Ekonomia

Bankat, ulen ritmet, fitimet rriten 33% për 9 mujorin

aaaFitimi i sistemit bankar ishte 11.6 miliardë lekë për 9 mujorin e këtij viti, duke shënuar një rritje prej 33% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në krahasim me 6 mujorin, ritmet e rritjes së fitimeve të bankave janë ngadalësuar (për janar-qershor, sistemi pa një zgjerim vjetor të fitimeve me 53%). Pavarësisht këtij ngadalësimi, fitimi i bankave ka shënuar një rekord historik, duke ia kaluar dhe viteve 2006-2008, kur sistemi ishte në ditët e tij më të mira dhe kreditë me probleme ishin 3-5% të totalit.

Përmirësimi i rezultatit të bankave ka ardhur si rrjedhojë e rënies së shpenzimeve me ritme më të larta sesa tkurrja e të ardhurave, rrjedhojë kjo e zgjerimit të diferencës mes normës së interesit të kredive (të ardhurat e bankës) dhe interesit të depozitave (kosto e bankave), çka ka sjellë një rritje të të ardhurave neto nga interesi me 3.7 miliardë lekë (nga 2.9 miliardë lekë që ishte rritja e fitimit në total, në vlerë absolute).

Vitin e fundit, interesat e depozitave janë ulur me ritme më të shpejta se të kredive, duke reflektuar mospërputhjen e maturiteve (depozitat janë më afatshkurtra dhe reflektojnë më shpejt uljen), por dhe një shtim të rrezikut të kredisë, teksa huatë me probleme vijojnë të mbeten mbi 20%, çka ka bwrw qw bankat tw mos e ulur shpejt çmimin e kredisw. Konkretisht, diferenca mes normave të kredisë dhe depozitave një vjeçare ishte 7.23% në shtator 2015, nga rreth 6% në të njëjtin muaj të një viti më pare, sipas statistikave tw Bankës së Shqipërisë.

Shpenzimet për provigjione u dyfishuan për 9 mujorin, në 4 miliardë lekë, duke gërryer në këtë mënyrë fitimet e bankave. Në tremujorin e dytë të vitit, bankat fshinë nga bilanci rreth 11 miliardë lekë hua të humbura.

Pak ditë më parë, Autoriteti I Konkurrencës njoftoi se kishte hapur hetimin për sistemin bankar pasi ka konstatuar se viteve të fundit tregu bankar paraqet karakteristikat e një tregu me norma relativisht të larta fitimi në kushtet e stanjacionit të kreditimit; interesa shumë të ulta të depozitave (deri në 0.55 % mbi bazë vjetore nën nivelin e inflacionit); diferenca (spread) relativisht të larta mes interesave të kredive dhe depozitave; tendencës në rritje të interesave të letrave me vlerë të qeverisë, kryesisht afatgjata(obligacione) në kushtet e një politike lehtësuese monetare dhe kur norma bazë e interesit të depozitave kanë tendencë në rënie; ka rritje të komisioneve për pagesat kryesisht brenda vendit etj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button