Europa

Arrestohen 16 veta në Bruksel – i dyshuari kryesor ende në arrati

Prokurorët belgë thanë se policia në Bruksel arrestoi 16 të dyshuar gjatë bastisjeve të së dielës, por, i dyshuari kryesor për masakrën në Paris Salah Abdeslam, nuk është në mesin e të arrestuarve.

Duke folur të hënën herët në mëngjes, prokurorët thanë se të paktën një nga të dyshuarit është plagosur gjatë bastisjeve të rreth 20 vendeve në Bruksel dhe zonat përreth. Qyteti mbetet në gjendje të lartë gatishmërie derisa autoritetet janë vënë në ndjekje të të dyshuarve për vrasjet në Paris më 13 nëntor. Autoritetet nuk dhanë më shumë hollësi.

Salah Abdeslam, mendohet se ka kaluar në Belgjike më 14 nëntor, disa orë pasi që pjesëtarët e Shtetit Islamik vranë 130 veta dhe plagosën qindra të tjerë në sulme të bashkërenduara në Paris. Arkitekti i dyshuar i sulmeve, Abdelhamid Abaaoud, u vra të mërkurën gjatë bastisjeve të policisë në një lagje në veri të Parisit.

Metroja e Brukselit dhe shkollat mbeten të mbyllura edhe të hënën, ndërsa banorët filluan një jave tjetër pune nën hijen e kërkimeve të policisë.

Në Paris të dielën vonë, forcat e armatosura të sigurisë po patrullonin rrugët kryesisht të boshatisura, ndërsa qyteti po përpiqet të tejkalojë situatën e krijuar pas vrasjeve.

Me herët gjatë ditë, mediat belge thanë se policia ka arrestuar katër persona të shtunën në mbrëmje, të cilët mund të kishin veshur jelekë me mjete shpërthyese. Por, Geert Schoorens, nga zyra e prokurorit federal, tha më vonë se “nuk mund të pohojë e as të mohojë” raportimet e tilla. Autoritetet që folën me gazetarët të hënën në mëngjes nuk i përmendën fare raportimet e tilla.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button