Anekdota

Të ëmblat rreze dielli

Pëllumb Kulla
Pëllumb Kulla

Klientja e bukur e katit më të sipërm të hotelit vendosi që të dilte atë të shtunë në terracën e ndërtesës dhe të bënte pak banja dielli. Veshi një kostum banje dhe vajti u shtri direkt përmbi një sipërfaqe të lëmuar e të pastër, sa s’bëhej më.
Dielli lëshonte rrezet e dashura dhe klientja simpatike u shullëh gjithë ditën e ditës.
Të nesërmen ajo vendosi përsëri të dilte në terracë nën rrezet e diellit, por meqenëse një ditë më parë atë nuk e kish shqetësuar askush, ajo vendosi t’i merrte rrezet mbi tërë sipërfaqen e lëkurës së saj të bukur. U zhvesh tërësisht dhe u shtri përsëri si një ditë më parë duke iu gëzuar para kohe ngjyrës që do të merrte.
Ishte shtrirë mbështetur mbi goks duke i vërtitur diellit kurrizin dhe vithet e hijëshme, kur dëgjoi disa hapa. Tërhoqi menjëherë fustanin që kish aty pranë dhe mbuloi me të vithet lakuriqe. Klientes bukuroshe iu afrua vetë pronari i hotelit, të cilit po i merrej fryma nga ngjitja me vrap nëpër shkallë.
“Më falni zonjushë,” i tha ai me frymëmarrje të copëtuar. “Hoteli ynë nuk ka asgjë kundër banjave të diellit mbi terracë, por ju, të paktën, të kishit veshur atë kostumin e banjës që kishit dje!”
“E përse duhet ta vishja kot?!’ pyeti qetësisht klientja. “Këtu dje dhe sot nuk është dukur asnjeri dhe, për më tepër, unë kam hedhur fustanin përsipër.”
“ E shoh, e shoh,” tha pronari i vuajtur, “por ju sot po shtriheni mbi bark përmbi tavanin prej xhami të sallës së restorantit!”


(Më sipër, vetëm një pamje nga dita e parë. Të tjerat nuk na kanë ardhur ende)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button