Home / Te ndryshme / Akademik, Prof.Dr. Anastas Angjeli, zgjidhet Anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve

Akademik, Prof.Dr. Anastas Angjeli, zgjidhet Anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve

Akademik, Prof.Dr. Anastas Angjeli, zgjidhet Anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve. Njoftimi është bërë drejtpërsëdrejti nga Kryetari i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve, Prof.Dr. Dr.h.c. Felix Unger. Ky njoftim i shoqëruar me letrën zyrtare të kësaj Akademie njofton z. Angjeli se është zgjedhur për të qenë anëtar aktiv i Shkencave Sociale, Ligjit dhe Ekonomisë i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve.

Akademia Evropiane e Shkencave dhe Arteve është një Forum Akademik Evropian anëtarë të së cilës janë shkencëtarë nga vende të ndryshme të Europës. Mes anëtarëve të Akademisë bëjnë pjesë edhe 29 fitues të Çmimit Nobel si dhe Papa Benedikti i XVI-të, i cili iu bashkua Akademisë si Kardinal në vitin 1992.
Akademia është një trupë transkombëtare dhe ndërdisiplinore e cila merret kryesisht me çështje evropiane dhe përpiqet të krijojë ura solide në Evropë në fushat (seksionet e Akademisë) shkencat humane, mjekësia, artet, shkencat natyrore, shkencat sociale, juridike dhe ekonomike, shkenca teknike dhe mjedisore dhe fetë botërore. Gjithashtu, Akademia ka në kuadër të saj edhe 8 institute të cilat punojnë në mënyrë intensive për çështje të veçanta.
Tematikat kryesore të Akademisë janë projektet “Shëndeti në Rajone” (Health in the Regions), projekt që është mandatar nga Komisionerët Evropianë Hahn dhe Dalli, si dhe “Konferenca e Akademive të Danubit” (Danube Academies Conference, e cila funksionon si një kundërpeshë dhe suplement i “Konferencës së Rektorëve të Danubit”). Arritje të tjera të Akademisë janë edhe “Dialogu ndër-fetar” si dhe zhvillimi i “Kartës së Tolerancës” (Tolerance Charter), “Manifestit të bashkëjetesës dhe mirëkuptimit.
Biografi e shkurtër e Akademik, Prof.Dr.Anastas Angjeli
angjeliProfesor në Ekonomi-Financë, me një kontribut të shquar në këtë fushë, veçanërisht në atë të Financave Publike dhe të Reformave Strukturore në Ekonomi. Prej vitit 1982 e me pas, ka kontribuar në profesoratin e Fakultetit të Ekonomisë së Universitetit të Tiranës e më tej, pas vitit 1990, me angazhimin e tij në politikë. Ka qenë Deputet i Kuvendit të Shqipërisë prej vitit 1991-2005, disa herë drejtues i komisioneve kuvendore për çështjet ekonomike e financiare dhe Ministër i Ekonomisë, Ministër i Financave dhe Ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale, për një periudhe të gjatë kohe gjatë tranzicionit. Prof.Dr. Anastas Angjeli është anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë që prej vitit 2009. Prej Qershorit të 2013 është rizgjedhur Deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Prof.Anastas Angjeli nga muaji Korrik 2014 është zgjedhur Anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve.
Është afirmuar si një nga ekonomistët-financier më të shquar, veçanërisht në aplikimin e reformave të ekonomisë së tregut në Shqipëri. Kontributi i tij i veçantë për reformën buxhetore e fiskale, për zhvillimin e sistemit financiar (bankar dhe jo bankar), për zbatimin e politikave fiskale në dobi të zhvillimit të biznesit dhe të investimeve vendase dhe të huaja në Shqipëri, për zhvillimin e lirisë ekonomike, për kryerjen e reformave strukturore dhe privatizimin e ekonomisë, për liberalizimin dhe integrimin e ekonomisë shqiptare në atë rajonale dhe europiane, gjatë periudhës se tranzicionit, është vlerësuar jo vetëm nga opinioni publik vendas, por edhe nga institucionet ekonomiko-financiare ndërkombëtare.
Profesor Angjeli është autor dhe bashkautor i shumë artikujve shkencor, brenda dhe jashtë vendit, studimeve me karakter kombëtar dhe rajonal, i disa librave universitare dhe monografive. Botimet e tij të fundit janë: Tranzicioni dhe Liria Ekonomike në Shqipëri (2007); Transition and Economic Freedom in Albania (2011); Në ethet e krizës (2012); Ditari i tranzicionit ekonomik (2013).

Leave a Reply

%d bloggers like this: