Opinion

Selitë “ambulante” të institucioneve shkencore

Aleksander-Cipa-320x219Ka disa muaj që nën zë dhe me një nervozizëm të jashtëzakonshëm gjithë studiuesit dhe trupa albanologjike dhe ajo e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, komenton përçmueshëm urdhrat dhe transferimet nga njëra godinë në tjetrën dhe nga disa zyra primitive në disa të tjera që sapo rregullohen, gati privatisht nga profesorët dhe akademikët. Një realitet i turpshëm dhe po kaq turpësisht i papasqyruar nga mediat tona. Për ta lënë opinionin tim pas shprehjes së faktit, po e nis me përshkrimin e disa fakteve:

Institutet shkencore pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike gjatë dy vjetëve të fundit janë transferuar gati tri herë. Nga ish-godinat e Institutit të Gjuhësisë dhe ai i Historisë tek Akademia e Shkencave dhe në mjediset shtesë të Qendrës Albanologjike dhe së fundi edhe tek ish-palestra e Universitetit të Tiranës. Një “odise” lëvizjesh, transferimesh dhe spostimesh të përkohshme që ta krijon të plotë mendimin për disa institucione me seli ambulante… institucione të lëvizshme dhe të ikshme nëpër godina të kryeqytetit… si muhaxhirë… Pak ditë më parë, në mjediset ku aktualisht është Qendra e Studimeve Albanologjike, u investua “pak shtetërisht” nga fondi i institucionit dhe prej vetë akademikëve e profesorëve që punojnë këtu, në mjedisin e ish-palestrës së Universitetit të Tiranës. Një mjedis plotësisht i papërshtatshëm për t’u konvertuar në zyra studimi dhe pune kërkimore-shkencore. Por nevoja për të qenë dhe për të pasur, së paku një mjedis modest, triumfoi mbi kriteret dhe kushtet që një institucion i rëndësisë së veçantë publike, në një shtet serioz duhet të ofrojë për studiuesit, shkencëtarët dhe akademikët e vet. Mirëpo, ky i fundit, pra shteti, e ka zhbërë mundësinë për të qenë ndonjëherë i tillë me këtë kategori dhe shtresë të shoqërisë. Kubatura e ish-palestrës u përdor për katëzimin e saj, duke u ndarë në zyra të ngjashme me dhoma murgjish në objekte të vogla kultesh në periferi apo zgëqe. Por sërish edhe kjo përpjekje nuk e mbyll “odisenë” e kërkimit të zyrave të përhershme për studiuesit dhe stafin shkencor të QSA-së. Një urdhër tjetër, madje pa kaluar ndonjë seancë mendimmarrjeje, i njofton mundimtarët e “selive ambulante” të përgatiten për spostim tjetër. Aty do të vendoset Ministria e Integrimit! Madje në një vizitë inkonjito, disa zonjusha të “integrimit”, mbetën të zhgënjyera nga ky mjedis asfiksues i përgatitur me aq mund nga profesorët e QSA-së.

Është një fat i vjetër që ripërsëritet prej urdhrit të ri. Sikundër ngjau me ish-selinë e Radio Tiranës së kohës së mbretërisë në Rrugën e Kavajës, ku gjendej Instituti i Kulturës Popullore, institucion i cili u degdis me lehtësinë më të madhe, pavarësisht se transferimi i pasurisë së tij arkivore dhe fonoteka ka të bëjë me disa kritere dhe kushte tejet specifike. Ajo godinë historike e rrëfyer me aq pasion nga themelonjësit e medias së parë publike shqiptare që në hershmëri, do të ishte më mirë të kishte fatin e shndërrimit të një godine memorialistike me vlerën e të qenët një muze për mediat shqiptare së bashku edhe me Institutin e Kulturës Popullore. Por triumfoi procesi i privatizimit apo kthimit te pronarët, edhe pse godina dihet se u ndërtua prej qeverisë së Ahmet Zogut!

Por kjo praktikë e përdorimit ambulant të selive dhe mjediseve të institucioneve të kërkimit shkencor në vend është karakteristike jo vetëm për këtë periudhë tranzicioni.

Në këtë shtet të pabërë, prova më e shumëpërsëritur e sjelljes dhe administrimit barbar lidhet pikërisht me këtë përzënie që u bëhet selive dhe stafeve të akademikëve, studiuesve, hulumtuesve, profesorëve, arkivave dhe fondamentit memorialistik shtetëror, historik dhe kulturoro-shkencor të vendit.

Pse? Pse ripërsëritet diçka e tillë pafundësisht? A është çasti që në kuadër të reformës për arsimin e lartë, ku përfshihen edhe disa pika dhe nene për institucionet e kërkimit shkencor të fiksohet me ligj edhe procedura e inventarizimit dhe hipotekimit të selive të institucioneve që bota i ka të dhëna një herë e përgjithmonë?! Madje përfshirja e nevojës për një vendimmarrje shumëpërfaqësuesish për transferimin e tyre nga njëra godinë në tjetrën, me qëllim që mos të mjaftojë një vendim pretorian, që institucioni të vihet nën regjimin e mbushjes së arkave dhe kutive ordinere për t’u transferuar.

Profesorët e QSA-së, nën zë i pohojnë gjithkujt se dy zotërinj me sqimë dhe të njohur për avokatinë publike të kauzave dhe vlerave të trashëgimisë kulturore kombëtare, miqtë e mi, Artan Shkreli dhe Artan Lame, kanë qenë ata që kanë paralajmëruar për përzënien e tyre nga selia aktuale e QSA-së. Ndoshta sqarimi i tyre pas kësaj mund të jetë ndryshe dhe shpresoj të dëftojnë arsyet bindëse për ritransferim të zyrave të këtij institucioni!

Por, gjithsesi, praktikat e shpeshta të lëvizjeve të institucioneve, selive ministrore, instituteve apo edhe administratës publike në përgjithësi, janë historia dhe brendia më goditëse për seriozitetin dhe qëndrueshmërinë e një shteti institucional shqiptar. Diçka e tillë, përfaqësuesve që janë pjesë dhe të lidhur natyralisht me mendimtarinë dhe kulturën, ua vështirëson arsyetimin. Ata e kanë pas kësaj të vështirë të bindin publikun, aq më tepër edhe vetë shtresën prej së cilës janë dhe vijnë, por që e lënë në statusin e së prekurës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button