Home / Ekonomia / Euro zbret në 138.4 lekë, niveli më i ulët nga 2012

Euro zbret në 138.4 lekë, niveli më i ulët nga 2012

aMonedha e përbashkët ka shënuar një tjetër rënie të fortë dje në tregun e brendshëm, duke u këmbyer me 138.43 lekë, duke shënuar rënie me 0.29 lekë, në raport me një ditë më parë. Ky është niveli më i ulët i euros që nga korriku i vitit 2012, sipas të dhënave historike nga Banka e Shqipërisë.
Dy janë arsyet e kësaj rënieje të euros. Së pari, ajo është zhvlerësuar ndjeshëm në tregun ndërkombëtar, duke u këmbyer ditën e sotme me 1.07 dollarë, niveli më i ulët në 6 muaj, si rrjedhojë e dobësisë së bursave europiane.

Së dyti, edhe kërkesa në tregun e brendshëm është e ulët, sipas aktorëve të tregut, për shkak të ngadalësimit të importeve dhe tkurrjes së aktivitetit tregtar nga masat e forta të aksionit anti-informalitet. Në shtator, importet u tkurrën me 7% me bazë vjetore. Në të kundërt, dollari është ngjitur mbi 128 lekë, por mbetet ende larg niveleve rekord të 11 viteve të fundit, të arritur në mars 2015, kur u këmbye me 133 lekë. Kërkesa e dobët në tregun e brendshëm ka bërë që sjellja e euros të jetë e ndryshme nga fillimi i këtij viti, ku monedha e përbashkët ra në tregjet ndërkombëtare, në Shqipëri mbeti në kuotën e 140 lekëve, teksa ruajtja e raportit euro/dollar të bursave ndërkombëtare u reflektua në mbiçmimin e ndjeshëm të dollarit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.