Home / Politika / KSHH: Projektligjet të diskutohen në mënyrë gjithëpërfshirëse

KSHH: Projektligjet të diskutohen në mënyrë gjithëpërfshirëse

helsinki-commKomiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka kërkuar sot që projektligji “Për policinë e shtetit”, si dhe dy nismat ligjore të një grupi deputetësh për shtesa e ndryshime në ligjin “Për Shkollën e Magjistraturës” dhe “Për organizimin dhe funksionimin e KLD”, të diksutohen në mënyrë gjithëpërfshirëse.

Me anë të një deklarate për shtyp, KSHH bën medije se, “vazhdimisht ka patur në qendër të vëmendjes nismat ligjore të ndërmarra, me qëllim që të vlerësojë dhe të sugjerojë përmirësime, të cilat do të garantonin standard më të lartë për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, si dhe për të ruajtur e forcuar shtetin e të drejtës. Në mënyrë të veçantë KShH ka reaguar në disa raste lidhur me procedurat e ndjekura për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjeve. Gjithëpërfshirja në këtë proces është një vlerë demokratike dhe garanci për t’i parë projektligjet nga shumë plane e këndvështrime, për t’i përshtatur ato më mirë me parimet Kushtetuese dhe legjislacionin në fuqi, me nevojat e zhvillimit demokratik të vendit, si dhe për të parandaluar interesa e këndvështrime të sektorëve të veçantë të administratës publike, të grupeve të interesit, në dëm të pjesës tjetër të shtetasve”.

Ditët e fundit KSHH eshte shprehur per disa nisma ligjbërëse të rëndësishme, të cilat janë të lidhura me organizimin dhe funksionimin e strukturave të rëndësishme të shtetit, që kanë ndikim tepër të madh në jetën e shtetasve dhe të vendit. Të tilla përmenden projektligji “Për policinë e shtetit”, si dhe dy nismat ligjore të një grupi deputetësh për shtesa e ndryshime në ligjin “Për Shkollën e Magjistraturës” dhe “Për organizimin dhe funksionimin e KLD”, vijon deklarata e KSHH.

Lidhur me projektligjin “Për policinë e shtetit”, KSHH ka parashtruar në Kuvend një material të gjerë, me vërejtje e sugjerime, sepse ka mendimin që projektligji ka vend për përmirësime, me qëllim që të garantohet më mirë respektimi i lirive dhe të drejtave të shtetasve, të garantuara me Kushteturë e ligj. “Megjithatë ne mendojmë se do të ishte më mirë që ky projektligj të kalonte për shqyrtim e miratim pasi të miratohet paketa për përmirësime në Kodin e Procedurës Penale, sepse ky ligj i rëndësishëm kondicionon shumë funksione e kompetenca të policisë së e shtetit. Nga ana tjetër projektligji duhej t’i nënështrohej më gjerësisht konsultimit e diskutimit në strukturat qeverisëse, në grupet e profesionistëve të drejtësisë, në grupet e interesit dhe me shoqërinë civile, duke ju lënë atyre në dispozicion kohën e duhur”, thuhet në deklaratë.

Lidhur me nismën ligjore të një grupi deputetësh, KSHH dëshiron të theksojë se, duke e konsideruar formalisht në përputhje me nenin 81/1 të Kushtetutës, mendojmë se të gjitha nismat ligjbërëse duhet t’i nështrohen, në mënyrë të barabartë, të njëjtave procedura të shqyrtimit dhe miratimit, sipas Kushtetutës, ligjeve dhe standardeve të shtetit demokratit. Gjithsesi, objektiviteti, koha e hapësira e nevojshme dhe gjithëpërfshirja në diskutimin e tyre janë kërkesa të domosdoshme për një shoqëri dhe shtet demokratik. Kjo bëhet më e domosdoshme kur bëhet fjalë për ndërhyrje në legjislacionin që rregullon veprimtarinë e pushtetit gjyqësor”, thekson deklarata e KSHH.

Për këto arsye, KSHH sugjeron se do të ishte më efektive që edhe këto nisma ligjbërëse t’i nënështrohen diskutimit dhe debatit të hapur paraprak, në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke tërhequr veçanërisht mendimet e profesionistëve dhe specialistëve të fushës, por dhe të publikut të gjerë. Nga struktura ndërkombëtare, të cilat prej vitesh qëndrojnë e veprojnë në vendin tonë do të kërkonim të shprehen edhe publikisht për vlerësimet që kanë në lidhje meprojektligje të rëndësishme, që vendi ynë duhet të përmirësojë ose të miratojë, me qëllim që t’i pritet rruga abuzimit politik lidhur me qëndrimet e tyre.

Leave a Reply

%d bloggers like this: