për t’u përjetësuar në pushtet?

***

S’ka asnjë dyshim se pandëshkusheshmëria është një lajm i keq edhe për qeverinë Rama. Sepse korrupsioni është një virus që kërcënon të gjitha qeveritë. Nuk do të qe kështu vetëm nëse qeveritarët do ishin ose engjëj ose shenjtorë. Por rilindasit nuk janë as engjëj as shenjtorë. Si të gjithë njerëzit ata kanë gjakime dhe makutërira që janë të rrënjosura thellë në natyrën e njeriut. Të njeriut që kemi ndeshur deri më sot. Dhe e vetmja gjetje e suksesshme e njerëzimit, në radhë të parë e qytetërimit Perëndimor, për ta bërë një qeveri që t’i përmbajë epshet e veta për të mos grabitur paranë publike, është vënia e saj nën hetimin dhe gjykimin e një pushteti të pavarur drejtësie.

Një pushtet që, sikundër dihet botërisht, nuk ekziston në Shqipëri. Ose ekziston vetëm në letër. Por as si frymë dhe as si materie. Dhe është e sigurt që, në rrethanën e pandëshkueshmërisë së korrupsionit, nuk ka qeveri që të mos korruptohet. Pra edhe kjo e Rilindjes. Sepse ashtu sikundër ndëshkimi e frenon korrupsionin, mosndëshkimi e nxit atë. Pandëshkueshmëria është ftesë për korrupsion.

***

Në këtë kuptim, maxhoranca e sotme duhet ta shohë çështjen e reformës në drejtësi jo vetëm si një strategji për shpëtimin e demokracisë në afatgjatë, por edhe si një emergjencë për shpëtimin e vetvetes. Vetëm një reformë që do të krijonte një pushtet të pavarur drejtësie, me prokurorë dhe gjykatës të lirë dhe të aftë që hetojnë dhe ndëshkojnë, jo vetëm politikanët e korruptuar por të pandëshkuar të këtyre 25 vjetëve, por edhe çdo korrupsion të qeverisjes së sotme, do të mund ta shpëtojë jo vetëm qeverinë por edhe demokracinë shqiptare duke i rikthyer kuptimin edhe rotacionit politik.

Ndryshe, Shqipëria, që rilindësit e kombit e ëndërronin “një zonjë të randë”, do të jetë vetëm një viktimë që e prostituojnë të korruptuarit që ndërrohen në pushtet një herë në 4 apo 8 vjet. Përfshi edhe këta rilindësit e sotëm. Dhe demokracia, asgjë më shumë se një kuplara.

 

ANDREA STEFANI

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button