Te ndryshme

Pesë mite rreth krizës në Gaza

timthumbANALIZA

Izraelitët dhe palestinezët kanë hyrë tashmë në një qerthull të ri dhune në konfliktin e tyre të hershëm e në dukje të pafund. Si hynë ata në këtë mesele? Sikurse kemi parë të përshkallëzohen dhuna e luftimet, janë ndërkohë pesë mite që presin të korrektohen.

Nga Aaron David Miller*

Po, izraelitët dhe palestinezët kanë hyrë tashmë në një qerthull të ri dhune në konfliktin e tyre të hershëm e në dukje të pafund. Si hynë ata në këtë mesele? Dhe, akoma më e rëndësishme, si do të dalin ata prej saj? Sikurse kemi parë të përshkallëzohen dhuna e luftimet, janë ndërkohë pesë mite që presin të korrektohen.

1. Procesi i dështuar i paqes së Xhon Kerrit çoi në krizë.

Ka shumë pika të diskutueshme, ndërsa u shpenzuan nëntë muaj për të arritur një marrëveshje izraelito-palestineze, ndërkohë që njëra prej tyre ka qenë gjithmonë e pamundur. Por nocioni, siç e mendojnë disa, se basti i sekretarit të Shtetit për një marrëveshje që do ta bënte Amerikën “zjarrvënësin e Lindjes së Mesme”, nuk renditet si njëri prej tyre. Vrasjet makabre të tre adoleshentëve izraelitë nga ekstremistët palestinezë, dhe torturimi e vrasja e një palestinezi të ri nga ana e ekstremistëve hebrenj, nuk ka të bëjë fare me ulje-ngritjet e Kerrit në procesin e paqes. Kerri dështoi në prill, sepse Benjamin Netanjahu dhe Mahmud Abas nuk mundën apo nuk donin të gjenin një bazë të përbashkët në pikat e mëdha të diskutueshme, të tilla si: ndarja e Jerusalemit dhe trajtimi i refugjatëve palestinezë. Rrëmbimet e adoleshentëve izraelitë në qershor dhe nëse kjo është bërë nga një celulë e Hamasit — e pavarur apo e lidhur me Gazën — ka një lidhje të palogjikshme me përpjekjet e Kerrit. Sikurse pastaj edhe vrasja në shenjë hakmarrjeje e të riut palestinez nga izraelitët. Edhe nëse Kerri do ia kishte dalë mbanë, ekstremistët do të kishin kërkuar ta prishnin marrëveshjen. Në pranverë të 1996-s, për shembull, Hamas kreu katër sulme vetëvrasëse në nëntë ditë, duke vrarë rreth 60 izraelitë, në një përpjekje për të siguruar që marrëveshja e Oslos të mos implementohej, pasi një ekstremist izraelit kishte vrarë më parë Kryeministrin Jitzhak Rabin.

2. Kriza e Gazës ka një zgjidhje ushtarake.

Partnerë të ndryshëm nga kabineti qeveritar i Netanjahut mendojnë se ushtria izraelite duhet ta ripushtojë Gazën e të shkatërrojë Hamasin. Por shumë nga izraelitët dhe palestinezët e dinë se kjo nuk është përgjigjja; ata i kanë përjetuar tashmë dy herë pasojat e këtij filmi. Për tri javë në vitin 2008-2009 dhe një javë në vitin 2012, Izraeli dhe Hamasi janë konfrontuar me njëri-tjetrin. Dhe çdo herë, pasojat kanë qenë të ditura: Asnjë problem mes Izraelit dhe Hamasit nuk mund të zgjidhet nëpërmjet forcës së armëve. Në rastin e parë, Izraeli deklaroi një armëpushim të njëanshëm; në të dytin, egjiptianët ndërmjetësuan njërin prej tyre. Izraeli arriti një masë sigurie që e mbajti deri në raundin tjetër; Hamasi, i mundur keqas, mbijetoi politikisht dhe rimblodhi arsenalin e tij të armëve me rreze të gjatë veprimi.

Izraeli nuk është i përgatitur të paguajë çmimin politik, ekonomik apo psikologjik që do të vinte me pushtimin e Gazës apo lëshimin e ofensivave të mëdha ushtarake për të shkatërruar Hamasin si organizatë. Në fakt, nuk ka zgjidhje, veç një rezultati tjetër që mund ta bënte Izraelin përkohësisht të qetë, por që nuk do të eliminonte dot raketat e Hamasit.

3. Ne jemi në prag të një intifade të tretë.

Dhuna në Bregun Perëndimor dhe Gaza sigurisht që mund të përshkallëzohet, veçanërisht nëse vdekjet e civilëve në Gaza do të pësojnë rritje dramatike. Dhe, fakti se konflikti izraelito-palestinez ka qenë relativisht i qetë përgjatë këtyre viteve të fundit, e bën dhunën aktuale të duket më e egër. Por kjo nuk sugjeron domosdoshmërish, siç kanë bërë disa nga komentatorët, faktin se ne po përballemi me një intifadë tjetër. Apo se ajo do të jetë e ngjashme me të parën, nga 1987 në 1991, e cila ishte një lëvizje popullore proteste, e organizuar nga poshtë; apo e dyta, ajo e viteve 2000-2004, një fushatë terrori me aksione vetëvrasëse, e udhëhequr nga Hamasi, grupime të afërta me Al-Fatahun apo të tjera që kulmuan në një konfrontim të hapur e afatgjatë ushtarak me forcat izraelite të sigurisë. Publiku palestinez vuajti vazhdimisht nga kjo e fundit, gjë e cila nuk prodhoi asgjë përpos shkatërrimit ekonomik e atij politik dhe nuk dëshiron më që sërish ta provojë atë nga e para. Sondazhet e muajit qershor tregonin se palestinezët ishin të fokusuar shumë më tepër në çështjet e shqetësimet ekonomike sesa në nisjen e një proteste të re masive. Dhe sikurse edhe Jaser Arafat, i cili në fakt, nuk e dorëzoi kurrë armën dhe vdiq gjatë intifadës së dytë, as Presidenti Abas nuk ka kurrfarë dëshire apo mundësie, të drejtojë një luftë kundër Izraelit. Një konfrontim i vazhdueshëm do të kërkonte gjithashtu ndërmarrjen e aksioneve serioze të bashkëpunimit mes Hamasit dhe Fatahut dhe asnjëra prej këtyre dy fraksioneve politike — përtej asaj të ashtuquajturës “marrëveshje uniteti” mes tyre — nuk duket e interesuar në këtë hap.

4. Netanjahu i vijës së ashpër është i vendosur ta godasë Gazën.

Disa besojnë se antagonizmi i Kryeministrit izraelit kundrejt palestinezëve, ka provokuar edhe vetë krizën aktuale. Ngaqë ishte marrë me refugjatët arabë gjatë hapave të tij të parë si Kryeministër në vitet ‘90, unë jam i bindur se ai nuk ka ndërmend të bëhet “babai” i shtetit palestinez. Pavarësisht se ai mbetet i vetmi Kryeministër i Partisë Likud që lëshon territore në Bregun Perëndimor. Ai ka qenë i ashpër me Hamasin në kohët e mëparshme, por rekordi i tij është njëri ndër më të përmbajturit, krahasuar me paraardhësit e tij, si Ehud Olmert apo Ariel Sharon.

Sot, Netanjahu është një njeri i gjendur në mes: këshilltarët e tij në krahë të djathtë duan më shumë një përqasje ushtarake më të gjerë. Kritikët e tij në të majtë besojnë se ai gjithmonë do të zgjedhë opsionin ushtarak. Por, nga ajo çka unë dëgjoj, Netanjahu nuk dëshiron një përshkallëzim të situatës, megjithëse ai dëshiron t’i dhurojë Hamasit një goditje të fortë. Ndërkaq, për sa i përket asaj se sa agresive e me pasoja kanë qenë goditjet e Izraelit ndaj Hamasit për civilët palestinezë në Gaza, duhet mbajtur parasysh se ky mbetet një operacion i limituar, jo i tipit të një shkalle të gjerë ushtarake, i parë në Izrael në vitin 2006 në luftën me Hezbollahët në Liban apo në operacionet e 2009-s. Raketat me rreze të gjatë veprimi të Hamasit, të drejtuara kundër Tel Avivit dhe Jerusalemit, mund të nxisin një konflikt edhe më të gjerë, por jo sepse Netanjahu e dëshiron atë.

5. Uashingtoni mund dhe duhet t’i japë fund kësaj krize.

Senatori Xhon MekKejn (republikan nga Arizona) ka kritikuar administratën Obama për mosangazhim në krizën e Gazës. Por pikërisht tani, Uashingtonit i mungojnë përbërësit bazë për një ndërmjetësim ndërkombëtar të suksesshëm. Gjëja e fundit që SHBA-ja ka nevojë, është forcimi i Hamasit, dhe kësisoj dobësimi i Abasit, duke u angazhuar direkt në negociata me organizatën islamike. Për sa kohë që egjiptianët apo turqit nuk janë të përgatitur të përpiqen të ulen me Hamasin, dhe Hamasi nuk është gati ta bëjë po ashtu një gjë të tillë, as Presidenti e as sekretari i Shtetit nuk do të kenë shumë terren të bindin izraelitët. Dhe pikërisht tani, Hamasi dhe ndoshta edhe vetë Izraeli, nuk duken fare të pashpresë për t’i dhënë fund kësaj historie. Telefonat e amerikanëve mund të bien shumë shpejt. Nëse do të vijë ky moment, atëherë duhet të ketë një rol të dobishëm për administratën Obama për të luajtur. Por Amerika nuk ka nevojë të hyjë në mes të një zjarri, të cilin nuk ka zell asnjëra palë ta shuajë.

Marrë nga “Washington Post”

* Aaron David Miller është nënpresident në Qendrën Ndërkombëtare të Studimeve “Woodrow Wilson”. Ka shërbyer më parë si këshilltar për Lindjen e Mesme në administratën republikane dhe atë të demokratëve. Ai është autor i veprës që pritet të dalë së shpejti në botim “The End of Greatness: Why America Can’t Have (and Doesn’t Want) Another Great President” (Fundi i të mëdhenjve: Përse Amerika nuk mundet dhe nuk dëshiron një president tjetër të madh)

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button