Home / Arte / Ekspozita / “Të kam lënë malin”, çon Shqipërinë në Venecia

“Të kam lënë malin”, çon Shqipërinë në Venecia

Simon Battisti & Leah Whitman-Salkin dhe Abake, artistët që do të prezantojnë Shqipërinë në edicionin e 15 të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia

Venecia (2)

“Simon Battisti & Leah Whitman-Salkin dhe Abake”

Simon Battisti është arkitekt që punon në Tiranë, teza Fulbright e të cilit solli një studim mbi familjen (në kundërvënie me bankat) si institucioni kryesor i financave ndërtimore në Shqipëri. Ai është bashkëthemelues i gazetës së studentëve të dizajnit të Harvardit “Very Vary Veri”. Ka punuar në zyra të dizajnit në Los Anxhelos, Nju Jork dhe Mumbai.

Leah Whitman-Salkin është zëvendësdrejtoreshë e Revistës së Dizajnit në Harvard dhe ish-botuese e Shtypit Sternberg. Ajo ka kontribut në revista botërore dhe ka organizuar një sërë eventesh në fushën e artit, arkitekturës dhe urbanizimit.

Abake është një ekip transdisiplinor me qendër në Londër që e ka nisur punën që në vitin 2000. Studioja ka publikuar dhe incizon e publikon muzikë edhe përmes zyrës së tyre në Paris. Ka pasur bashkëpunime në zë edhe me grupe me famë botërore si “Daft Punk” dhe “The Cardigans”.

“Të kam lënë malin” ky është titulli i veprës që do të prezantojë Shqipërinë në edicionin e 15 të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia në vitin 2016. Vepra do të realizohet nga artistët Simon Battisti & Leah Whitman-Salkin dhe Abake, të cilët do të çojnë në Venecia një hapësirë ku do të dominojnë kujtimet individuale dhe kolektive. Kjo vepër u gjykua nga një juri në përbërje të së cilës ishin artisti Anri Sala, arkitektja e njohur Elisabetta Terragni, kritiku i arteve pamore Gëzim Qëndro, drejtoresha e Institutit të Monumenteve, Arta Dolla dhe Adelina Greca, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit e Territorit. Në motivimin e saj, juria shkruan se ky projekt përmbushi të gjitha kriteret e parashikuara dhe ka aftësinë për të risjellë vende dhe histori përmes këndimit shumëzërësh. Tema e migrimit që synon projekti është rrënjosur thellë si në historinë e shkuar, ashtu dhe në të tashmen e Shqipërisë, duke iu mbivënë dhe zhvillimeve të fundit paneuropiane. Pavijoni shqiptar është konceptuar në mënyrë të tillë, i mbushur me kujtime individuale e kolektive të pathëna dhe shpesh të mbetura në heshtje, përmes një instalimi minimalist dhe të arkitekturës së muzikës polifonike. Programi i këtij “laboratori” të historisë së migrimit dhe zhvendosjes, do të shoqërohet me performanca, debate e workshope të hapura, si dhe me incizime të reja. Dëgjimi kolektiv, respekti për individualitetin dhe aktivitetet e përbashkëta, përcaktojnë një pozicion arkitekturor të fortë në lidhje me temën e përgjithshme të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venecias 2016. Pjesëtarë të tjerë të ekipit që po prezantojë Shqipërinë në këtë event të rëndësishëm të artit bashkëkohor janë dhe Peter Meanwell, Edit Pula, e cila vjen në këtë pozicion pas një sërë realizimesh si kuratore e artit, realizuese programesh në BBC apo regjisore e filmit “Hajde Hajde”, muzikologu Vasi Tole dhe Volker Zander, ekspert incizimesh me bazë në Dyseldorf. Tema e edicionit të 15 të Bienales së Arkitekturës është “Raportime nga fronti” dhe do të kurohet nga Alejandro Aravena. “Vizitorët duhet të vijnë për të parë histori suksesi, që arkitektura ka bërë, po bën dhe do të bëjë ndryshimin duke e fituar betejën dhe duke i zgjeruar kufijtë”, do të shprehej Aravena pas prezantimit të temës së këtij viti. Ai i fton artistët të fitojnë një betejë përmes artit, duke i parë veprat si gjuha e një ndryshimi. “Ka ende shumë beteja që duhen fituar dhe shumë kufij që duhen shtyrë për të përmirësuar cilësinë e mjedisit urban dhe, rrjedhimisht, cilësinë e jetesës së njerëzve. Gjithmonë e më shumë njerëz në botë janë në kërkim të një hapësire të denjë për të jetuar dhe kushtet për të realizuar këtë synim po bëhen gjithmonë e më të vështira. Çdo përpjekje për një qasje ndryshe has në rezistencë të fortë të realitetit të përditshëm….”, do të shprehej ai. Në edicionin e 14-të të kësaj Bienaleje, Shqipëria me temë “Monumente të mundshëm ardhmërisht të parealizuara”, u prezantua me veprat e dy artistëve të njohur “Penthouse” (Shtesat), një seri pikturash nga Edi Hila dhe “The Column” (Kolona), video/instalacioni nga Adrian Paci. Bienalja 2016 do të zhvillohet nga 28 maji deri më 27 nëntor 2016 në Arsenale dhe Giardini në Venecia, Itali.

Leave a Reply

Your email address will not be published.