Qeveritare

Rama: Shteti në shërbim të çdo fermeri, projekte për rritjen e mirëqenies

rama15Kryeministri Edi Rama, bashkë me Ministrin e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, u ndalën në komunën Poshnje të Beratit ku u takuan me fermerë të kësaj zone, të cilëve iu shpërndanë kontratat e përfitimit nga skemat e mbështetjes në bujqësi. “Ne do ta kthejmë shtetin në shërbim të çdo fermeri dhe grupi fermerësh që me kurajo, me ide të reja dhe me projekte të duhura garantojnë rritje të mirëqenies”, u shpreh Rama gjatë takimit me ta. Në vijim ai tha se ajo që është me rëndësi themelore është që qeveria të mos qëndrojë më në pozicionin pasiv, duke e thërrmuar fondin e mbështetjes për bujqësinë, për të garantuar thjesht një lëmoshë mbijetese, por të jetë një pozicion aktiv dhe në bashkëpunim me fermerët të investojë në projekte që sigurojnë rritje të punësimit, që sigurojnë rritje të prodhimit dhe që sigurojnë rritje të eksporteve. Kryeministri deklaroi se në këtë mënyrë, nga njëra anë shmanget një herë e përgjithmonë korrupsioni që i karakterizoi skemat e subvencionimit të naftës dhe nga ana tjetër të bëhet e mundur që çdo pikë naftë, për të cilën qeveria financon fermerin, të shkojë tek prodhimi dhe jo në kanalet e korrupsionit. Në këtë linjë shtoi se, “Ne nuk mbështesim më mbijetesën, ne nuk shpërndajmë më lëmosha, ne nuk e çojmë më asnjë qindarkë të buxhetit të shtetit në drejtim të paditur, apo thjesht për të larë gojën me njerëzit që janë në fshat. Çdo qindarkë do të shkojë në drejtimin e duhur për të gjithë ata që në fshat, përmes punës krijojnë vende të reja pune, krijojnë rritje të prodhimit dhe zinxhir vlerash, që përfundon me rritje të eksportit, përveçse me përmbushje të nevojave të tregut të brendshëm. Sot, duke qenë një vend kandidat kemi mundësi të përfitojmë më shumë fonde nga BE. Por për këtë ama duhet të jemi të vetëdijshëm për një gjë, BE nuk fal asgjë. Prandaj së bashku ne duhet të përgatitemi. Së bashku ne duhet të arrijmë që fondet që mund të thithim nga BE, t’i thithim përmes projekteve të duhura”. Nga ana e tij Ministri i Bujqësisë garantoi për zgjerimin e mbështetjes ndaj fermerit, duke synuar uljen e kostos së prodhimit dhe rritjen e cilësisë së produkteve shqiptare. Ai lajmëroi edhe nisjen e dy projekteve të mëdha në bujqësi. Projekti i ullirit, prej disa milionë euro, në bashkëpunim me qeverinë italiane, të fokusuar, deklaroi ministri, jo tek mbjellja pa kriter, por tek cilësia dhe standardi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button