Politika

Rama:Të përndjekurit që jetojnë, dëmshpërblim brenda këtij mandati

Kryeministri-Edi-Rama1-546x350 Kryeministri Edi Rama premtoi sot se brenda mandatit të parë qeverisës nuk do të ketë asnjë të burgosur nga Enver Hoxha që të mos ketë marrë dëmshpërblimin që i takon atij personalisht.
I pranishëm në analizën e 300 ditëve të punës së Ministrisë së Rinisë dhe Mirëqenies Sociale, kryeministri Rama theksoi se shuma e vënë në dispozicion për dëmshpërblimin e kësaj kategorie është rreth 18 milionë dollarë, ndërsa e cilësoi këtë si shumën më të madhe të vënë ndonjëherë në dispozicion nga shteti shqiptar, për këtë shtresë.
Duke vlerësuar punën e bërë nga kjo Ministri, Rama tha se në 300 ditët e para janë hequr nga lista e pagesave të personave në nevojë rreth 20 mijë raste abuzimesh, ndërsa dëmi i shkaktuar prej tyre kap vlerën e rreth 100 milionë dollarëve, faturë që sipas tij, parashikon pagesën për dy vitet e ardhshme për personat e duhur.
“Në këtë vend është ngrënë shumë në kurriz të te tjerëve. Janë paguar si ish-të përndjekur persona që nuk kanë bërë asnjë ditë burg. Janë paguar të verbër me sy në ballë. Dhe në 300 ditë dolën jashtë skemës së pagesave 20 mijë njerëz që ishin paguar me klientelizëm, në vlerën 100 milionë dollarë, aq sa duhej për të paguar 2 vjet rresht njerëzit e duhur. Dhe këtu jemi në kushtet ku shohim qartësisht se mund të bëhet më shumë se kaq, ku njerëzit e duhur të marrin atë që u takon”, theksoi kryeministri Rama.
Duke u ndalur tek punësimet e bëra gjatë qeverisjes së majtë ai theksoi se 43.879 njerëz janë punësuar, duke shtuar se kushdo që kërkon punë duhet ta kërkojë atë dhe jo të presë.
Sipas Ramës, sot Shqipëria është në një gjendje që mund të ofrojë një vend punë për këdo që do të punojë dhe këtë tendencë, tha ai, e kanë emigrantët e rikthyer në Shqipëri, më shumë se sa të rinjtë shqiptarë që jetojnë këtu.
“Meritë dhe mundësi për punësim kanë edhe zyrat e punës të hapura në të gjitha qytetet e Shqipërisë”, tha kryeministri. Deri dje këto zyra ishin pjesa më e paaftë e qeverisë, ndërsa sot kjo gjë ka ndryshuar duke shtuar se vetëm nga fondi i punësimit janë 3 mijë persona më shumë në punë.
“Zyrat e punës deri dje ishin pjesa më e paaftë e partisë. Ata në zyrat e punës rrinin me muhabet me njëri tjetrin dhe linin pa punë të gjithë të tjerët. Vjet punësoheshin 200 persona, dhe po ato persona punësoheshin çdo vit, ndërsa këtë vit, përmes fondit të punësimit janë punësuar 3 mijë vetë”, tha Rama.
Në fjalën e tij kreu i qeverisë vlerësoi dhe përpjekjen e qeverisë për zgjidhjen e problemit të toponimeve të emigrantëve shqiptarë në Greqi gjatë këtyre 300 ditëve, ndërsa nënvizoi se asnjë nga qeveritë paraardhëse nuk bënte përpjekje për këtë çështje.
“Për çështjen e emigrantëve të Greqisë për toponimet dhe për pensionet nuk ka pasur asnjë përpjekje nga qeverite paraardhëse. Ne e zgjidhëm problemin e toponimeve brenda 300 ditëve të para, problem ky që qeveria shqiptare duhet të merrte pjesën e vet të përgjegjësisë. Dhe sot nuk ka asnjë pengesë për këdo në kufi që të mund të vijë në Shqipëri”, tha Rama.
Ndërsa përsa i përket pensioneve të emigrantëve, kryeministri tha se për këtë problem kanë filluar bisedimet me të gjitha vendet. “Ministri mbylli marrëveshjen e parë atë me Belgjikën, për të vijuar me Kanadanë, Çekinë, Rumaninë, Hungarinë, ndërkohë që po përfundojnë bisedimet me Gjermaninë, një vend me një prezencë të rëndësishme të shqiptarëve, ndërsa jemi në rrugë të mbarë me Austrinë. Kemi nisur pjesën më të vështirë, bisedimet me Greqinë e Italinë”, tha kreu i qeverisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button