Bota

Mbrojtje antiajrore në Siri; sistemet anti-raketë vendosen 30 km larg kufirit me Turqinë

Rusia po forcon mbrojtjen e asaj antiajrore në Siri me afrimin e kryqezorit Moskva në brigjet e Latakaiasë dhe dërgimin e raketave të reja në bazën e saj kryesore ushtarake në këtë vend.

Sistemi ajror me rreze të gjatë veprimi i Moskvas do të jetë mbështetje e madhe për bombarduesit rusë, ashtu si dhe raketat S-400 të dërguara të enjten në Hmeimim, vetëm 50 km larg kufirit me Turqinë. Baza në fjalë përdoret rregullisht nga avionët rusë që prej 30 shtatorit për sulmet e tyre ajrore kundër rebelëve që luftojnë regjimin e Bashar Al-Assadit.

Turqia, anëtare e NATO-s dhe pjesë koalicionit anti-ISIS të drejtuar nga Amerika, këmbëngul në largimin e Assadit nga skena politike siriane përpara gjetjes së një zgjidhjeje të mundshme politike të konfliktit 4-vjeçar.

Përplasjet mes dy vendeve që prej rrëzimit të avionit rus të martën, vazhdojnë me luftën e deklaratave e paralajmërimeve, më i fundit është ai i Erdogan që këshilloi Moskën “të mos luajë me zjarrin” me operacionet që po zhvillon në Siri.

“Rusia t’i mbështesë me prova akuzat e saj, ashtu siç bëri Turqia me regjistrimet audio apo pamjet e radarit”, tha presidenti turk. Replika erdhi nga Ministria ruse e Mbrojtjes përmes pohimeve të kreut te aeronautikes, Viktor Bondarev, se dy F16-tat turq që rrëzuan Su-24-tën e Moskës kanë qenë duke fluturuar mbi zonë për një orë e 15 minuta në lartësinë e 2.400 metrave, çka tregon sipas tij, se goditja e turqëve ishte e paramenduar, me pak fjalë, një pritë e vërtetë.

Bondarev madje këmbëngul se njëri prej avionëve turq ka hyrë në territorin sirian me dy kilometra çka zgjati rreth 40 sekonda, ndërsa Sukhoi vazhdon ai, ka vazhduar të qëndrojë larg kufirit me 5 deri në 7 kilometra.

Moska pretendon se të gjitha këto lëvizje mund të konfirmohen nga radaret në toke dhe nga avioni i dytë rus i ngritur në ajër bashkë me mjetin e goditur nga turqit.

Edhe pse Erdogani u shpreh i hapur për një takim ballë për ballë me Putinin, reagimi i këtij të fundit ishte i ftohtë. “Turqia më parë duhet të kërkojë ndjesë”, tha shefi i Kremlinit.

Të premten, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov njoftoi anulimin e udhëtimeve pa viza me argumentin se qeveria e Turqisë i kishte “kaluar caqet e asaj qe mund të konsiderohet e pranueshme”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button