ParlamentarePolitika

Tahiri: Të kthejmë rrogën mbrapsht nëse nuk miratojmë reformën në drejtësi

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në fjalën e tij në Kuvend nënvizoi se opozita nuk duhet të mburret me ligjin e dekriminalizimit në një kohë që shqiptarët ende vuajnë padrejtësinë, por duhet punuar bashkarisht për miratimin e reformës në drejtësi.

“Ulni gishtin e akuzës dhe kokën në shenjë respekti për hallet e qytetarëve. Nuk ka vend sot për dekorata dhe për mburravecë podiumesh. Kjo seancë duhet të na bëjë të gjithëve me turp. Duhet të zgjidhim hallin e madh të qytetarëve, që janë njerëzit që i kanë shpëtuar drejtësisë. Kësaj nuk i kemi dhënë zgjidhje. Nuk ka vend për t’u mburrur. Po dënojmë ata që janë dënuar, por çfarë do bëjmë me ata që nuk janë dënuar ende? Po i themi shqiptarëve se nuk do të keni më në Parlament njerëz të dënuar, por do të vazhdoni t’i keni në pallat, do vazhdoni t’i keni biznesmenë. Do i shikoni kudo. Po i heqim nga Parlamenti, por po jua lëmë juve në derë. Për këtë po mburremi? Sot po i themi shqiptarëve se, edhe pse nuk po marrin pronat, të rrinë të qetë se nuk do të votojnë më njerëz të dënuar, edhe pse ai që të ka vjedhur është i lirë. Për këtë po mburremi? Shqiptarët duan drejtësi, duan që vrasësi dhe hajduti të dënohet; të ndihen me pushtetin e drejtësisë; për reformën në drejtësi. Para se të rrihni gjoksin, heshtni sepse shqiptarët vuajnë ende padrejtësinë dhe pandëshkueshmërinë. Ne kemi vetëm një mision: t’ i kthejmë rrogën qytetarëve mbrapsht nëse nuk miratojmë reformën në drejtësi” tha Tahiri.

Berisha: Krimi është institucioni suprem i qeverisjes së Edi Ramës

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se Shqipërisë nuk i duhet dekriminalizimi i politikës, por “de-edvinizimi” i administratës.

“Nuk ka shqiptar që nuk i dinte lidhjet e tij me bandën e Aldo Bares, me bandën e Dritan Dajtit, nuk ka shqiptar që nuk e dinte lidhjen e tij dhe dominimin e tij nga banda të tjera, por megjithatë e thashë atëherë këtu para jush se shqiptarët me votën e tyre e amnistuan. Ata i dinin këto, po thanë do e provojmë”, tha Berisha.

“Krimi është institucioni suprem i qeverisjes së Edi Ramës. 80% e deputetëve nuk e hapin gojën, pasi kriminelët në sallë i kërcënojnë dhe i tmerrojnë”, shtoi Berisha, i cili më pas foli për ligjin e dekriminalizimit, të cilin e konsideroi vetëm si një hap të parë.

“Ligji i dekriminalizimit është arritje, por përbën vetëm një hap të parë. Le të besojmë se çdo gjë e madhe fillon me një hap të parë. Shpreh mirënjohje për të gjithë ata që e mbështetën këtë ligj. Mirënjohje për lidershipin e PD-së dhe partnerët ndërkombëtarë. E përsëris se është hapi i parë dhe se asgjë nuk kërcënon të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve tuaj, sesa sundimi i krimit. Shqiptarët nuk pajtohen me krimin. Çdo njeri që i shet votën krimit, shet të ardhmen e tij dhe të fëmijëve të tij. Krimi në dy vite ka marrë me qindra jetë. Ka shkelur dhe dhunuar të drejtat e njeriut, por shkatërroi edhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, tha Berisha.

Berisha: Seanca të shtyhet derisa të vijë Rama. Balla: Është miratuar me konsensus

Ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar shtyrjen e seancës parlamentare deri në rikthimin e Edi Ramës nga Kina. Ai tha se ky ligj i rëndësishëm nuk mund të diskutohet pa “protagnostin kryesor”, referuar pasaardhësit të tij.

“Ta konsiderojmë shtyrjen e kësaj seance dhe ardhjen e tij si një detyrim madhore për publikun shqiptar. Duhet të keni vetëdijen qytetare, vetëdijen politike se e katandis shqipërinë në nivele dhe hone të tilla që ka njohur vetëm në mesin e viteve ’70 nga krimi. Ky ligj nuk mund të diskutohet pa protagonistin kryesor të sistemit të krimit të vendosur në Shqipëri. Absolutisht është fryt i konsensusit dhe e vlerësoi këtë në mënyrë të padiskutueshme se kam qenë i bindur se dhe në krahun tjetër ka individë të ndershëm dhe me integritet. Por nuk mund të mos i themi në sy të gjitha atij që solli shtetin në këtë pikë, që shndërroi qeverinë në një organizatë kirminale. Unë ju propozoj të mblidhni krerët e grupeve dhe të vendosni shtyrjen e kësaj seance deri në rikthimin e arkitektit të sistemit të krimit të organizuar në Shqipëri, Edi Rama”, tha z. Berisha.

Në përgjigje të tij, deputeti socialist Taulant Balla tha se rendi i ditës u miratua me konsensus të plotë në Konferencën e Kryetarëve dhe me miratimin edhe të kreut të grupit parlamentar demokrat. Por ish kryeministri Berisha iu përgjigj se kreu i grupit nuk ka qënë në dijeni të faktit se nuk do të ishte i pranishëm kryeministri Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button