Kosova

Dështon seanca e Kuvendit; VV: Do bllokojmë edhe sallën alternative

Ka dështuar seanca e parashikuar e Kuvendit të Kosovës, pasi opozita ka hedhur sërish gaz lotësjellës, duke e bërë të pamundur qëndrimin në sallë.

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka deklaruar se, nuk mund të ketë një zhvillim normal të jetës parlamentare pas arrestimit të Albin Kurtit ditën e shtunë.

”Ky pushtet po tenton ta shtypë opozitën me dhunë. Këta kanë marrë masa policore shtesë në Kuvend. Ne nuk do ta lejojmë mbajtjen e seancave të Kuvendit. Arrestimi i Albin Kurtit ishte fundi i demokracisë”, ka thënë Konjufca.

Ndërsa kryetari i VV, Visar Ymeri ka deklaruar pas ndërprerjes se do të bllokojnë edhe seancën në sallën alternative.

Ndërkohë, kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj ka deklaruar se, sot Kosova po përballet me regjimin represiv të qeverisë së saj.

“Qeveria u tremb nga protesta e së shtunës. Sot në Kosovë kemi një regjim që burgos opozitën për shkak të qëndrimit ndryshe. Kjo është logjika e një shteti represiv”, ka deklaruar Limaj.

Më herët, në hyrje të selisë së Kuvendit u ndalua deputeti i Vetëvendosjes, Fisnik Ismajli, pasi gjatë kontrollit atij iu gjet në zotërim një mjet i dyshimtë.

Situata e rënduar ka detyruar kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli të mbledhë sërish kryesinë, për të vendosur se çfarë do të bëhet më tej. Mësohet se në këtë mbledhje është lejuar prania e deputetes së Vetëvendosjes, Aida Dërguti.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button