Ekonomia

Supergjobat,Ekspertët: Do të fundosin bizneset e vogla

aEkspertët janë të prerë kur parashikojnë efektet që do të kenë tek bizneset ndryshimet e fundit në Kodin e Procedurave Tatimore, të cilat përcaktojnë ashpërsim të ndjeshëm të ndëshkimeve dhe gjobave për evazion dhe mospërdorimin e rregullt të dokumentacionit tatimor. Sidomos për sipërmarrjet e vogla, ato do të jenë fatale dhe do të çojnë në mbylljen e tyre. “Aplikimi i gjobës në masën maksimale prej 500 mijë lekësh mund të çojë në mbylljen e një pjese të konsiderueshme të bizneseve të vogla, për faktin se ka biznese të vogla që fitimin vjetor e kanë më pak se 500 mijë lekë”, thotë Florjan Gjoka, ekspert fiskal.“Nga kjo klimë represioni siç e quajmë ne, efektet e para i pamë dhe do t’i shohim në vijim në humbjen e aftësive mbijetuese të bizneseve të vogla dhe shpërqendrimi nga aktiviteti i përditshëm (të fitojnë para) te frika për të parë në lupë gabimet”, thotë Ilir Daiu, ekspert kontabël Për Artan Xhianin, ekspert kontabël, ky ligj nuk ka as logjikë juridike dhe as logjikë ekonomike. “Në disa nene të këtij ligji thuhet se për shkelje të përsëritura do të bëhet kallëzim penal, dhe ndryshimet e pritshme në Kodin Penal do të parashikojnë “burg 3-5 apo edhe 10 vjet”. Unë nuk e di sesa vetë do të futen në burg dhe sa gjatë do rrinë aty, por për një biznes të vogël deri diku të mesëm, që përbëjnë shumicën e bizneseve shqiptare, dënimi me burg pas një gjobe 500,000 lekë duket sikur është më i lehtë se dënimi i parë dhe kjo s’ka logjikë juridike”.Ardjana Shehi, avokate Kalo&Associates, thotë se parimi i rëndësishëm i proporcionalitetit, që është i njohur tashmë në dispozitat tona të Kodit Penal, por edhe në ato që kanë të bëjnë me shkeljet administrative, nuk zbatohet në dispozitat e reja të ndryshuara, si në ligjin “Për Procedurat Tatimore” ashtu dhe në Kodin Penal (nëse miratohen ashtu siç janë propozuar). Gjykata Kushtetuese (nëse vihet në lëvizje) duket se duhet të thotë fjalën e saj në lidhje me respektimin e parimit të proporcionalitetit në dispozitat përkatëse të ndryshuara.

Ndryshimet e ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, hyjnë në fuqi më 12 nëntor dhe sjellin një rritje të ndjeshme të nivelit të gjobave.

Ndër masat kryesore që forcohen nga këto ndryshime janë:

-10-fishimi i gjobës për mosdeklarim punonjësish për biznesin e vogël, në 500 mijë lekë;

-gjobë 500 mijë lekë dhe kallëzim penal për mosdeklarim real të pagës;

-gjobë 500 mijë lekë për mosdeklarim adrese;

-e drejta për të mos paguar nëse nuk merr faturën;

-ndalimi i shumicës për të shitur mallra tek individët; konfiskim i deri në 50% të xhiros nëse ke detyrime

– gjobë 10 milionë lekë për tregtuesit e shumicës, që tregtojnë mallin pa dokumente tatimore

-Moslëshimi i kuponit, gjoba për biznesin e vogël 10-fishohet nga 50 mijë në 500 mijë lekë

Ekspertët kontabël: Ndikimi i ndryshimeve

Sa u përket ndryshimeve të menduara në Ligjin e Procedurave Tatimore, çfarë ndikimi mendoni se do të ketë për grupet e mëposhtme të interesit:

Biznesi i vogël:a. gjoba për punonjës të pasiguruar (nga 50 mijë bëhet 500 mijë)

Florjan Gjoka, ekspert fiskal: Aplikimi i kësaj gjobe në masën maksimale prej 500 mijë lekësh mund të çojë në mbylljen e një pjese të konsiderueshme të bizneseve të vogla, për faktin se ka biznese që fitimin vjetor e kanë më pak se 500 mijë lekë. Praktikisht kjo gjobë do të ishte e paarkëtueshme dhe njëkohësisht shteti do të humbte edhe pagesat vullnetare të tatimeve që bën ky biznes. Mendoj se kjo gjobë nuk duhet të jetë më shumë se 100,000 lekë.

gjoba për moslëshim kuponi (nga 50 mijë bëhet 500 mijë)

Florjan Gjoka, ekspert fiskal:Edhe niveli i kësaj gjobe është shumë i lartë dhe nuk duhet të jetë më tepër se 100,000 lekë, pasi në momente të caktuara moslëshimi i kuponit tatimor ndodh edhe nga pakujdesia e punonjësve, dhe nuk duhet të ketë një sanksion kaq të lartë për një pakujdesi të rastit. Aplikimi i kësaj gjobe në masën maksimale prej 500 mijë lekësh mund të çojë në mbylljen e një pjese të konsiderueshme të bizneseve të vogla, për faktin se ka biznese të vogla që fitimin vjetor e kanë më pak se 500 mijë lekë. Praktikisht kjo gjobë do të ishte e paarkëtueshme dhe njëkohësisht shteti do të humbiste edhe pagesat vullnetare të tatimeve që bën ky biznes.

 Ilirjana Feraj, eksperte kontabël: Është ashpërsim ligjor, deri diku i nevojshëm, por në kushtet e papunësisë që ofron sistemi e ekonomia shqiptare, e vlerësoj si kufizim për bizneset dhe zhvillimin e tyre, që dhe janë aktualisht e vetmja alternativë ku qytetarët e këtij vendi mund të marrin një mundësi punësimi, qoftë dhe për të nxjerrë minimumin jetik, pasi qeverisja nuk mund t’u sigurojë një minimum jetik në kushte papunësie. Pra, nëse biznesi e shkel ligjin një herë, gjë që për një biznes mund të ndodhë pasi biznesi nuk është afatshkurtër, por afatgjatë, dhe në mos për një periudhë njëvjeçare, por më tej mund t’i ndodhë një shkelje e dytë, e cila e çon në burg, pra i kushton lirinë. Pra, ligji heq mundësitë e gjobave administrative të përshkallëzuara duke i zëvendësuar me masa radikale të së drejtës për të qenë i lirë, kjo mbart rrezikun e korrupsionit, kufizimit të të drejtave kushtetuese si e drejta për të jetuar i lirë, e drejta për të punuar etj., kufizim të biznesit për të vepruar, ngurtësim të tregut të punësimit.

mospagimi në kohë i kësteve për tatimin e thjeshtuar (15% e detyrimit)

Florjan Gjoka, ekspert fiskal: Sanksioni prej 15% i detyrimit mendoj, është deri diku i drejtë, pasi detyrimi tatimor i vetëdeklaruar duhet paguar në kohë, dhe jo të zvarritet pa arsye.

 Ilirjana Feraj, eksperte kontabël:Sipas ligjit ka penalitet vetëm nëse vetë subjekti kërkon rishikim kësti dhe më pas rezulton se ka fitim më të lartë se rishikimi. Mendoj se është i domosdoshëm ky penalitet, pasi mospagimi në kohë i tatimit që parashikon të fitosh d.m.th. të mos mbushet buxheti dhe për rrjedhojë të mos ketë një normalitet financiar për këtë do të ketë penalitet patjetër, është ndryshim i domosdoshëm.

Biznesi i madh:

gjoba për punonjës të pasiguruar (500 mijë)

 Florjan Gjoka, ekspert fiskal: Për biznesin e madh nuk duhet të ketë asnjë tolerim për punonjës të pasiguruar, gjoba 500 mijë lekë është e pranueshme.

moslëshim kuponi (gjoba është bërë 500 mijë lekë nga 300 mijë lekë që ishte)

Florjan Gjoka, ekspert fiskal: Niveli i kësaj gjobe është shumë i lartë dhe nuk duhet të jetë më tepër se 200,000 lekë, pasi në momente të caktuara moslëshimi i kuponit tatimor ndodh edhe nga pakujdesia e punonjësve.

mospagimi në kohë i kësteve për tatimin mbi fitimin

Florjan Gjoka, ekspert fiskal: Sanksioni prej 15% të detyrimit mendoj është deri diku i drejtë, pasi detyrimi tatimor i vetëdeklaruar duhet paguar në kohë.

 Ilirjana Feraj, eksperte kontabël:Mendoj se është i domosdoshëm ky penalitet, pasi mospagimi në kohë i tatimit që parashikon të fitosh d.m.th të mos mbushet buxheti dhe për rrjedhojë të mos ketë një normalitet financiar, për këtë e do të ketë penalitet patjetër, është ndryshim i domosdoshëm.

Individi fizik:

I lind e drejta të mos paguajë për shërbimin/mallin n.q.s nuk pajiset me faturën tatimore.

Florjan Gjoka, ekspert fiskal: Është një nga mënyrat për të ndikuar tek bizneset për të lëshuar kuponin tatimor, mendoj se kjo është e drejtë.

Ilirjana Feraj, eksperte kontabël:Mund të jetë si profilaksi për të edukuar sadopak shitësit e blerësit në kushte aktuale që janë krijuar. Në raste kur ti i kërkoje faturë tatimore dikujt, çuditej, të shikonte shtrembër, pra të gjithë bënim atë që quhej evazion fiskal, duke filluar që nga kryeministri, ministri, drejtorë tatimesh etj., të cilët në një kontroll spontan nuk kanë asnjë faturë për kafenë që kanë pirë, bukën që kanë blerë etj… (raport mbi të ardhurat e shpenzimet që këta kryejnë)

Shumicat:

Nga data 1 prill 2016, tatimpaguesit, që kryejnë shitje me shumicë të mallrave, nuk lejohen të shesin te blerës joushtrues të një veprimtarie tregtare (individë).

Florjan Gjoka, ekspert fiskal: Kjo masë është e drejtë pasi do të ndikonte shumë në uljen e evazionit, duke mos lejuar që bizneset të furnizohen pa faturë tatimore.
Ilirjana Feraj, eksperte kontabël:  Edhe më parë ka qenë në ligj, por nuk është zbatuar, pasi shteti nuk i ka të regjistruar të gjithë tregtarët me NIPT. Sipas kësaj, shumicat do të detyrojnë tregtarët të regjistrohen sepse nuk mund t’u bëjnë shitje. Nuk duhet të jetë tregtari i shumicës ai që i detyron blerësit të regjistrohen me NIPT, por shteti, që administron territorin e qytetarin. Ka ende zona e pjesë të Tiranës ku aktivitete të mëdha rezultonin të paregjistruar. Pra shteti nuk funksiononte në këto territore?! Shteti duhet që t’i administrojë territoret e qytetarët me të gjitha mënyrat, domosdoshmërisht, t’i taksojë e t’i trajtojë në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët, bizneset e tregtarët. Madje edhe t’i ofrojë mundësi veprimi, pasi kështu do mund të realizohet kontrata që kanë këta qytetarë me shtetin: Ky i fundit duhet t’i administrojë, përndryshe qytetarët do ta pushojnë! Shteti si administrator i zgjedhur nuk duhet të shkatërrojë besimin e kontraktorëve por duhet të gjejë mënyra për të realizuar kontratën që ka marrë përsipër me qytetarët.

Flet Artan Xhiani, ekspert kontabël

Ligji i fut të gjithë në thesin e “500,000 lekshave”

Shpresuam se ligji nuk do të mund të kalonte në Parlament, por kjo nuk ndodhi. Kemi pritur që ky ligj të kthehej për t’u rishikuar në Parlament nga ana e Presidentit, por mesa duket Presidenti nuk arriti të gjejë ndonjë problem të kushtetutshmërisë brenda këtij ligji, dhe veproi sipas parimit të heshtjes, dhe kështu me kalimin e afateve, ligji u botua në gazetën zyrtare dhe pritet të hyjë në fuqi diku nga mesi i nëntorit. Në këto kushtet, kur asnjë nga pritshmëritë tona më sipër nuk u realizua, s’na ngelet gjë tjetër veçse si “qytetarë të bindur” të shtrëngojmë rripin dhe të fokusojmë shënjestrën te pika “Zero gabime – Zero tolerancë”. Pa kaluar tek analiza se ç’do të sjellin këto ashpërsime të gjobave për kundërvajtje fiskale ose “evazion”, pyetja më e thjeshtë që na shkon ndër mend është “A do të ketë të njëjtën monedhë ky ligj edhe në anën tjetër të administratës tatimore “Zero gabime – Zero tolerancë”? Edhe më optimisti do të ishte mjaft dyshues. Një nga parimet themelore të qeverisjes së bazuar në drejtësi është parimi “check and balance”, por ashtu siç e kemi provuar deri më tani, Ligji i procedurave tatimore ka qenë thellësisht i njëanshëm dhe asnjë hallkë e tij nuk ka qenë realisht në mbrojtje të tatimpaguesit. Madje as Gjykata Administrative, e krijuar me ngut dhe e lënë sot në pikë të hallit, nuk bëri dot gjë për të balancuar kamxhikun e shtetit në dorën e inspektorit tatimor. Për më keq, me këto ndryshime, kamxhiku bëhet edhe më fshikullues, madje mund edhe të të gjakosë apo të të marrë dhe jetën (bukën e gojës).

Sigurisht që e përgëzojmë nismën e qeverisë për luftën kundër informalitetit, e cila duhet të vazhdojë e të mos ndalet, por çdo gjë duhet bërë me kujdes dhe e studiuar, sepse për ndryshe sjell më shumë efekte negative sesa pozitive, dhe unë mendoj se në rastin konkret këto ndryshime janë të ashpra më shumë sesa duhet dhe krijojnë tension të panevojshëm në marrëdhëniet qeveri – biznes. Pse? Ky ligj nuk lë vend për të motivuar edukatën fiskale. Jo të gjithë janë evazorë, dhe nga ana tjetër, asnjë nuk është i pagabueshëm. Nëse ligji të ndëshkon kaq ashpër edhe për një gabim nga pakujdesia apo nga mosdija, atëherë jo vetëm që kemi ndrydhur iniciativën për vetëkorrigjim, por do të nxisim më shumë evazionin me dashje, sepse ku do t’i gjejë biznesi paratë për të paguar gjoba të tilla kaq të rënda? Një prej mënyrave do të jetë tentativa në rritje për të bërë më shumë evazion. Pra në vend që të nxisim gjuhën e mirëkuptimit me tatimpaguesit, e kemi shkatërruar dhe më shumë, madje kemi futur gjuhën e mosbesimit, ose siç thotë populli “po më dole në shteg ta futa!”

Ky ligj nuk është aspak i barabartë, sepse nuk aty nuk arrin të gjesh dot logjikën e thjeshtë e cila është “gjoba apo dëmshpërblimi duhet të reflektojnë masën e dëmit të shkaktuar”. Ndërsa ky ligj i fut të gjithë në një thes, të cilit po ia vëmë emrin “thesi i 500,000 lekshave”. Kjo nuk është e drejtë! Absolutizimi i ndëshkimeve krijon pabarazi dhe sjell mosbindje masive. Personalisht do të thosha që ndëshkimet duhet të kishin në bazë masën e dëmit të shkaktuar dhe një mënyrë e tillë mund të ishte le të themi “gjobë e barabartë me 20- fishin e dëmit por jo më pak se 5,000 lekë”. Dhe kjo do vendoste njëfarë barazie në mes të ndëshkuarve, të cilët mund të jenë të vegjël apo të mëdhenj. Dhe pavarësisht nëse je i madh apo i vogël, masa e gjobës është në proporcion me dëmin e shkaktuar. Kush gabon shumë paguan më shumë dhe anasjelltas. Ky ligj nuk ka as logjikë juridike dhe as logjikë ekonomike. Në disa nene të këtij ligji thuhet se për shkelje të përsëritura do të bëhet kallëzim penal, dhe ndryshimet e pritshme në Kodin Penal do të parashikojnë “burg 3-5 apo edhe 10 vjet”. Unë nuk e di sesa vetë do të futen në burg dhe sa gjatë do të rrinë aty, por për një biznes të vogël deri diku të mesëm, që përbëjnë shumicën e bizneseve shqiptare, dënimi me burg pas një gjobe 500,000 lekë duket sikur është më i lehtë se dënimi i parë dhe kjo nuk ka logjikë juridike. Por nga ana tjetër edhe ekonomikisht s’ka kuptim sepse, me futjen në burg të një personi që zotëron një biznes jo vetëm që kemi ulur ato pak të ardhurat në buxhet nga ky person (një biznes më pak), por duhet të harxhojmë dhe 300-400 euro në muaj për kostot e këtij të fundit në burg. E ku shkojmë kështu?

Një anomali tjetër në këtë ligj është dhe gjoba për mospagimin e kësteve mujore të tatimit mbi fitimin në masën 15%. Mjafton t’i përgjigjemi në heshtje pyetjes së mëposhtme për të kuptuar mungesën e logjikës dhe të parimit “check and balance” edhe në këtë rast; “A do të rimbursohet tatimpaguesi në masën e plotë plus 15% interes nëse në fund të vitit, biznesi i tij del me humbje?” Që do të thotë se për aq kohë që një tatimpagues ka bindjen dhe e provon se nuk do të realizojë ndonjë fitim deri në fund të vitit, nuk duhet të ketë as detyrim për të paguar tatimfitimi në avancë, aq më pak s’mund t’i kërkosh atij të të japë dhe 15% më tepër në formën e gjobës për një detyrim inekzistent. Ndërkohë që i konsiderojmë të drejta të rejat e këtij ligji në lidhje me ndalimin e shitjes me pakicë nga bizneset e shitjes me shumicë, si dhe vendosjen e lajmërimit në lidhje me të drejtën që ka një klient për të mos paguar nëse nuk i jepet kuponi tatimor.

Flet Leonard Xhekaliu, ekspert kontabël

Ok lufta ndaj informalitetit, por me masa më të zbutura

Nëse do të shpreheshim në kontekstin e të qenët palë në këtë rast, do të kishim dy arsyetime: I pari do të ishte opinioni si palë e penalizuar, që është biznesi dhe me të drejtë ka kontestimet e tij të marrjes së masave të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse pa një formë të zbutur dhe graduale. Arsyetimi i dytë do të ishte të jemi në pozicionin e shtetit i cili është i interesuar që të implementojë reformat dhe njëkohësisht të realizojë dhe objektivat buxhetore të vjeljes së taksave. Opinioni im do të jetë si palë e tretë për të mos pasur një opinion të ndikuar nga të qenët pjesë e një grupi interesi. Periudha e gjatë e tranzicionit ka sjellë një praktikë informaliteti të lartë në Shqipëri. Lind nevoja të ketë një dorë të hekurt të ndryshimit të këtij realiteti të stërgjatur informal. Mendoj se kishte ardhur koha të ndryshohej mentaliteti i pandëshkueshmërisë ndaj shkelësve, kjo ndikuar edhe nga realiteti i hidhur i të pranuarit të këtij informaliteti pothuajse nga të gjithë ne si një realitet normal. Nëse pretendojmë të jemi pjesë e Europës, atëherë duhet të kemi parasysh se atje ka rregulla dhe norma që respektohen njëlloj për të gjithë dhe ligji duhet të tregojë autoritetin e tij kur i lind nevoja. Kam rezerva për mënyrën e vendosjes në zbatim të aksionit kundër informalitetit, mendoj se duhet një formë më e zbutur e marrjes së këtyre masave. Ajo që e bën të zbatueshëm një nismë ligjore është mosdallimi në zbatimin e saj. Mendoj se më mirë do të jetë sikur të ketë një frymë bashkëpunimi mes institucioneve shtetërore dhe grupeve të interesit, në rastin konkret biznesit, në hartimin dhe zbatimin e reformave në tatim-taksa.

Flet Ilir Daiu, ekspert kontabël

Nga klima e represionit, bizneset e vogla do të humbin aftësitë mbijetuese

Mendoj se nuk ka qenë niveli i aktual i gjobave apo sanksioneve që ka ndikuar në masën e informalitetit në ekonominë shqiptare. Sanksionet e tanishme, në shumë raste, kryesisht për biznesin e vogël, janë të larta dhe aspak liberale. Nuk jam dakord me ato masa gjobe. Si konkluzion, për të mos përsëritur vetveten, gjobat e reja janë të larta për bizneset e vogla në Shqipëri, pavarësisht se ne përkrahim aksionin antiinformalitet. Nga kjo klimë represioni, siç e quajmë ne, efektet e para i pamë dhe do t’i shohim në vijim në humbjen e aftësive mbijetuese të bizneseve të vogla dhe shpërqendrimi nga aktiviteti i përditshëm (të fitojnë para) te frika për të parë në lupë gabimet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button