Opinion

Çfarë duhet të mësojmë nga votimi në UNESCO?

Jakup Krasniqi

Votimin e djeshëm (9 nëntor) në Paris për Kosovën e pritëm të bindur se vendi ynë, Republika e Kosovës do të bëhej anëtare e UNESCO-s, por u zhgënjyem goxha shumë, ndërsa më tej na mban shpresa se anëtarësimi do të ndodhë në vitet e ardhshme. Megjithatë, këtu duhet të shtrojmë një pyetje: çfarë duhet të mësojmë nga votimi ose çfarë na tregoi votimi i sotëm në Paris?

Në rend të parë tregoi se, edhe përkundër bisedimeve të Brukselit me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi, nuk ka ndodhur asnjë normalizim. Pasi Serbia vazhdon të jetë shumë e angazhuar armiqësisht ndaj çdo përpjekjeje të Kosovës për anëtarësim në mekanizma ndërkombëtarë. Ani pse që katër e më shumë vite, kryeministra e ministra të Kosovës e kishin plot gojën, për “njohjen de facto të Kosovës nga Serbia”, thënie kjo e përsëritur shumë herë nga foltorja e Kuvendit të Kosovës; se “marrëveshjet e arritura në Bruksel po çonin drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”; apo dhe se “Serbia do të obligohej që mos ta pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”. Por, asnjë nga këto që u thanë e u stërthanë nuk i pamë! Në emër të këtyre që u thanë, qeveria e Kosovës i bëri të gjitha marrëveshjet komprometuese me Serbinë, kulmi është bërë me Zajednicën e Komunave Serbe në Kosovë.

Votimi në UNESCO tregoi se Serbia jo vetëm që nuk po na njeh, por as është e gatshme t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën. Politika që Serbia tregoi në këtë rast është momenti më i duhur që qeveria e Kosovës të heqë dorë nga marrëveshjet e Brukselit, e sidomos nga marrëveshja e 25 gushtit 2015. Madje, kjo është me të drejtë edhe kërkesë e opozitës së bashkuar. Nuk mjafton fakti se Kryeministri i Kosovës sot e quajti Serbinë “raciste” e ditë më parë edhe vartësi i tij e quante politikën serbe, politikë të “gjenocidit”. Nëse është kështu si po thonë ata (gjë që nuk dyshoj), pse biseduan në Bruksel me qeveritarë të tillë, kriminelë e racistë?

Votimi i 9 nëntorit tregoi edhe një anë tjetër të politikës e të diplomacisë sonë, pasi edhe shumë vende që e kanë njohur Kosovën, votën e tyre e hodhën kundër anëtarësimit në UNESCO. Kjo është edhe një dëshmi tjetër se kjo qeveri, jo vetëm që e ka humbur kredibilitetin te qytetarët e vendit me mbi 80% (hulumtimi i fundit i bërë nga dy trupa ndërkombëtare në Kosovë e tregoi këtë), por e ka humbur kredibilitetin edhe te miqtë e saj, të cilët jo vetëm që nuk abstenuan, por votuan edhe kundër.

Të përfundojmë: qeverisja e keqe, humbja e besimit qytetar, mosnormalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, marrëveshjet e dëmshme e komprometuese me Serbinë në Bruksel, demarkacioni tepër i dëmshme në kufirin me Malin e Zi, mosanëtarësimi në UNESCO, humbja e kredibilitetit te njohësit e Kosovës si shtet të pavarur e sovran dhe mungesa e komunikimit me opozitën e bashkuar dhe jo komunikimi me edukatë me opinionin publik i Kryeministrit dhe i kabinetit të tij, janë arsyeje të forta që ky koalicion qeverisës duhet të japë dorëheqje. Por, para se të tërhiqej, kjo qeveri duhet të shpallë jo vlefshmërinë e marrëveshjeve të Brukselit të arritura me Serbinë e disponuar më shumë se armiqësisht me Kosovën dhe qytetarët e saj. E gjithë fushata e saj për të penguar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO e konfirmon këtë. Përgjegjësia për të gjitha këto sa u thanë bie mbi këtë koalicion qeverisës dhe shpëtimi i këtij koalicioni qeverisës është vetëm dorëheqja e tij. Dorëheqja e kësaj qeverie sjell normalitetin në Republikën e Kosovës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button