Home / Arte / Teater / “Spiuni i Ballkanit”, këtë fundjavë në skenën e Teatrit Kombëtar

“Spiuni i Ballkanit”, këtë fundjavë në skenën e Teatrit Kombëtar

Vepra e dramaturgut Dushan Kovaçeviç vjen nën regjinë e Spiro Dunit 

“Spiuni i Ballkanit”, komedia e shkruar nga Dushan Kovaçeviç, do vazhdojë të ngjitet dhe këtë fundjavë në skenën e Teatrit Kombëtar nën regjinë e Spiro Dunit. Një histori ballkanike, ku nuk mungon ankthi dhe e papritura, shkruar nga një autor që ka aftësinë ta fusë publikun brenda në vepër gjatë shfaqjes, vjen nën interpretimin e një kaste të zgjedhur aktorësh si Ndriçim Xhepa, Albano Prodani, Maya Aliçkaj, Besmir Bitraku dhe Alesia Xhemalaj. Skenograf dhe kostumograf në këtë vepër është Fatbardh Marku, kompozitor Klement Marku dhe as.regjisor Pëllumb Dervishi dhe Genti Deçka. Kovaçeviç ka dashur të japë përmes një komedie atë çfarë mbizotëron në shumë vende ballkanike, frikën. Një frikë që vjen nga e kaluara e mbushur me tensione dhe situata të mbetura ende peng jo vetëm mes vendeve, por edhe njerëzve. Me gjuhën e komedisë, Kovaçeviç, kërkon të tregojë këtë dramë të madhe për ballkanasit, që vazhdojnë të jetojnë me ankthin e asaj që do të ndodhë. Në qendër të veprës është historia e një njeriu Ilias i frustruar nga e kaluara e tij, i cili është kthyer gati në një paranojak ndaj çdo informacioni qoftë të thjeshtë që i kërkohet. Drama e personazhit te “Spiuni i Ballkanit” është ndër më tipiket për terrenin ballkanas dhe personazhe të tillë gjenden me mijëra, çlirimi prej së shkuarës do të vijë vetëm atë ditë kur ta lënë këtë botë. Për ta dhënë këtë, Dushan Kovaçeviçit i është dashur të ndërtojë një dramë familjare, plot humor dhe batuta, mjeshtërisht dhe me pak personazhe, duke e rritur shkallën e tensionit deri në kufijtë ku përfshirja e lexuesit në shtjellën e ankthit është e pashmangshme. Kovaçeviçi merret me fatin e personazheve, njerëz të alarmuar që e bartin me vete të shkuarën e tyre. Në mos të shkuarën, frikën e rikthimit apo hijen që ajo u lëshon ende, edhe pse jetojnë në një tjetër kohë. Personazhet e këtyre veprave të tij, sikurse dhe në këtë vepër konkretisht janë njerëz dyshimtarë, shpeshherë halucinantë. Njerëz të cilët dukshëm liria nuk i ka çliruar nga persekutimi i dikurshëm. Ka mes tyre nga ata që e kanë nostalgji perverse ende zellin të vazhdojnë si për inerci ndikimin e asaj kohe, siç ka mes tyre dhe nga ata që duke harruar këtë plagë të atyre që i rrethojnë, i kapërcejnë me shkujdesje situatat, që më vonë do të kthehen në Bumerang. Dushan Kovaçeviç është dramaturgu më i njohur serb dhe një nga më të rëndësishmit ndërmjet autorëve të këtij zhanri në Ballkan. Veç suksesit në dramaturgji, ai njihet edhe si autor i skenarëve të disa filmave, në mes tyre edhe i filmit “Underground”, i Emir Kusturicës, fitues i “Palmës së Artë” në Festivalin e Kanës në vitin 1995. Filmi është ndërtuar në një version të ri të një drame të publikuar herët prej autorit me titull “Pranverë në janar”. Në vitin 1989, drama e tij “Spiuni i Ballkanit” u ndalua të shfaqej nga autoritetet kineze, edhe pse për të ishin bërë prova për një kohë të gjatë, për shkak të ngjarjeve që ndodhën në sheshin “Tienanmen” në Pekin. Autori rendit në listën e tij të punëve një numër të madh dramash, të botuara në rreth njëzet gjuhë të botës, ndër më të njohurat “Doktor Shuster” (2001), “Profesionisti” (1990) dhe “Spiuni i Ballkanit” (1982), që po i jepen sot lexuesit shqiptar. Veprat e tij më të fundit janë dramat “Jeta në këpucë të ngushta” (2011) dhe “Kumbarët” (2013). Dushan Kovaçeviç është një monarkist i deklaruar, dhe si i tillë mban funksionin e anëtarit të Këshillit të Kurorës së Princit Aleksandër Karagjeorgjeviç, i fundmi i dinastisë së Karagjeorgjeviçëve, i cili, si shumë mbretër ballkanas, pas Luftës së Dytë Botërore një pjesë të jetës e kaloi në ekzil. Qysh prej vitit 1998, Dushan Kovaçeviç ka qenë drejtor artistik i teatrit “Zvezdara”, dhe qysh nga viti 2003, kohë kur drejtoi filmin e tij të parë të bazuar në dramën e tij “Profesionisti”, një sërë filmash të njohur serbë mbajnë vulën e tij. Ai është anëtar i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve. Dushan Kovaçeviç shquhet në veprën e tij për një humor të hollë dhe ironinë, për zgjidhje të befta dhe suspansën e rrëfimit. Në veprat e tij nuk ka tepri dhe loja e nënteksit, siç ndodh gjithësisht me letërsinë e madhe, është dominuese. Por mbi të gjitha veprën e tij e përshkon fryma ballkanike. Ai e njeh fare mirë terrenin nga ka buruar vepra dhe po aq mirë publikun të cilit do t’i orientohet vepra. Nuk ndodh aq shpesh në Ballkan që një autor ta njohë mentalitetin ballkanas dhe ta shpërfaqë atë në veprat e tij pa rënë në provincializëm dhe humor folklorik, si Dushan Kovaçeviç. Pos të tjerash ai shquhet për zgjidhjet e befta dramaturgjike, shpesh krejt të ndryshme nga perceptimi i lexuesit dhe i auditorit, aq sa gjetjet në lojën e tij mund të cilësohen padyshim ato të një mjeshtri të madh. Në këtë përmbledhje përfshihen tri nga dramat e tij më të rëndësishme: “Doktor Shuster”, “Spiuni i Ballkanit” dhe “Profesionisti”. Në të gjitha këto vepra lexuesi shqiptar gjen padyshim shumë elemente të jetës shqiptare, e lidhur me fatin e një pjese të vendeve të Ballkanit pas Luftës së Dytë Botërore. Situata absurde aq të njohura për shqiptarët e viteve të diktaturës, sa ç’i japin freski, natyrshmëri e sarkazëm teatrit të sotëm skenik, po aq e risjellin lexuesin dhe shikuesin në mesin e atij teatri të dikurshëm të dhimbshëm, ku iu është dashur të aktrojnë për t’i mbijetuar kohës.

Leave a Reply

%d bloggers like this: