Libri

Mos dashuro kurrë një personazh!

Nga Alda Bardhyli

Camila Lopes nuk mund ta mendonte se një ditë do të mbetej në një libër. Kur djaloshi i veshur me një kostum të thjeshtë, i ulur ne barin ku ajo punonte kameriere i kërkoi një puro nga të Havanës dhe një gotë skoç, ajo thjesht pa sytë e tij. Kur ai e pyeti në e kishte lexuar tregimin që i dha disa ditë më parë, Kamila i tha se i pëlqenin  tregimet me kafshë. Ai i tha se në tregim nuk kishte asnjë kafshë dhe ajo nuk e kishte lexuar. Por, Kamila Lopez vajza meksikane me flokët e gjatë nuk e kishte lexuar për një arsye të thjeshtë, ajo ende nuk dinte të shkruante dhe të lexonte anglisht. Ajo ndodhej aty, në Los Anxhelos të gjente një burrë, që t’i jepte mbiemrin, jo të mbetej në një libër. Historia e saj është historia e qindra vajzave që emigrojnë çdo vit drejt vendeve me ekonomi më të mirë, për të ndryshuar. Ato nuk kërkojnë dashuri, por thjesht një mbiemër. Kamila është personazhi kryesor i librit “Pyet pluhurin” me autor John Fanten përkthyer në shqip nga Astrit Cani. Historia në këtë libër duket e thjeshtë. Një shkrimtar i ri, Antonio Bandini që bie në dashuri me një kameriere, Kamilën. Por përtej thjeshtësisë në dukje të këtij subjekti që na vjen nga shekulli XIX, kjo është historia e përballjes së shkrimtarit me personazhin e tij. Antonio Bandini nuk është thjesht personazhi i këtij libri, por dhe shkrimtari. Ai duhet të zgjedhë mes dashurisë me vajzën që çdo ditë e më tepër po futet në jetën e tij dhe shkrimit. “Nëse do të bëhesh shkrimtar duhet të kuptosh mirë diçka. Ti ose do të krijosh përvoja të mëdha të jashtëzakonshme duke i shkruar, ose duke i jetuar… nuk mund t’i kesh të dyja…”, këto fjali i orvateshin në mendje Bandinit, teksa priste që Kamila t’i shfaqej me atë buzëqeshjen e saj në atë bar në Los Anxhelos. Ai duhet të zgjidhte, në duhej të rendte drejt saj ose të mbyllej në dhomën e hotelit e të shkruante. Mund ta jetonte këtë histori përmes përfytyrimit, ose duke e marrë Kamilën përdore të veshur me këpucët e saj të bardha dhe të bënin dashuri deri vonë në plazhin që nuk ishte larg prej andej. Ai duhet të zgjidhte… Në këtë përballje personazhesh nuk ke si të mos trishtohesh për Kamilën. Ajo nuk e di se është thjesht një krijesë imagjinare e një shkrimtari, i cili ashtu siç e krijoi me të njëjtën lehtësi dhe mund ta ndalojë jetën e saj. Ajo do pa e ditur se është në një libër, pa e ditur kufirin mes realitetit dhe imagjinatës, teksa kapërcen mbrëmjeve dritaren për të mbërritur në dhomën e tij. Ajo është e jashtëzakonshme në mënyrën sesi dashuron dhe po aq e tillë në dinjitetin e saj. Ajo ishte prova e shkrimit për Antonio Bandinin, por ajo nuk u soll si një provë, ajo e sfidoi jo vetëm personazhin, por edhe shkrimtarin. Në galerinë e pafundme të personazheve që jetojnë në letërsinë botërore, unë zgjedh Kamila Lopez. Jo për fustanet e saj me rrudha, as për dashurinë për detin, por për kurajën për ta dashur jetën, dhe pse fati i saj ishte destinuar që kur Fante e krijoi. Ai e shfaqi Kamilën, për të vendosur para provës një shkrimtar të ri dhe për ta larguar nga jeta e tij kur libri të përfundonte. Vdekja e saj në fund të librit, është ndëshkimi që Fante i bëri Antonio Bandinit, pasi shkeli rregullin që s’duhet ta bëjë një shkrimtar, “të dashurojë personazhin e tij”. “Mos bjer asnjëherë në dashuri me personazhin”, kështu do t’i përgjigjej John Fante, pyetjes së Bukowski-t kohë më pas, se përse e kishte ndëshkuar kaq fort Arturo Bandinin te romani “Pyet pluhurin. Ky personazh do të na ndiqte John Fante-n gjatë gjithë jetës, si hija e një krijese që duhet ta kishte lënë në jetë. Ajo vazhdon të jetë sot si joshja më e bukur, drejt shkrimit, por dhe si frika që orvatet shpesh në trupin e një krijuesi, kur një personazh i zbret nga libri dhe i shfaqet në jetë… Kamila është gjithnjë aty, si një kujtesë për të mos harruar fatin që e pret…

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button