Bota

Portret– Helmut Schmidt alias Ylli Polar i gjermanëve

bLibri i tij i fundit, që doli në shtator në Gjermani, i kushtohej portit të Hamburgut. Hamburgut të tij. Një qytet që i ngjan aq shumë temperamentit fisnik dhe të prerë të ish-kancelarit, Helmut Schmidt (1974-82), i cili vdiq sot në moshën 96-vjeçare duke e lënë vendin jetim në pikëpamjen e referimit, në një mënyrë të pazëvendësueshme.

Schmidt konsiderohej ”jashtë shërbimi”, pasi kishte hequr dorë nga politika që gjatë viteve ’80 të shekullit të kaluar. Por, edhe nga ky pozicion ai vazhdonte të ishte ylli polar në debatin publik të vendit të tij, ndërkohë që për socialdemokratët ai ishte i tillë që prej disa dekadash.

Për më tepër, mund të thuhet se kjo ikonë e gjermanëve, edhe pse refuzonte të merrej si shembull, kishte fituar peshë në mënyrë progresive, shumë më tepër nga koha kur kishte qenë kancelar, në një moment të vështirë për vendin, kur Gjermania përkundej mes pasojave të krizës së naftës dhe terrorizmit.

Edhe në moshën e tij të shtyrë, deri në fund të jetës, Schmidt vazhdoi të punonte shumë orë në ditë.

Shkruante dhe fliste, jepte intervista dhe bënte takime. Të gjitha këto pa e hequr asnjëherë cigaren nga goja.

I drejtohej vendit të tij, Gjermanisë, si një baba dhe, për t’i bërë të gjithë për vete, përdorte tonin e një miku që të kuptonte, që njihte defektet dhe virtutet e kombit duke e paralajmëruar gjithmonë.

”Ajo që nuk dua është një Gjermani si fuqi e madhe”, pat provokuar njëherë Schmidt, i cili e konsideronte Holokaustin një peshë në psikikën e gjermanëve.

Ky socialdemokrat i krahut të moderuar, i lindur nga dy mësues më 23 dhjetor 1918, ishte edhe një pianist i talentuar.

Ai mori pjesë në Luftën II Botërore, u diplomua në Ekonomi dhe u fut në Partinë Socialdemokrate në vitin 1946.

Senator i Hamburgut nga 1961-65, më pas u bë ministër i Mbrojtjes në qeverinë e Willy Brandtit.

Çështja ”Guillaume”, që çoi në rënien e qeverisë, i hapi rrugën Schmidtit për të qenë në krye të vendit, por me një linjë më të moderuar. Ai adoptoi një politikë të masave shtrënguese ekonomike duke ulur shpenzimet publike kundër inflacionit duke favorizuar ekonominë private dhe duke ridimensionuar praninë e të ashtuquajturve gastarbeiter (migrantëve të huaj).

Historianët flasin për këtë periudhë si një mrekulli e re e ekonomisë gjermane, pavarësisht rritjes së papunësisë.

Schmidt vdiq në shtëpinë e tij në Hamburg, në prani të vajzës, Susanne dhe të një mikeshe. Në shtator kishte kryer një operacion në këmbë për shkak të një tromboze dhe kishte dalë nga spitali me dëshirën e tij.

Kishte përbërë lajm, si gjithmonë, fakti që, pavarësisht gjithçkaje, që mjekët e kishin lejuar të pinte cigare. Schmidt ishte i vetmi, në një vend me rregulla të forta si Gjermania, të cilit i ishte lejuar të pinte cigare edhe në një ambient si studiot televizive.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button