Libri

T’i shpëtosh pesimizmit

Kafet filozofike / Të krijuara në Francë nga filozofi Marc Sautet në vitin 1992, ato vijojnë të mbahen sot në shumë vende të botës jo vetëm si një mënyrë për të ruajtur traditën, por për ta parë filozofinë si një katarsis për politikën apo ekonominë … Ndërsa të rinjtë ngrenë pyetjen “Përse na duhet filozofia”, përfshirja në këto kafe është një mënyrë për t’i dhënë përgjigje

Nga Alda Bardhyli

Kush interesohet për filozofinë? Hans George Gadamer, e ngriti këtë pyetje disa vite më parë, i shqetësuar nga një rritje shqetësuese e pesimizmit jo vetëm në Europë, por edhe në Perëndim nga ana e të rinjve. Ata besojnë se një të ardhme më të mirë mund ta kenë falë ekonomisë, shkencës apo teknologjisë. Nëse dikur Perëndimi e nisi udhën e tij shpirtërore përmes filozofisë, të rinjtë sot ngrenë këtë pyetje dhe janë skeptikë për t’u thelluar në mendime. Në një botë, e cila çdo ditë e më tepër po i rrit distancat nga thelbi dhe po i dorëzohet forcës së reklamave, imazhit, qasja drejt mendimit, nuk shihet më si një shpëtim. Gadamer e shihte këtë pyetje si një simptomë të rrezikshme për të ardhmen … Gati 23 vjet më parë, një tjetër filozof francez, Marc Sautet, e ngriti këtë pyetje. Në vendin ku filozofia kishte ndërtuar shtratin e saj dhe ku Sartri apo më vonë Marlene Zarader, kishin ngritur artin e tyre duke e parë filozofinë si një formë që do e përsoste gjithnjë njeriun, Marc Sautet bëri aktin e parë të një ndërgjegjësimi kolektiv, duke i ftuar francezët të vazhdonin traditën. Atëherë sapo i kishte kaluar të 50-at, Marc solli në mendje imazhet e takimeve të dikurshme mbi filozofinë, në apartamentet e miqve apo më vonë kolegëve me të cilat ndanin të njëjtat bindje. Takime të mbushura me dialogë që shkurtonin largësi dhe bënin të njihnin më shumë alteritetin e pamposhtëm të tjetrit, për ta kuptuar dhe takuar atë … Kjo, pasi dialogu është diçka në të cilën ndodhesh, në të cilën përfshihesh, është diçka për të cilën nuk mund të dish para kohe se çfarë do të ndodhë, çfarë do të dalë në pah, është diçka që ndërpritet jo pa dhunë, pasi ka gjithnjë diçka për të thënë dhe çdo fjalë dëshiron tjetrën dhe ajo që quhet fjala e fundit, pothuajse nuk ekziston. Më 13 dhjetor 1992, vetëm 6 vjet para se të ndahej nga jeta, Marc krijoi atë që do të shihej si një shpëtim nga francezët, “Kafet filozofike”. Qindra njerëz iu bashkuan takimeve mbi filozofinë, me një filxhan çaj apo gotën e kafesë, në Parisin e atyre viteve. Ajo çfarë dukej sikur kishte humbur, papritur u shfaq më e fortë dhe dëshira për të depërtuar jo vetëm brenda vetes, por dhe thellë problemeve të shoqërisë franceze të asaj periudhe ndihej në diskutimet e njerëzve që u bënë pjesë e këtij klubi të famshëm. Nga viti 1992 e deri sot, janë rreth 100 “kafe filozofike” në të gjithë Francën dhe 150 të tilla mund t’i gjesh kudo në botë. Temat që diskutohen në këto kafe nisën nga miti i Santa Klausit, mbi të vërtetën, seksin apo vdekjen, për të vijuar më pas me shtrimin e pyetjeve që merrnin përgjigje shëruese për atë që merrnin pjesë. Berenger Thibaut, një i pasionuar i filozofisë, kishte qenë gjithnjë i tërhequr për të sjellë një “kafe filozofike” në Shqipëri. Pas disa viteve të jetuara në këtë vend, ai e dinte se filozofia merr dimensione të tjera në terrene të panjohura. Në vendin kur e vetmja filozofi ku u besua për më shumë se gjysmë shekulli ishte ajo e Karl Marksit, ai bëri bashkë një grup njerëzish të pasionuar pas filozofisë franceze, për t’i realizuar këto kafe një javë në Shqipëri. Një kafe, që nisi në një bar të Tiranës, në një diskutim ku u bashkua dhe profesor Edmond Tupja, për të vijuar më pas në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, ku mbrëmjeve shtëpia e Babametos, u ngjasonte salloneve të shekullit të 18-19. Henri Fanchini, autor librash mbi filozofinë dhe së fundmi autor i një romani “Sereine Amertume”, përpiqej të përfytyronte sesi mund të ishte dimensioni i lirisë në një vend që ka përjashtuar erosin për më shumë se 50 vjet. “Në ‘Fjalorin e gjuhës shqipe’ (Tiranë, 2006) të Akademisë së Shkencave, nuk figuron emri ‘eros’, ndërkohë që ai është një nga pikënisjet e psikanalizës si parim veprues dhe simbol i epshit, që çliron libidon si energji; mbiemri ‘erotik’ përkufizohet vagëllimthi me fjalët ‘që i këndon dashurisë’; emri ‘erotikë’ përkufizohet si ‘tërësia e krijimeve që synojnë të ngjallin dëshirën dashurore’, ndërsa emri ‘erotizëm’ përkufizohet thjesht me dy fjalë si ‘ndjenjë erotike’, pra, siç shihet qartë, anashkalohen fjalët ‘epsh’ dhe ‘kënaqësi seksuale’”, do të shprehej profesor Edmond Tupja. Ndërsa në Francë, përgjatë viteve 1945-1990, filozofia u përsos në teoritë e saj, duke e parë erosin jo vetëm si një mendim, por dhe si një formë përmes së cilës mund të përsoseshin sisteme politike, ekonomike, në Shqipëri ndodhi dhuna më e madhe që mund t’i ndodhë një vendi, shtypja e individit. Një shtypje, pasojat e së cilës janë ende sot me tranzicionin e gjatë shpirtëror. Një shoqëri e ndaluar të njohë vetveten me dekada të tëra, do ta gjente shpëtimin te një katarsis i thellë shpirtëror dhe një rrugëtim drejt një lirie të brendshme që do të sillte më pas lirinë kolektive. Ndërsa profesor Tupja vazhdon të tregojë historitë e një përjashtimi të gjatë të kënaqësive, qoftë të të menduarit, për të kaluar më pas në pyetje të thella filozofike mbi raportin mes individit dhe lirisë, një nga pyetjet që u përsërit shpesh në këto kafe ishte se çfarë është liria? Një përgjigje u përpoqën t’ia jepnin dhe një grup të rinjsh nga Gjirokastra, që një mbrëmje ishin të ftuar në këtë klub. Kërkesat e tyre ndaj lirisë kishin të bënin me dëshirat e moshës, orët më të gjata jashtë shtëpisë, për të mbërritur më pas te përkufizimi se “liria është të bësh atë çfarë do më shumë”. Rrëfimet e vajzave të reja që flisnin aq mirë frëngjisht, lidheshin me historitë e prindërve të tyre të rritur në komunizëm dhe që donin për vajzat të kishin një të ardhme më të mirë përmes arsimimit. Në qytete të vogla, dimensioni i lirisë humbet ashtu si dritat e vogla që fiken një nga një në shtëpitë karakteristike të këtij qyteti para se të mbërrijë mesnata. Dikush prej tyre e lidh lirinë me ikjen dhe kur të largohet për studime do të ketë një koncept më të qartë mbi lirinë. Liria për këta të rinj vjen si një formë, e cila do të arrihet me një jetë më të mirë, ndoshta kur të kenë lënë qytetin e prindërve. Kjo mbrëmje në shtëpinë e Babametos i bëri ato të mendojnë më gjatë për lirinë, mendime që duhet t’i kenë diskutuar me njëra-tjetrën dhe pas largimit nga kjo kafe. Përgjatë një jave, shumë pyetje u ngritën mbi filozofinë dhe atë çfarë ajo i sjell çdo njërit prej nesh në hapësirat e Babametos. Filozofia si mendim, e të parit me dashuri gjërat e vogla të jetës duke njohur kuptimin e tyre. Vetëm përmes njohjes horizontet mund të hapen para nesh. Ashtu si Niçe shihte se dashuria për jetën mund të ishte shpëtimi, në një kohë përplasjesh idesh apo qytetërimesh dhe kur rritja e përplasjeve fetare duket sikur po sjell një erë të re apo kur vende si Shqipëria që ende përballen me tranzicionin e asaj çfarë i solli të qenët të përjashtuar nga liria për më shumë se 50 vjet, kthimi i vështrimit thellë brenda vetes mund të sjellë dritën e kërkuar. Bernard ashtu si Gadamer beson te dialogu. Komunikimi në të gjitha kohërat ka sjellë progres dhe emancipim, duke na çuar drejt arsyes. Marc Sautet, dy dekada më parë, u kujtoi francezëve forcën e dialogut, ashtu thjesht ulur në një bar të zakonshëm me një filxhan çaji në dorë dhe duke folur për gjërat ndoshta të parëndësishme të jetës. Thjesht duke folur e duke dëgjuar rrëfimet e të tjerëve bri teje dhe për të ndier dalëngadalë sesi brenda teje një dritëz e vogël, ka përshkruar zonat e errëta të mendjes, duke u dhënë përgjigje pyetjeve të vogla ekzistenciale, që mund të kenë shqetësuar … Bernard kërkon t’i shohë kafet filozofike si një ftesë, për të bërë bashkë shumë njerëz dhe për ta parë zhvillimin përmes dialogut, si shembullin që do të mund të shpëtojë një botë që po ecën me shpejtësi drejt konsumit …

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button