Ekonomia

Prokurimet publike, Leskaj takim me Bankën Botërore

bbKryetari i KLSH Z. Bujar Leskaj, zhvilloi një takim me delegacionin e Bankës Botërore në Shqipëri, kryesuar nga z. Majed M. El-Bayya, specialist i prokurimeve në Shërbimet Operacionale dhe Cilësinë e Prokurimeve.

Z. El-Bayya paraqiti projektin më të fundit të Bankës Botërore në fushën e prokurimeve, qëllimi i të cilit është rishikimi i të gjithë sistemit të prokurimeve në Shqipëri, përfshirë edhe zbatimin e projekteve me asistencë e huaj. Ai theksoi rolin e rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm që KLSH ka në mbrojtjen e interesave të Shtetit në fushën e prokurimeve.

Në funksion të këtij projekti të ri, Banka Botërore ka planifikuar zhvillimin gjatë muajve Maj-Qershor 2016, të një tryeze në të cilën do të marrin pjesë të gjitha institucionet përkatëse shtetërore dhe më pas hartimin dhe dorëzimin, në Shtator 2016, pranë Qeverisë Shqiptare dhe gjithë subjekteve të interesuara, të një raporti përfundimtar në lidhje me të gjithë problematikën e konstatuar në fushën e prokurimeve.

Kryetari i KLSH-së theksoi se vlerëson kërkesën e Bankës Botërore që KLSH të kontribuojë, si institucioni më i lartë i auditimit të jashtëm publik në Republikën e Shqipërisë, në projektin e Bankës Botërore në fushën e prokurimeve, fushë e cila pavarësisht përpjekjeve pozitive të institucioneve shtetërore, mbetet ende një fushë me shumë risk dhe problematike për financat publike të Shtetit.
Në këtë takim paraprak, përfaqësuesit e Bankës Botërore, kërkuan nga ana e KLSH një informacion të përgjithshëm në lidhje me gjetjet dhe konstatimet e KLSH në auditimet e zhvilluara në fushën e prokurimeve, të dhëna në lidhje me performancën e sistemit si dhe zbatimin e projekteve. Këto, sipas përfaqësuesit të Bankës Botërore, do të ndihmonin së tepërmi Bankën në përcaktimin fillestar të problematikës që ekziston aktualisht në Shqipëri në fushën e prokurimeve. Ndër të tjera, ata sygjeruan që auditimet e KLSH në të ardhmen e afërt të përqëndroheshin edhe më shumë në fushën e prokurimeve, për aspekte të veçanta të tyre, duke përdorur edhe qasjet dhe teknikat e auditimeve të performancës dhe të teknologjisë së informacionit në këtë fushë, por edhe në fusha të caktuara, si infrastruktura rrugore dhe investimet në ujësjellësa.

Kryetari i KLSH bëri një prezantim të shkurtër të gjetjeve dhe konkluzioneve më të fundit të evidentuara nga KLSH në Raportin Vjetor për Zbatimin e Buxhetit 2014, paraqitur para disa ditësh në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, duke ilustruar dhe shpjeguar në mënyrë të përmbledhur disa nga problematikat kryesore të sistemit të sotëm të prokurimeve.
Në përfundim të këtij takimi, të dy palët shprehën gadishmërinë për të fuqizuar bashkepunimin për realizimin me sukses të kësaj nisme tepër të rëndësishme të Bankës Botërore për përmirësimin e sistemit të prokurimit publik në Shqipëri, gje qe ndikon ndjeshem ne permiresimin e qeverisjes publike tek ne.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button