Nga Facebook

Autoironia shqiptariane

Hajdutë të gjitha ngjyrave, minj të gjitha vrimave, ngordhalqë të gjitha sëmundjeve, grindavecë të gjitha shkaqeve, thashethemexhinj të të gjitha kallëpeve, edepsëzë redaksish gazetash dhe televizionesh, shejtabudallenj OJF-sh, skile partish, zvarranikë komitetesh, zagarë podiumesh, adhurues të shpifjeve, pasionantë të intrigave, ankues të përhershëm të sebepeve të sajuara, rehatlinj shtëpish, llafazanë kafenesh, ju me dreq në bark, ju me maçok në kokë, hipokritë, dallkaukë, dembela, rroça, poça, pyka, tyça, tyta; mblidhuni !
Mblidhuni dhe ejani !
Si zakonisht; Ju në krye, unë në bisht. Si gjithmon; ju të parët, unë i fundit. Si përherë; ju duke u mburrur, unë duke bërë sikur s’kuptoj.
Të ikim ! Të bëjmë një herë tutje nëpër Shqipëri ! Ngadalë si gjarpri që zvarritet. Shpejt si drita që vërvitet. Drejt si shigjeta që çpon. Shtrembër si drapëri që korr. Teposhtë si rrufeja që djeg. Telart si zogu që fluturon.
Do vemi në disa vende të shihni e dëgjoni disa gjëra. Ku do j’u laget syri, do j’u shqyhet veshi, do j’u hallakatet mendja.
Mos merrni me vete shami. Lotët do t’i fshini si ka thënë Poeti; me duar ! As pambuk për veshët, as aspirina, paracetamola, antidepresiva. Përndryshe ju hëngri dreqi, prishet magjia.
Do shihni kodra të bukura dhe fusha të mbjella rrethuar nga korije si bizhu’ të jeshilta me të ikë mendja. Do kaloni mes malesh të egër që do j’u kallin frikën këndshëm. Do bëni foto mbi liqere të kaltra ku në muzg pasqyrohet Luna. Do flisni me fshatarë që do na tregojnë halle me ndërlikime të pa besueshme por të vërteta, që s’i rrok mendja. Do kuvendoni me vejusha veshur me të zeza që do j’u tregojnë për burrat e vrarë për hiç gjë me një mijë mënyra. Do futeni në Kisha të vjetra me mure me myshk, rrethuar me qipariza dhe vorreza në oborr ku natën vërtiten fantazma. Do trokisni dhe do hyni të pini dhallë nëpër shtëpira, ku, të përkulura, dhallin do t’ua sjellin katundarka që buzëqeshin si Monaliza. Do kuvëndoni me pleq me sy të thellë dhe rrudha, veshur me xhaketa dhe kapele të vjetra, që s’e dinë sa është ora sepse jetojnë në kohëra të tjera. Do provoni se si duke udhëtuar nëpër Shqipëri mbi disa rrugë të asfaltuara do tundeni e shkundeni sikur të ishin plot me gropa të thella, dhe, duke ikur mbi disa rrugë të tjera me gropa, do ndjeheni sikur po rrëshqisni mbi gjalpë. Do takoni shqiptarë të rinj e të vjetër që do j’u bindin se, që Shqipëria të mbetet Shqipëri, dhe shqiptari shqiptar, për këtë, shqiptari, ky tigër që si ai s’ka nëpër xhungla, ky që s’ka as tekst as ngjyrë që ta kapë, për këtë, pra për të mbetur shqiptar, jo vetëm emër ndërron, por edhe grek, edhe italian, madje edhe afrikan bëhet.
Duke ikur e duke fshirë lotët, si thamë, jo me shami, me duar, duke shtriqur këmbët e duke freskuar surratin, do mrekulloheni duke konstatuar se kjo hata’ që quhet udhëtim nëpër Shqipëri, s’ka asgjë, as nga ngrënia as nga pirja, por vetëm nga thithja, nga thithja e ngadalëshme dhe e këndëshme e aromës dehëse të një çaji ekzotik.
Në veri do shihni shqiptarë të egër dhe të hapur, lindur e rritur mes shkëmbinjsh, nga ata që, për të njëjtat arësye të mistershme, e kanë po aq të lehtë t’ju vrasin në çast, sa edhe t’ju bëjnë mik për kokë.
Në jug do jenë më të butë por më të mbyllur. Që edhe ata, për të njëjtat arësye të errëta, j’a do t’ju bëjnë mik për kok’ në çast, j’a do t’ju vrasin në vend.
Do konstatoni gjithashtu me shumë çudi se si rraca e rrallë që quhen shqiptarë, janë të tillë që, sa më tepër fukarallepsen dhe vuajnë, aq më tepër heshtin -si heshtën dhjetëra vite – dhe sa më tepër begatohen dhe kanë, aq më tepër ankohen dhe llapin – si po llapin tani.
Do shihni vende të shenjta rrethuar me drurë të mëdhenj nën hijen e të cilëve shplodhen sigurimista të vjetër, spiunë lokalë, morracakë që deri dje i bënin gjëmën fshatarve, ndërsa sot ankohen me të madhe për mos zbatim ligji, rend, etj.
Do hyni nëpër supermerkata brenda të cilëve nuk do gjeni duke psonisur si në gjithë botën, popullin, por elitën.
Do kaloni nëpër fshatra të internuarish ku ka ende të tillë të leckosur shpresë humbur, jetët e shkatërruara të të cilëve vazhdojnë të rrotullohen e rrotullohen nëpër orbitat konfuze të fatit të tyre të zi më çmendurisht se gjethet e vjeshtës kur i merr era.
Gjithandej do takoni njerëz dhe do bindeni se për çmimin e lartë të energjisë dhe të tjera të tilla, më së shumti ankohen ata që edhepse kanë ndërtuar vila me një mijë sakrifica, dritat i lënë ndezur edhe ditën.
Diku në një restorant anës rrugës do takoni një meso-grua e cila duke qeshur këndshëm do j’u tregojë se si u kakarisi dhe u pëlliti para surratit disa të huajve për tu dhënë të kuptojë se mund të uleshin të hanin vezë dhe mish viçi.
Në një lokal që quhet “Bar Kafe Hardhija”, do kërkoni kos. Nga ay që pritet me thikë. Që të mos shprishet, do t’i lutem unë kamarierit të ma japi kosin me gjith’ tas. Do t’i kërkoj edhe një lugë. Me lugën do t’ju jap ju të gjithëve një nga një nga pak kos duke j’u kuar ju, ashtu si në të vërtetë jeni, si bebe.
Në një fshat do hasim në një dasëm. Me të parë dasmën, juve do j’u ngjethet mishi, dhe, me mish të ngjethur, do afroni turirin te dritarja e do kqyrni me habi si gëzohen ata brënda. Por edhe sikur ta kafshoni njëri -tjetrin me dhëmbë nga inati, s’do gjeni dot asnjë spjegim për mpleksjen misterioze të qefit me seriozitetin kur të shihni si kërcejnë e këndojnë me jarnana moj jarnane, por gëk, as qeshin as llafosen.
Mbi dritaren e një dyqani katundi do shihni një copë letër mbi të cilën katundari, ndoshta i pa-shkollë, me vetëm tre fjalë; “Ofrojmë matje tensioni”, ka derdhur aq dëshirë për biznes, aq ndjeshmëri, dashuri, mëshirë, sa nuk e gjen dot as në një mijë artikuj gazete Tirane.
Diku mes Fierit dhe Lushnjes do fjaloseni me myzeqarë konspirativë që praktikojnë retorika të alambikuara të atilla para të cilave batutat e filmave të verdhë janë hiçasgjë, nga ata që, kur është fjala për më tepër se 3, nuk thonë 4, apo 5, apo 6, por “shumë”.
Në një rrugë tërthore fshati, nga ato aq të shijëshmet që të thithin vetvetiu, njëra gjysëm tre herë shtruar, tjetra gjysëm pesë herë vjedhur, do takoni një blektor që rrit buallica qumështin e të cilave e shet në Angli.
Kur të keni ndalur për tu shplodhur pak në një lokal që quhet; “Restorant Jonxha” njëri do më pyesi mua; Ku i ke psonisur këta budallenj o flori ?! Në raste të tilla, që sigurisht nuk do mungojnë, unë, që juve të mos u prishet terezia, apo, si e quani ju, ekuilibri psiqik, do bëj sikur s’do dëgjoj.
Në të dalë të Cërrikut drejt Belshit, gjatë një rruge që të shpje në Kuçovë, që ju nuk e dini fare se ajo rrugë ekziston, do ndeshemi me disa merhumër të cilët vitet që kanë bërë ushtrinë andej nga vitet ’80, i mbajnë për kohën më të ndritur të jetës, dhe me këtë mburren. Fill pas tyre, në një vend të hatashëm plot liqere dhe lëndina, do na presë rrugën një fytyrëvrerosur me një Benz të madh, i cili, me një zë rënkimtar, do t’u ankohet se bën disa biznese agroblegtorale, dhe e mbajnë për më të pasurin, por në fakt është më i varfëri i të tërëve, sepse u ka miliona borxh bankave.
Duke kaluar pranë qyteteve, ju që celularët s’i shqitni nga dora, do shkriheni tue u qesh kur në ekranet e aparateve do j’u çfaqen emrat e Uajrlesave të kioskave si; “TofikuNet”, “HajdariCom” apo “MuhametiMobile”.
Gjatë kësaj shetitjeje ju do rrini urtë dhe nuk do më thoni mua, jo-po ule zërin jo-po ngrijë zërin. Unë do bëj si di. Shqiptarëve do j’u thërras me sa të kem në kokë. Në këto raste, ju morrat e vrimave dhe pleshtat e skutave, që s’keni fare ide si janë shqiptarët, do vini re me shumë çudi’, se, nga e bërtitura ime, jo vetëm nuk do mërzitet askush, por do mbeten të kënaqur të gjithë. Kjo do ndodhi sepse unë këtë mënyrë komunikimi me ‘ta e kam ngritur në Art.
Ejani pra ta bëjmë këtë shetitje.
Sepse kështu është Shqipëria. Plot me shqiptarë dhe shqiptare që nuk dashurohen mes vedi si dini ju-me hi’, por si dinë ata-me zjarr. Ejani se nuk do humbni gjë. Se në fund, si gjithmonë, përsëri ju do mburreni unë do bëj sikur s’kuptoj, ju do bërtisni unë do hesht, ju do fitoni unë do humbas. Veç një gjë harrojeni; që ju të gënjeni, unë t’ju besojū

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button