Home / Arte / Ekspozita / Të gjitha “mëkatet” e mollës, në telajo

Të gjitha “mëkatet” e mollës, në telajo

Gazmend Leka vjen sot me një ekspozitë në galerinë FAB

“Çfarë ndodh, kur një ditë prej ditësh ti e kupton se je më shumë se një histori, të cilën po ia rrëfen vetvetes?” Me këtë pyetje, Ardian Isufi nis tekstin kuratorial të ekspozitës “Molla” të artistit Gazmend Leka që do të hapet sot në galerinë FAB për të qëndruar deri më 20 dhjetor. I njohur si piktor që luan me simbolet, Gazmend Leka vjen më interesant në këtë hulumtim artistik. “Ndërsa pikturoja ciklin ‘Molla’, pa dyshim që në mendje më vinin të përziera e pa ndonjë rregull, historitë, mitet dhe legjendat e pafundme rreth saj. E perceptoja atë si një objekt-simbol, që e ka shoqëruar njeriun gjithë jetën, deri në ditët e sotme. Kurrë nuk kam ndeshur një frutë, që të jetë përgojuar më shumë sesa molla. Përgojuar, në të mirë e në të keq. Më shumë në të keq, aq sa edhe në mentalitetin e njeriut zuri vend padrejtësisht si ‘Fruta e mëkatit’ apo ‘Fruta e Evës dhe e Adamit’, frutë e cila bëri që njeriu të bjerë në mëkat e të dëbohet nga Parajsa”, shkruan ai shpjegimin që i bën ekspozitës. Por përtej simbolikave që ka kjo frutë, këto tablo janë dhe një përshkrim i gjendjeve njerëzore, të cilat personifikohen aq mirë në të gjitha përshkrimet që mund t’i bësh mollës. “Ndërsa pikturoja, e dija shumë mirë që në tekstin antik nuk gjendet qoftë edhe një rresht, ku të përmendet molla si shtysa e mëkatit fillestar”, thotë ai. Por artisti ka dashur të zhvillojë të gjitha përkthimet që mund të ketë kjo frutë në të gjitha kohërat, duke u dhënë jetë përmes tablove të realizuara. “Ndërkohë që njihja këtë ‘të vërtetë’, ishte e pakuptimtë për mua të vazhdoja të pikturoja mollën si arketip të së ligës dhe mëkatit. Gjithë njerëzimi, në të njëjtën mënyrë vepron. Në kundërshti me atë që mendojmë, ajo çka bëjmë, është më konservatore, sepse përsërisim kodet e vjetra, që tjetri të na kuptojë në nivelin e inkoshientit. Edhe pse çdo ditë dalin të vërteta, që mund të fusin në kolaps dijet tona e të bëjnë që të rishkruhet historia, ne vazhdojmë t’i lexojmë e t’i dëgjojmë thjesht si për kuriozitet. Vazhdojmë jetën tonë njësoj si më parë, pa u shqetësuar. Jemi shumë të qetë në mes të gënjeshtrës”, thotë Leka. Për kuratorin Isufi, “këtë cikël, Gazmend Leka interpreton mirëkuptimet dhe keqkuptimet mbi ‘frutën’ e bekuar apo të mallkuar, këputur nga Pema e Njohjes, nga Pema e së Mirës dhe e së Keqes. Ai e bën këtë jo vetëm për të hedhur sytë në të thellat e në të errëtat e historisë së mbarë njerëzimit, ku vezullojnë arketipat si konstelacione yjesh, por për të na nxitur edhe neve që të reflektojmë mbi ambiguitetin e simboleve në rrethana apo kohë të caktuara”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: