Opinion

Ne ju ofrojmë ndihmë në rrugën e BE

Nga Lubomír Zaorálek, ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Çekisë

         Péter Szijjártó, ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë

         Grzegorz Schetyna, ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Polonisë

         Miroslav Lajčák, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Europiane të             Republikës së Sllovakisë

Ideja e një bashkimi paqësor të Europës nuk ka qenë kurrë diçka për t’u marrë si e mirëqenë. Kjo mund të duket e qartë me shikim të parë; megjithatë, gjatë udhës ka pasur gjithnjë pengesa. Por sot, me përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e unifikimit, fundi i këtij rrugëtimi të gjatë është më afër se kurrë. Raportet e Komisionit Europian tregojnë se, nga viti në vit, vendet tuaja po i qasen si kurrë më parë anëtarësimit në BE. Dhe ky është një lajm i mirë. Nëse vështrojmë hartën, duket qartë se pa ju Europa është e paplotë. Historia e Europës nuk mund të kuptohet plotësisht pa njohur historinë e pasur të rajonit tuaj.

Bashkimi Europian u themelua si një projekt paqeje dhe ka pasur sukses në këtë ambicie. Sidoqoftë, përtej kufijve të Bashkimit, historia ndoqi rrjedhën e saj. Por, edhe ju meritoni një jetë me paqe, stabilitet dhe siguri të simbolizuar nga Bashkimi. BE-ja është shumë më tepër se një grup vendesh që punojnë së bashku për çështjet me interes të përbashkët; ajo është një komunitet shtetesh dhe qytetarësh që vendosën të ndajnë të njëjtin fat dhe ta përballonin të ardhmen së bashku.

Bashkimi Europian nuk ka të bëjë vetëm me kthimin e një ideali në realitet. Ai ofron përfitime të prekshme politike, ekonomike dhe të sigurisë bazuar te solidariteti dhe kohezioni i anëtarëve të Bashkimit. Zona e paqes, stabilitetit dhe begatisë nuk është një koncept i zbrazët; ajo është një program i vërtetë për projektin europian dhe sfidat e jashtme me të cilat po përballet Europa dhe kriza aktuale e migrimit në veçanti, e konfirmojnë këtë. Ato gjithashtu tregojnë nevojën për të ofruar përgjigje më efikase dhe koherente. Rëndësia e vendeve të Ballkanit Perëndimor për Bashkimin në këtë kontekst është kritike, pasi rajoni juaj është gjeografikisht – edhe pse ende jo politikisht – brenda Bashkimit Europian. Ne e vlerësojmë rolin pozitiv dhe përkushtimin e vendeve që janë prekur nga kriza e refugjatëve që nuk e shkaktuan ata.

Siç u premtua në Selanik vite më parë, dera e Unionit është e hapur për ju dhe kjo nuk do të ndryshojë. Ritmi i procesit të pranimit varet nga performanca juaj individuale. Ne duam që të gjitha vendet e zgjerimit të maten me të njëjtin kut dhe për këtë arsye, ne gjithnjë do të kundërshtojmë vendosjen e kushteve ose përpjekjeve shtesë për të ngadalësuar procesin e anëtarësimit tuaj. Por kjo, nga ana tjetër, do të thotë gjithashtu që rregullat të cilat drejtojnë zgjerimin nuk duhet të zbuten. Për të hyrë në Bashkimin Europian duhet të miratohen reformat e nevojshme në fushat e sundimit të ligjit, të të drejtave themelore dhe të qeverisjes ekonomike – ky ishte edhe rasti ynë, ashtu siç është për ju sot. Vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut mbeten vendimtare. Është një detyrë e të dyja palëve për të siguruar që procesi i anëtarësimit të mbetet i besueshëm, për të bashkëpunuar dhe për të kërkuar qasje të përbashkëta.

Progresi që keni arritur deri më tani në ndërtimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët është i admirueshëm. Këto marrëdhënie nuk do ta humbasin rëndësinë e tyre edhe pas anëtarësimit tuaj në Bashkimin Europian. Fqinjësia e mirë është themeli i çdo komuniteti. Kjo është e vërtetë edhe për Europën Qendrore: katër vendet tona të Grupit të Vishegradit – Republika Çeke, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia – nuk i bashkon gjuha e përbashkët, por ne ndajmë një përvojë të përbashkët historike të gjysmës së dytë të shekullit të 20, dhe e dimë që ka kuptim të bashkëpunojmë.

Vendet tona gjenden në hapësirën fqinje të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kjo është arsyeja përse ne e ndjekim nga afër progresin tuaj në rrugën drejt familjes europiane me një bindje të fortë se kjo i shërben interesit më të mirë të Ballkanit Perëndimor, si dhe të BE-së. Përgatitja për anëtarësim kërkon kohë. Vendeve tona gjithashtu ju deshën vite për t’u bërë anëtarë të plotë. Megjithatë, kjo nuk ishte një humbje kohe. Ato vite ishin plot me punë të rëndësishme dhe shumë të nevojshme. Falë kësaj përvoje ne e kuptojmë rëndësinë e mbështetjes nga vendet që tashmë kanë hyrë në Bashkim. Ne ju ofrojmë dorën tonë të ndihmës dhe përvojën tonë në rrugën që ende është para jush, por gjithnjë ju takon ju që të ndërmerrni hapin e parë. Ne jemi të lumtur t’ju risigurojmë se do të mbesim mbështetësit dhe avokatët tuaj të patundur.

Kjo vlen edhe për krizën aktuale të migrimit dhe të refugjatëve. Vendet e Grupit të Vishegradit, që në fillim të krizës së migrimit, kanë kërkuar që një vëmendje e posaçme t’i kushtohet rrugës transit të Ballkanit Perëndimor, si dhe nevojës për një veprim kolektiv europian. Një asistencë e përbashkët e Vishegradit ashtu si dhe dypalëshe i është ofruar tashmë disa nga vendeve më të ekspozuara të Ballkanit Perëndimor.

Ne ju sigurojmë që krizat me të cilat po përballet aktualisht BE-ja, me krizën e migrimit dhe refugjatëve një nga më sfidueset, nuk do të jenë një shkak për hezitim nga ana jonë në lidhje me mbështetjen tonë të zgjerimit të mëtejshëm të BE-së. Ky proces drejtohet nga rregulla të qarta dhe lidhja e tij me krizën e migrimit mund të rrezikojë të ardhmen e tij, si dhe atë të idesë europiane. Ne besojmë se të gjitha palët do të përfitojnë nga anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe ne do të përpiqemi për t’u siguruar që veprimet e Bashkimit do të udhëhiqen nga kjo.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button