Home / roze / Sukses i agjentit 007

Sukses i agjentit 007

“Spectre”, filmi më i ri i sagës së agjentit më të famshëm të ekranit, James Bond, duket i destinuar të ndjekë suksesin e paraardhësit “Skyfall”.

Me 1,1 miliardë dollarët e nxjerrë prej tij, “Skyfall”-i nuk i zhgënjeu aspak pritshmëritë, por edhe “Fantazma” duket se po ecën në të njëjtat hapa. Edhe pse nuk ishte në nivelin e debutimit të “Skyfall”, aventura e re e 007-s dominoi këtë fundjave “box office”-n, duke u renditur në krye të listës së fitimeve me 73 milionë dollarë.

“Spectre”, i regjisorit të njohur Sam Mendes, e vendos agjentin sekret britanik përballë fantazmave të së kaluarës.

“Skyfall”-i e la dramën të hapur: Bondi, i interpretuar nga Daniel Craig e pa shtëpinë prindërore t’i shkatërrohej dhe eproren “M” të vritej. Çfarë ndodh në filmin e ri: agjenti këtë herë do të kalojë në ilegalitet, si mënyra e vetme për të rënë në gjurmët e kreut të organizatës së errët me emrin “Spectre”.

Nuk mund të mungonin padyshim edhe bukuroshet në krahun e agjentit, jo vetëm tmerrësisht të zotë, por edhe shumë joshës: e bija e një rivali të vjetër, Madeleine Swann, e interpretuar nga aktorja franceze Lea Seydoux, me të cilën arrin të depërtojnë radhët e grupimit të mistershëm, dhe Dona Lucia, e veja e një mafiozi, e luajtur nga Monica Bellucci.

“Spectre” nuk mbetet pas filmave të mëhershëm të James Bondit, përsa i takon skenave të aksionit, të cilave dozën e admirimit nga publiku ia shton dhe fakti që janë të gjitha reale: Craig është ngjitur vërtet në çatitë e godinave të qytetit Meksiko, me helikopterë të vërtetë që fluturojnë mbi kokëen e tij, ndërsa për skenën e festivalit në rrugë u angazhuan mbi 1.000 personazhe me kostume të veçanta.

Leave a Reply

%d bloggers like this: