Ekonomia

Autobusët, si do të punojnë linjat nga bashkitë deri në fshatra

Nga Zamir Alushi

Transporti rrugor i udhëtarëve do t’i nënshtrohet një ndryshimi total, që do të sanksionohet me 20 nene të reja që shtohen në ligjin ekzistues. Ministri i Transportit brenda 6 muajve do të miratojë rrjetin e ri të linjave ndërqytetëse. Ndërkohë, licencat për transportin ndërqytetës, të lëshuara nga bashkitë, dhe licencat e transportit rrethqytetës, të lëshuara nga bashkitë ose komunat, para miratimit të këtij drafti, janë të vlefshme deri 6 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit. Ministria propozon me këtë projektligj riorganizimin e tregut të transportit të udhëtarëve me autobusë në linja të rregullta brenda vendit, si dhe përafrimin e legjislacionit të vendit me atë të BE-së. Për herë të parë, parashikohen dispozita për stacionin e autobusëve të udhëtarëve, sistemin e biletimit dhe Regjistrin Kombëtar të Transportit Rrugor.

Qeveria merr linjat

Me këtë projektligj, ministria merr në dorë licencimin e autobusëve të linjave mes qyteteve, ndërkohë që u lë dorë të lirë njësive vendore që të vendosin çmimet e biletave të urbanëve. “Transporti ndërqytetës i udhëtarëve me autobus, si transport i rregullt, kryhet në linjat kryesore dhe linjat ushqyese, të parashikuara në rrjetin e linjave të miratuara nga ministri”, përcaktohet në draftin e hartuar nga Ministria e Transporteve. Rrjeti i linjave ndërqytetëse (kryesore dhe ushqyese), stacionet e qëndrimit dhe numri i orareve për secilën linjë miratohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për transportin çdo tre vjet. Linjat kryesore shërbejnë për të plotësuar nevojat e lëvizjes së popullsisë që lidhin bashkitë e qarqeve të ndryshme ( jo brenda një qarku). Transporti në linjat kryesore kryhet pa ndalime ose me ndalime në stacionet e përcaktuara gjatë itinerarit të linjës, përkufizohet në draft. Ndërsa linjat ushqyese lidhin dy bashki brenda një qarku me qëndrime në stacionet e përcaktuara gjatë itinerarit të linjës. Transporti ndërqytetës kryhet nga persona juridikë, të organizuar në shoqëri transporti e të pajisur me licencë. Ndërkaq, autobusët, që përdoren në shërbimet e rregullta të transportit të udhëtarëve, duhet të jenë të pajisur me pajisje regjistrimi (tahograf).

Bashkitë

Bashkive u është lënë në dorë transporti rrethqytetës. Pas propozimeve të Bashkisë së Tiranës, janë propozuar shtesa dhe ndryshime në projektligj që i japin disa të drejta të reja bashkive. Në nenin 5 të projektligjit është bërë një shtesë lidhur me tarifat e biletave për linjat rrethqytetëse. Konkretisht është parashikuar që tarifat e udhëtarëve në këto linja urbane të mos vendosen më nga Këshilli i Ministrave, por nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendore. Për linjat rrethqytetëse, ku përfshihen dy ose më shumë njësi administrative përbërëse ose fshatrave të bashkive të ndryshme, tarifat do të vendosen me marrëveshje ndërmjet dy njësive të qeverisjes vendore. Në nenin 6 të projektligjit është formuluar një përjashtim lidhur me linjat qytetase, vetëm për Tiranën, e cila është edhe njësia më e madhe administrative dhe në kufi me të ndodhen disa njësi administrative përbërëse që janë zona shumë të zhvilluara urbane dhe industriale. Me vendim të këshillit bashkiak, Tirana mund të shtrijë rrjetin e linjave qytetase deri në këto njësi. Transporti i udhëtarëve në linja rrethqytetëse është shërbim i rregullt, i cili plotëson nevojat e lëvizjes së popullsisë ndërmjet: a) njësive administrative përbërëse dhe bashkisë së cilës i përkasin; b) njësive administrative përbërëse të së njëjtës bashki; c) fshatrave me njëri-tjetrin ose fshatrave me bashkinë, së cilës i përkasin; ç) fshatrave dhe njësive administrative përbërëse, të bashkive të ndryshme, por që ndodhen në kufi me njëra-tjetrën. Rrjeti i linjave rrethqytetëse, stacionet e qëndrimit dhe numri i orareve, miratohen nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendore, ndërsa për linjat mes fshatrave të qarqeve të ndryshme aprovohen nga këshilli i qarkut. Drafti shfuqizon nenin 17 të ligjit ekzistues që lejon përdorimin e furgonave 8 pus 1 për transportin e udhëtarëve krahas autobusëve në linjat rrethqytetëse.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button