Politika

Dorëheqje në PD dhe akuza ndaj Bashës

Humbja në Krujë, ikën kreu lokal. Vogli akuzon Strazimirin. Deputeti: Ai iku në Itali, pa u hapur kutitë

Nga Herion Mesi

Përfundimi i analizës zgjedhore, ashtu siç dhe pritej, shënon dhe nisjen e rrotacioneve të drejtuesve të degëve humbëse të Partisë Demokratike. Edhe pse u deklarua se nuk do të kishte “koka turku” në këtë proces, i pari që i nënshtrohet katarsisit në struktura është kryetari i PD-së së Krujës, Dragush Vogli, i cili paraditen e djeshme ka dhënë dje dorëheqjen nga posti i tij. Vogli largohet thuajse një vit e gjysmë pasi u zgjodh kryetar i degës së PD-së së Krujës, duke fajësuar se shkaktarët e humbjes së kandidatëve të opozitës në garën e 21 qershorit janë të dërguarit nga qendra dhe jo puna e strukturave të PD-së në bazë. Në argumentimin e tij për këtë vendim, që u paralajmërua një ditë më parë nga gazeta “Shqip”, Vogli u shpreh se ky largim vjen si rezultat i debateve të ashpra që ai thotë se ka pasur me deputetin e zonës Gent Strazimiri, që ishte dhe drejtuesi i fushatës së PD-së në zgjedhjet vendore të këtij viti. Vogli mësohet se është shprehur për mediat se shkak i debateve mes tij dhe Strazimirit ka qenë përgjegjësia për humbjen e zgjedhjeve lokale të 21 qershorit, ku që të dy ia kanë faturuar njëri-tjetrit prej muajsh. Por i kontaktuar nga gazeta “Shqip” lidhur me këto pretendime të Voglit, deputeti demokrat mohon të ketë ndodhur një debat mes tij dhe ish-kryetarit të PD-së në Krujë, pasi, siç thotë ai, Vogli ka emigruar në Itali në përfundim të fushatës zgjedhore, dhe nuk ka qenë i pranishëm as në mbledhjen kur është zhvilluar analiza zgjedhore për garën e zhvilluar në Krujë. Për Strazimirin, marrëdhënia mes tij dhe Voglit është një histori pa histori. “Ai ka ikur në Itali pa u mbyllur as numërimi. As në mbledhjen e analizës nuk ishte. Unë s’kam ndër mend të merrem se është histori pa histori. S’kam pasur ku me e taku e as me u ‘konfliktu’, sepse nuk është në Shqipëri”, u shpreh deputeti Gent Strazimiri. Dorëheqja e Dragush Voglit është dorëheqja e parë që vjen nga radhët e drejtuesve të PD-së në rrethe, e pritshme, sepse që pas humbjes, përplasjet ndërmjet krerëve në rrethe nga njëra anë dhe deputetëve apo drejtuesve të PD-së në Tiranë nga ana tjetër, janë bërë të shpeshta dhe publike gjatë javëve të fundit. Ndërkohë që të tjera “dorëheqje” pritet të ndodhin në ditët në vijim nga krerët e disa prej degëve humbëse, si ajo e Durrësit, Elbasanit, Kavajës apo edhe e Dibrës. Në të gjitha këto degë, menjëherë pas përmbylljes së zgjedhjeve në forumin rinor, pritet të nisin dhe zgjedhjet e reja për ristrukturimin e tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button