Kryeartikull

Në Shqipëri ka dhënë dorëheqjen populli

Denis Dyrnjaja – Prej 25 vjetësh shqiptarët jetojnë në demokraci, pasi përmbysën një regjim diktatorial, sikurse ishte regjimi komunist i Enver Hoxhës, që u instalua dhe mbajti pushtetin për gati 50 vjet.

Në këto dy dekada e gjysmë pluralizëm, sigurisht që mendësia politike ka evoluar në disa aspekte bazike dhe normalisht me të, duhej të bashkërrugëtonte edhe evoluimi i mendësisë së publikut në raport me vlerësimin, gjykimin dhe në fund besimin që populli i jep ose duhet t’u japë forcave politike, si dhe alternativave të tyre në zgjedhje.

Ajo që vihet re është se kjo shqisë e veçantë e publikut, në vend që të vijë duke u forcuar në aspektin e reagimit, ka ardhur duke u atrofizuar dhe sot, pothuajse nuk ekziston fare. Populli ka hyrë në një proces të thellë mpirjeje, ku nuk i bëjnë më përshtypje skandalet qeveritare, abuzimet e pushtetit, fiktiviteti i opozitës, degjenerimi i ambientit, rrënimi i kulturës shoqërore dhe sociale, antivlerën e merr si vlerë, pra është në mungesë totale orientimi, e për rrjedhojë edhe reagimi.

Vidhen prona publike, para publike, abuzimi justifikohet me një kundërabuzim të palës tjetër, shqiptarët tallen nga politikanët e tyre dhe sërish gjithçka kalon në indiferencë. Njerëzit në këtë vend nuk dinë të protestojnë për të kërkuar të drejtat ose për shkeljen e të drejtave të tyre, nuk e kanë kulturë reagimin dhe revoltën solidare.

Rumania, ashtu sikurse Shqipëria, është një vend ballkanik dhe atje në këta 25 vjet, pushteti është rrëzuar me revoltë popullore disa herë, ku spikat përmbysja e regjimit të diktatorit Çaushesku dhe me një çmim shumë të lartë, me jetën e mijëra njerëzve; ndërsa e fundit është protesta e këtyre ditëve, që detyroi Kryeministrin Ponta të jepte dorëheqjen pas presionit popullor.

Ndryshe ndodh në Shqipëri, me ne shqiptarët. Këtu, nga e majta në të djathtë, qeveritë në pushtet nuk kanë lënë gjëmë pa bërë, që nga grabitjet dhe abuzimet spektakolare të parave të popullit e deri te vrasjet me prapavijë shtetërore, me implikim të njerëzve të pushtetit ose afër pushtetit dhe, sërish njerëzit heshtin, kundrojnë ndodhitë dhe skandalet njëri pas tjetrit a thua se ndodhin diku tjetër, jo në vendin e tyre dhe që nuk cenojnë të drejtat apo mirëqenien e tyre.

Të mendosh se protesta më e shquar që ka mbetur në memorie për këtë 10-vjeçar, e paorganizuar nga politika, është ajo kundër armëve kimike. Në këtë korruptim të ndërgjegjes shoqërore, sigurisht një ndikim të fortë dhe negativ, pra kontribuues i drejtpërdrejtë i shkatërrimit të saj, janë edhe dy faktorë shumë thelbësorë e të domosdoshëm të një demokracie: shoqëria civile dhe sindikatat, të cilat ekzistojnë formalisht në raport me qëllimin që janë krijuar. Këto struktura, në vende të shëndetshme demokratike, janë gjeneratorë kryesorë të reagimit publik, ndërsa në Shqipëri kanë një funksion formal.

Sindikatat janë shndërruar në shtojca të partive politike, përkatësisht në krahët që u interesojnë djathtas ose majtas, ndërsa OJQ-të kanë hallin të kapin fonde nga donatorët për përfitime të atyre që i krijojnë dhe menaxhojnë, duke kompromentuar misionin dhe qëllimin për të cilin janë krijuar.

Në këtë situatë, kur këta faktorë kryesorë, detonatorë të reagimit publik mungojnë, populli duket se ka dhënë dorëheqjen nga reagimi kundër padrejtësisë dhe kjo shfaqet edhe si dorëheqje pa kthim. Ditën kur populli të kthehet në protestë kundër padrejtësive dhe abuzimit, atëherë demokracia mund të ketë shpresë se do të funksionojë edhe në Shqipëri. Për sa kohë populli do të jetë në gjumë, abuzimi do të jetë prelud i çdo dite, muaji e viti në Shqipërinë e shqiptarëve të fjetur që po shijojnë letargjinë e rehatshme, në shtratin e paralizës sociale dhe shoqërore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button