Home / Teknologji / Aplikacioni që skanon lëkurën për të zbuluar kancerin

Aplikacioni që skanon lëkurën për të zbuluar kancerin

A mund të zbuloni rrezikun nga kanceri i lëkurës përmes një fotoje? Aplikacioni i ri i smartfonëve analizon fotot e nishaneve dhe mat rrezikun që i kanoset çdo personi nga melanoma.

Kërkimi për simptomat mjekësore është një praktikë shumë e përhapur, por që shpesh i lë njerëzit me më shumë pyetje se përgjigje. Një aplikacion i ri e ka thjeshtuar punën duke ofruar një diagnozë që vlerëson rrezikun për kancerin e lëkurës, i cili pretendon se mund të jetë 83 për qind i saktë.

Aplikacioni quhet SkinVision dhe përdor fotot e një personi mbi nishane të kapura përmes smartfonit për të vlerësuar rrezikun e melanomës ose kancerit të lëkurës, në përpjekje për të rritur zbulimin e hershëm.

Aplikacioni përdor një algoritëm për të analizuar vendin ku ndodhet nishani bazuar në matje gjeometrike. Aplikacioni ofron një “matje të rrezikut” dhe rekomandim për nishanin, ku foto dhe analiza që jepet prej saj mund të dërgohet te doktori i një personi.

Drejtori i përgjithshëm i aplikacionit SkinVision, Dick Uyttewal, tha se ndërsa aplikacioni nuk zëvendëson vizitën te një mjek profesionist, ai i lejon përdoruesit të gjurmojnë vazhdimisht lëkurën e tyre në hapësirën midis takimeve te mjeku.

“Kontrolli i rregullt i nishaneve apo shenjave të tjera në trup, mund të sjellë një zbulim të hershëm dhe parandalim të melanomës dhe kancerit të lëkurës”, tha ai.

“Aplikacioni nuk është projektuar për të zëvendësuar mendimin e një eksperti mjekësor, por për të ofruar një mjet për analizimin dhe gjurmimin e nishaneve midis kontrolleve profesionale dhe për të ndihmuar njerëzit të përgatiten për takimet mjekësore me galeritë e tyre personale të imazheve.”

Të dhënat globale tregojnë se vetëm në Australi, dy nga tre persona diagnostikohen me kancer lëkure deri në moshën 70-vjeçare, ku sëmundja përllogaritet për 80 për qind të të gjitha diagnostikimeve të reja me kancer në vit.

Aplikacioni i lejon përdoruesit të zbulojnë nishanet kancerogjene në fazë të hershme, për të rritur kështu gjasat e trajtimit të suksesshëm. Kërkimi i ri nga këshilli i kancerit ka zbuluar se gjysma e djegieve nga dielli në moshë të rritur, merren gjatë punëve të shtëpisë, si kopshtaria, leximi apo punët e tjera.

Piknikët dhe zgarat në ambient të hapur janë gjithashtu vende ku mund të merren rreze dielli të rrezikshme për lëkurën. Plazhi dhe pishinat renditen më poshtë në listën e zonave të rrezikshme.

Aktivitetet e ujit janë shkak i 29 për qind të djegieve nga dielli te të rriturit, ndërsa ushtrimet sportive zënë 21 për qind të shkakut.

Djegiet nga dielli mund të mos marrin rëndësi të madhe, por në fakt shumë persona diagnostikohen me kancer prej këtij shkaku.

Rreth 95 deri në 99 për qind të kancerit të lëkurës shkaktohet prej ekspozimit në diell.

Si të mbrohemi nga kanceri i lëkurës?

Është shumë e rëndësishme të dini të mbroheni nga dielli për të shmangur kancerin e lëkurës. Së pari, përpiquni të synoni hijen veçanërisht nga ora dhjetë e mëngjesit deri në katër të pasdites. Mos lejoni që lëkura t’ju digjet dhe po ashtu shmangni nxirjen artificiale.

Për të rritur sigurinë, duhet të mbani veshje përfshirë një kapelë dhe syze dielli që bllokojnë rrezet ultra vjollcë, në mënyrë që t’i keni sytë plotësisht të mbrojtur.

Përdorni një spektër të gjerë me faktorë për mbrojtjen nga dielli prej 15 ose më lart çdo ditë. Për aktivitete të jashtme përdorni një krem dielli që t’i rezistojë ujit dhe të ketë faktorin e mbrojtjes nga dielli të paktën 30. Aplikojeni kremin kundër diellit 30 minuta përpara se të dilni jashtë.

Lidhje e re mes kancerit të gjirit dhe melanomës

Një studim i fundit i publikuar në Revistën e Shkencës Mjekësore në Irlandë ka zbuluar se nëse keni pasur kancer gjiri apo melanomë, duhet të jeni vigjilentë, sepse të pasurit e njërës, rrit shanset e zhvillimit të tjetrit.

Studimet e mëparshme kanë theksuar për një lidhje të tyre, kjo është hera e parë që doktorët e provojnë shkencërisht dyshimin. Për të arritur përfundimin e saktë, u ekzaminuan 6788 raste të melanomës dhe 27 697 raste të kancerit të gjirit nga viti 1994 deri në vitin 2007.

Burimi: Daily Mail

Leave a Reply

Your email address will not be published.