Ekonomia

9 mujori: bankat rrisin investimet jashtë me 207 milionë euro

858790
858790

Në mungesë të kreditimit të ekonomisë dhe investimit në letra me vlerë të qeverisë, bankat po preferojnë të vendosin paratë në institucionet jashtë vendit, edhe pse me interesa ndëshkuese.

Totali i aktiveve të sistemit bankar arriti në 1.32 trilionë lekë në fund të 9-mujorit 2015, duke shënuar një rritje me 2.4%, apo me 31 miliardë lekë, në krahasim me dhjetorin 2014, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Me bazë vjetore, (T III 2015/ T III 2014) aktivet e sistemit janë rritur me 4.1%.
Fondet, që bankat marrin nga depozituesit, i investojnë kryesisht në katër drejtime, marrëdhënie me bankën qendrore, hua për ekonominë, blerje të letrave me vlerë të qeverisë, ose i depozitojnë jashtë vendit.
Në 9 muajt e këtij viti, forma e investimit që ka dominuar në sistemin bankar ka qenë ajo e vendosjes së parave jashtë vendit, si “depozita në banka, institucione krediti dhe institucione të tjera financiare”. Ky zë është zgjeruar ndjeshëm me 16.4% apo me 30 miliardë lekë në vlerë absolute (207 milionë euro), në raport me fundin e 2014-s, duke ndikuar në 100% të rritjes së totalit të aktiveve. Ndonëse interesat e euros janë negative, sërish bankat duket se po e shohin këtë si një alternativë më të sigurt të investimit të parave të tyre, sesa të japin hua në tregun e brendshëm, apo të blejnë letra me vlerë të qeverisë.
Ky proces (vendosja e parave të lira te mëmat, në vend që të investohen në kredi apo letra me vlerë të qeverisë vendase) njihet si ‘deleveraging’, apo ulja e varësisë së aktiveve të bankave me kapital perëndimor nga investimet në tregun e letrave me vlerë apo kredi dhe po ndodh në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Europës Lindore që nga viti 2010. Pas një ngadalësimi në 2013-n dhe gjysmën e parë të 2014-s, ky proces është përshpejtuar sërish vitin e fundit, duke reflektuar një rritje të perceptimit të riskut të bankave perëndimore për tregun shqiptar.
Megjithëse në depozitat interbankare paguhet “interes 0″ apo “interesa negative” , bankat janë të detyruara të mbajnë në llogari depozite fonde të tepërta që mbledhin nga klientët, teksa mungojnë projektet e besueshme nga aplikantët për kredi. Bankat janë të detyruara edhe me ligj të marrin depozitat e klientëve, edhe pse nuk kanë ku t’i investojnë, ndërkohë që alternativat e investimeve janë të limituara. Në shtator, kredia e re në euro ishte në nivelet më të ulëta të 10 viteve të fundit, çka duket se i ka detyruar bankat që fondet e lira t’i vendosin jashtë vendit.
Huaja dhënë sektorit privat (neto, duke hequr provigjionimet për huatë me probleme) shënoi një rënie me 0.4% në fund të shtatorit në raport me dhjetorin 2014-s, si rrjedhojë e tkurrjes së fortë në tremujorin e tretë . Edhe Shoqata e Bankave konstatoi në deklaratën e saj të fundit se huaja për bizneset është tkurrur, ndërsa për individët ecuria ka qenë më pozitive.
Një tjetër zë që ka shënuar rënie ka qenë ai i veprimeve me letrat me vlerë, me bankat që kanë ulur investimet në letrat me vlerë me 2.6% në krahasim me fundin e 2014-s. Bankat me kapital të huaj vazhduan të ashtuquajturin proces të ‘deleveraging’, duke ulur ekspozimin në investimin me letrat me vlerë të qeverisë, në linjë me orientimin e mëmave.
Në nëntor të këtij viti, bankat kanë shfaqur interes t ë lartë për të blerë eurobondin e qeverisë shqiptare. Kjo e fundit emetoi tw premten 450 milionë euro me kupon 5.75%. Nuk dihet ende se sa nga kjo shumë është blerë nga bankat tregtare në Shqipëri, por këto të fundit kanë preferuar këtë alternativë investimi në raport me kredinë në euro, që ka një interes rreth 5% dhe risk më të lartë, apo dhe vendosjen jashtë me interesa negative.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button