Home / Opinion / Më keq se Hitleri

Më keq se Hitleri

Andrea Stefani

Andrea Stefani

Një nga pakënaqësitë më të përhapura të elektoratit të majtë me qeverinë dhe kryeministrin e saj Rama, ka të bëjë me faktin që, në këto dy vjet, ajo nuk ka spastruar me fshesë të hekurt nga administrata publike “njerëzit e PD” për të vendosur në vend të tyre “njerëzit e PS”. Këtij presioni të elektoratit militant, para të cilit janë përulur të gjithë kryeministrat e derisotëm të tranzicionit, Rama ju përgjigj edhe para disa ditësh, duke ritheksuar se kërkesat për punësim do të tentohen të kënaqen nëpërmjet sektorit privat dhe jo administratës publike. Një përgjigje vërtet zhgënjyese për jo pak militant të majtë të papunë prej vitesh por, për hir të vërtetës, e vetmja në përputhje me synimin për krijimin e një shteti modern në Shqipëri.


Vendimi i Ramës për të mos keqpërdorur administratën publike për të kënaqur nevojat e militantëve nuk gëzon popullaritet në Shqipëri ndaj, si çdo akt jo populist, është i mbarsur me kosto politike për atë dhe qeverinë e tij. Por ama jo për shtetin! Sepse pikërisht këtu, kemi një rast të zbatimit të motos “sakrifikojmë pushtet për të bërë shtet” që lideri historik i të majtës Fatos Nano e emetoi por nuk e zbatoi.


Po të marrësh në sy rëndësinë që ka për një shtet modern demokratik-liberal krijimi i një burokracie të paanshme dhe të aftë, kupton dëmin e madh që liderët historikë dhe qeveritë e tyre i kanë shkaktuar shtetit shqiptar me qëndrimet e tyre populiste. Në fakt, pakënaqësia ndaj Ramës sot, është shprehje e asaj përvoje mizerabël, këmbëngulëse në këto 20 e kusur vjet, për përzënien nga partia që fiton zgjedhjet, të nëpunësve publikë të emëruar nga partia e mëparshme në qeveri dhe zëvendësimin e tyre me militantë. Ky klientelizëm, që është përtërirë pas çdo ndërrim pushteti, ka vepruar si një reaksion zinxhir bërthamor në shtet duke rrënuar burokracinë e tij. Ilustruar mitologjikisht, kemi parë të rimishërohet legjenda e Rozafës kur murin e shtetit që ngrinte një parti apo qeveri, e shkatërronte partia apo qeveria tjetër. Pra, shkatërronin shtetin! Dhe pikërisht tek ky rrënim e ka burimin edhe një nga dobësitë më të mëdha të shtetit shqiptar, një nga shkaqet që ai vazhdon të jetë e dobët, dhe ndër më të varfrit në skakierën e kombeve si këtu e 100 e ca vjet që nga dita e krijimit të tij. Dhe pastaj ankohemi se përse kombet e tjera i kanë nëpërkëmbur shqiptarët duke ja rrëmbyer edhe gjysmën e trojeve. Sepse nuk kanë pasur shtet, ja sepse! Dhe që të kesh shtet duhet të kesh burokraci.


Por që të kuptohet kaq gjë, lipset të kuptohet rëndësia që ka burokracia për shtetin. Gjë e vështirë kjo, në një mjedis social ku triumfon ende lidhja familjare, fisnore apo partiake ku, jo vetëm shteti vazhdon të shihet nga jo pak njerëz si “armik” apo i huaj për interesat e tyre, por edhe burokracia apo burokratizmi (edhe si reminishencë e ish-propagandës komuniste) si një e keqe që duhet luftuar. Por përvoja ka treguar se pa një administratë burokratësh të aftë dhe të paanshme, shteti nuk mund të kryejë si duhet as funksionet minimale bazë si për shembull, sigurimin e të mirave publike (ajri dhe uji i pastër), mbrojtjen e rendit, rregullin dhe ligjin, të drejtën e pronës apo menaxhimin makroekonomik, shërbimin shëndetësor apo mbrojtjen e të varfërve. Për të mos folur për ato që quhen funksione të nivelit të mesëm, që kanë të bëjnë me, për shembull, mjedisin, edukimin, monopolet, sigurimet shoqërore apo funksionet aktive, që kanë të bëjnë me politika industriale dhe ato të rishpërndarjes. Dhe duke pranuar se shteti shqiptar ka problem të mëdha, deri edhe me pastërtinë e ajrit apo furnizimin me ujë në qytete e fshatra, duhet të kuptojmë se këto mangësi dhe të tjera, e kanë rrënjën edhe te mungesa e një administrate publike, të aftë dhe të dedikuar ndaj të mirës publike.


Nënvizojmë se bëjmë fjalë për një çështje shtetndërtuese që shumë vende e kanë zgjidhur shekuj më parë. Duke lënë mënjanë Kinën, që ka nisur t’i pranojë nëpunësit publikë me konkurs e meritë duke krijuar një shtet jo-patrimonial, nja 18 shekuj para se një dukuri e tillë të shfaqej në Europë, është me vlerë të fokusohemi tek përvoja e Gjermanisë (Prusisë) që, ndryshe nga shtete thuajse të dështuara si Greqia apo edhe Italia, ka sot burokracinë më profesionale në kontinent. Sikundër tregon Francis Fukujama në një nga librat e tij të fundit, kalimi nga një burokraci familjare, e miqve dhe e shokëve, në një burokraci moderne bazuar kryesisht në meritën, ka ndodhur në Prusi në periudhën mes vitit 1640 deri në fillim të shekullit të XIX. Në fund të kësaj periudhe, duke zbatuar moton “parime demokratike në një qeveri monarkike” shohim që diktatura personale e perandorëve të Prusisë, të transformohet në një “autokraci liberale” (Rechtsstaat) që do të thotë se perandorit, i duhej të sundonte me anë të një burokracie shumë të institucionalizuar që presupozonte edhe një sistem mjaft të zhvilluar ligjor. Prej këtej e ka burimin edhe fabula e mullixhiut Myler të cilit, Perandori tentoi t’ia prishte mullirin e vjetër, nga që donte të ndërtonte aty një pallat, por nuk ja arriti sepse mullixhiu e kërcënoi se do ta hidhte në gjyq! Pra, në një kohë kur demokracia nuk ishte shfaqur ende në Prusi (ajo do të vendosej në Gjermani vetëm në Republikën e Vajmarit pas Luftës së I Botërore), kufizuese e pushtetit apo arbitrariteti perandorak, ishte burokracia e paanshme dhe profesionale publike.


Përfitimet që kanë patur nga një burokraci kufizuese e pushteteve politike, i kanë bërë gjermanët ta ruajnë me fanatizëm autonominë e burokracisë (administratës publike). Madje, edhe nga vetë demokracia pasi ajo nisi të shfaqej e zhvillohej. Ndërsa burokratë mund të uleshin në Parlament, ky i fundit, nuk kishte asnjë pushtet në emërimin e nëpunësve. Kjo edhe pse, përveç mbështetjes së gjerë publike, u krijua edhe një koalicion, i quajtur “absolutist”, i partive konservatore dhe atyre të klasave të larta e të mesme që, sikundër shpjegon Fukujama duke cituar Martin Shefterin: “..mbështeste autonominë e burokracisë dhe e mbronte nga tentativat e partive të reja politike për të vendosur pasuesit e tyre në poste me ndikim”. Rrjedhimisht, edhe gjatë republikës së Vajmarit, socialistët, demokratët apo centristët, ngurronin të vendosnin njerëzit e tyre në aparatin burokratin nga që i trembeshin një reaksioni, jo vetëm politik por edhe publik, kundër republikës.


Aq e fortë ishte kjo traditë sa, është e çuditshme të mësosh, që madje edhe nazistët, kur erdhën në pushtet në vitin 1933, ndonëse ja nënshtruan ushtrinë vullnetit të tyre, lanë të paprekur një pjesë të mirë të burokracisë! Ndryshe nga bolshevikët në Bashkimin Sovjetik apo maoistët në Kinë, nazistët, me disa përjashtime të vogla, u përpoqën të shfrytëzojnë kapacitetet e burokracisë ekzistuese. Pas rënies së Hitlerit, pati një përpjekje të autoriteteve anglo-amerikane, në emër të denazifikimit, për të spastruar administratën publike. Por pas një ligji të miratuar në vitin 1951, nga 53 mijë nëpunës të shërbimit civil të spastruar fillimisht, vetëm rreth një mijë mbetën të përjashtuar përgjithmonë nga shërbimi. Dhe kjo ishte rrjedhojë, jo e ndonjë tolerance ndaj të kaluarës, por e nevojës për një burokraci të aftë e cila, është traditë dhe nuk mund të krijohet në ca pak vite.


Kështu pavarësisht situatave politike, madje pavarësisht trashëgimit të stafetës së shtetit nga regjime antagoniste, tradita e një burokracie me cilësi të lartë dhe autonome ka mbetur e paprekur. Dhe pikërisht ky, është një ndër faktorët kryesore të suksesit të Gjermanisë së sotme. Tek ekzistenca ose jo e një burokracie profesionale të shtetit, duhet parë edhe arsyeja pse Gjermania e përballoi me aq sukses krizën e fundit financiare ndërsa Greqia apo Italia, llocën aq pa shpresë në të. Burokracia është për një shtet si motori për një makinë.


Përvoja gjermane që nuk ngjason fare jo vetëm me atë që zbatuan komunistët e Enver Hoxhës pasi morën pushtetin, por as edhe me atë që zbatuan “demokratët” e Sali Berishës sapo erdhën në pushtet. Madje këta të fundit, u treguan më të ashpër se komunistët (këta të fundit i bënë spastrimet andej nga viti 1966 pasi menduan se kishin edukuar burokracinë e tyre) ndaj administratës që trashëguan. U treguan pra, edhe më agresivë edhe se Hitleri ndaj burokracisë. Pa asnjë sens për shtetin dhe shtet -ndërtimin, i kamufluar me “antikomunizëm” por me etjen primitive për të përdorur administratën publike si plaçkë për të darovitur familjarë, miq, shokë e militantë, me një populizëm të skajshëm dhe të verbër, Sali Berisha udhëhoqi një operacion spastrimi të burokracisë që hodhi edhe themelet e traditës antishtet që ripërtërihet sa herë ndërrohen pushtetet, por që refuzohet me kosto politike nga qeveria e sotme. Dhe ky quhet lider historik!


Sipas ankesave të opozitës së asaj kohe, rreth 250 mijë persona u flakën nga puna dhe sipas Helsinki Watch “…zëvendësimi i këtyre nëpunësve është kryer mbi bazë kriteresh personale dhe politike…vendi i tyre në më të shpeshtën e herëve iu dha përkrahësve të Partisë Demokratike ose të afërmve të tyre”. Por ndërsa ai spastrim i hershëm mund të racionalizohet me dekomunistizimin, ç’mund të thuash për ato që janë bërë në vazhdim, nga qeveritë “demokrate” e socialiste, duke e shndërruar administratën publike në një prostitutë që e përdorin të gjithë kalimtarët e pushteteve të radhës? Kalimtarë përdhunues të shtetit që edhe kur miratojnë një ligj për administratën, si ky i fundit, e bëjnë që të mbrojnë “me ligj”, pikërisht plojën që kanë bërë në radhët e burokracisë duke e mbushur me militantë të paaftë. Dhe shqiptarët do vazhdojnë të ankohen se “nuk ka shtet”, që në fakt e shkatërrojnë pa pra si një Rozafë me duart e tyre, do vazhdojnë të kenë një shtet të dobët dhe institucione jo funksionuese, komb të nëpërkëmbur, sa kohë nuk do të gjejnë rrugët për të ngjizur një burokraci të aftë, të paanshme dhe të paprekshme. Një burokraci të shtetit dhe jo të partive dhe qeverive. Si bëhet kjo? Mësoni nga Prusia pra, nga Gjermania!

One comment

  1. A mund te me mdihmohe kush,cfar duhet te perdor qe te mos (me falni per fjalen) vjell.

Leave a Reply

%d bloggers like this: