Ekonomia

Gati 150 milionë lekë për studentët e ekselencës dhe nëpunësit

Qeveria vendos kriteret për bursën. Përfitojnë edhe nëpunësit që bëjnë master 1-vjeçar jashtë shtetit

Qeveria

Studentëve të shkëlqyer dhe nëpunësve me grada shkencore do t’u jepen jo më pak se njëqind e pesëdhjetë milionë lekë në vit të Fondit të Ekselencës, si dhe nga donacionet. Këtë e vendosi dje Këshilli i Ministrave me propozim të ministres së Arsimit dhe Sportit. Fondi që do të përdoret nga Ministria e Arsimit do të akordohet për bursa për studentët që ndjekin studimet e ciklit të parë, të dytë apo studime të doktoratës jashtë vendit në universitetet më të mira të botës, si dhe për nëpunësit civilë të administratës shtetërore apo në varësi të saj, që ndjekin jashtë vendit një program 1-vjeçar, master të ciklit të dytë apo të tretë. Vendimi saktëson edhe kriteret, sipas të cilave përfitojnë: a) Studentët, që ndjekin jashtë vendit ciklin e parë ose ciklin e dytë të studimeve universitare, kur janë pranuar në njërin nga 15 universitetet më të mira të botës sipas renditjes së fundit të përgjithshme nga “Times Higher Education”- Renditja botërore e universiteteve, për të ndjekur njërin nga dy ciklet e studimit, ose kanë përfituar financim apo bursë në masën 75 për qind të shpenzimeve totale të parashikuara nga universiteti pritës (për tarifën e shkollimit dhe kosto të tjera të jetesës), në rastet kur universiteti është i akredituar dhe i mirënjohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose në një nga vendet anëtare të Bashkimit Europian. Në rastin e dytë, mbështetja financiare nga Fondi i Ekselencës nuk mund të jetë më e lartë se 8 000 euro në vit; studentët duhet detyrimisht të pranojnë të punojnë, së paku, 3 vjet në Shqipëri, pas diplomimit në ciklin përkatës të studimeve, për të cilin përfitojnë bursën ose pas përfundimit të të gjitha cikleve të studimit, nëse kandidati fitues vijon studimet në ciklet më të larta universitare; të jenë shtetas shqiptarë; të mos jenë, njëkohësisht, përfitues të ndonjë burse tjetër nga shteti shqiptar; të mos përfitojnë bursë të plotë në universitetin pritës apo nga donatorë të tjerë. Në rastet kur studenti përfiton një financim të pjesshëm nga universiteti pritës apo nga donatorë të tjerë, financimi nga Fondi i Ekselencës do të bëhet për diferencën e vlerës deri në vlerën maksimale të parashikuar nga universiteti pritës për vitin akademik (tarifa e regjistrimit dhe shpenzime të tjera të jetesës dhe udhëtimit), në varësi të masës së fondit në dispozicion; Një kriter tjetër është që studenti duhet të ketë përfunduar studimet parauniversitare me mesatare mbi 9 të të gjitha viteve të shkollës së mesme ose ekuivalente për ata që kanë përfunduar këto studime jashtë vendit, për studentët që aplikojnë për ciklin e parë të studimeve universitare; të kenë përfunduar studimet e ciklit të parë me notë mesatare mbi 9, për shkencat natyrore dhe teknike, dhe mbi 9.5 për shkencat ekonomike e shoqërore, për studentët që aplikojnë për ciklin e dytë të studimeve universitare. b) Të drejtën për t’u mbështetur financiarisht e kanë edhe studentët, që ndjekin studimet e plota të doktoratës, pasi kanë përfunduar ciklin e parë e të dytë të studimeve universitare, kur janë pranuar në njërin prej 15 universiteteve më të mira të botës në shkencat shoqërore dhe ekonomike apo në njërin prej 50 universiteteve më të mira të botës në shkenca natyrore dhe teknike, sipas renditjes së fundit, të përgjithshme të “Times Higher Education”- Renditja botërore e universiteteve, ose janë pranuar në njërin prej universiteteve të mirënjohura ndërkombëtare për studime në albanologji; Ata nuk duhet të marrin shpërblime si financim i plotë apo bursë e plotë për punën kërkimore apo mësimore, që bëjnë gjatë këtyre studimeve në universitetin pritës në vlerë më të madhe se ajo e parashikuar për financim nga Fondi i Ekselencës. Studentët doktorantë nuk mbështeten financiarisht nga ky fond për tarifën e studimeve (tuiton fee), por vetëm për shpenzimet e jetesës. Në rastet kur studenti përfiton një financim tjetër nga universiteti pritës apo nga donatorë të tjerë, financimi nga Fondi i Ekselencës do të bëhet për diferencën e vlerës deri në vlerën maksimale të parashikuar nga ky fond; edhe për këtë kategori është kusht të pranojnë të punojnë, së paku, 3 vjet në Shqipëri, pas përfundimit të studimeve të doktoratës, në fushën e studimeve të kryera; janë shtetas shqiptarë; nuk janë, njëkohësisht, përfitues të ndonjë burse tjetër nga shteti shqiptar. c)Nëpunësit civilë të administratës shtetërore, që ndjekin jashtë vendit një program 1-vjeçar, master të ciklit të dytë apo të tretë, kur janë pranuar në njërin nga 300 universitetet më të mira të botës, për të ndjekur në ciklin e dytë apo të tretë të studimit një program master me kohëzgjatje 1-vjeçare në fushat e mëposhtme: Politika publike; Administrim publik; Politika ekonomike; Politika arsimore; Politika shëndetësore; Urbanistikë dhe zhvillim urban; Menaxhim i financave publike; E drejtë administrative/publike; Studime europiane.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button