Ekspozita

Të kapësh mendimin

APNEA / Andi Nallbani sjell në një ekspozitë në galerinë “Zeta” krijimtarinë 15-vjeçare

Nuk ka një kohë takimi mes Andi Nallbanit dhe pikturës. Ngjyrat dhe tablotë ishin kudo nëpër shtëpi, që para se ai të vinte në jetë. Me grishjen që një fëmijë ka ndaj subjekteve, ai nisi lojërat e para me to në studion e të atit. Më pas, si një dimension natyral piktura u zhvillua brenda tij më shumë se një ëndërr. I rritur nën hijen e një figure të rëndësishme të arteve pamore në vend, siç është Hasan Nallbani (babai i tij), Andi do të merrte prej tij jo vetëm disiplinën, tepër të nevojshme në çdo formë arti, por dhe mënyrën e të dashurit të asaj çfarë bën. Sot ai është një piktor krejt ndryshe nga stili i të atit, por me të njëjtën forcë dhe seriozitet në trajtimin e punës. Pas gati 15 vitesh punë me pikturën, Andi vjen për herë të parë me një ekspozitë personale në galerinë “Zeta”. APNEA quhet ekspozita e realizuar me një cikël punësh të zgjedhura nga krijimtaria ndër vite, të cilat i lidh një qëndrim i veçantë i tij përballë pyetjeve ekzistenciale dhe ambientit ku jeton përditshmërinë e tij. Fokusi i kësaj ekspozite është fëmijëria, duke lundruar përmes subjekteve dhe ngjyrave në një kohë që duket kaq e sinqertë dhe e vërtetë për këdo. Një zgjedhje jo e rastësishme e një artisti, i cili kërkon të provokojë përmes këtyre subjekteve realitetin që kemi sot.

Fëmijëria, si dimension dhe raportet njerëzore, të para nëpërmjet meditimit dhe ironisë, përcillen nëpërmjet figuracioneve piktorike, herë të grupuara në trajtë “ditari” e herë të izoluara, për të theksuar në maksimum domethënien e tyre gati “ikonografike”.

APNEA, mungesa e frymëmarrjes, është gjendja shpirtërore dhe fizike, e cila përjetohet nga artisti si në momentin e admirimit të një të vërtete universale që mund të të lërë pa frymë, ashtu edhe në vrojtimin e një realiteti social e kulturor ku frymëmarrja e vërtetë shpirtërore bëhet gati e pamundur …

Pse ky kthim në fëmijëri? Çfarë gjen aty? 

Gjej vetveten ose gjej një shans për ta kërkuar. Është një shikim mbi botën që më shoqëron ngaherë. Mrekullohem me mënyrën se si një fëmijë e sheh botën. Për ata çdo detaj është një zbulim. Përpiqem edhe unë ta përjetoj kështu çdo moment, jo si një ide e edukuar apo e dhënë e gatshme nga zakonet e njerëzve, por si një zbulim dhe magjepsje e përditshme.

Si vjen imazhi i babait tuaj në këtë takim me fëmijërinë … Si janë takimet tuaja me të në kohë?

Janë gjithnjë një lehtësim, sepse e shoh të angazhuar seriozisht në krijimtarinë e tij dhe bisedat tona janë shumë interesante. Për mua ka qenë një shembull shumë i fortë dhe një siguri jetësore qëndrimi i tij. Nuk e kam parë si një orientim artistik, por më ka ndihmuar si të ishte një koleg, sepse në Shqipërinë e para dhe pas viteve ’90 jemi gjendur shpeshherë së bashku duke aspiruar drejt lirisë së artit perëndimor. Që nga fëmijëria ime, sensi i tij kritik ka qenë një përgjegjësi e shtuar, por edhe një forcë për të guxuar të kërkojë maksimumin nga vetja.

Çfarë është figura e tij në krijimtarinë tuaj? Zakonisht fëmijët u pëlqejnë t’u kundërvihen formave të një tradite, me pikturën tuaj si ndodh?

Mendoj që sensi i lirisë dhe përpjekja njerëzore për sublimim duhen parë në kontekstin e kohës. Ajo çka frymëzon në një sistem dhe realitet të caktuar nuk mund të jetë skemë zgjidhjeje në një kohë tjetër. Por qëndrimi kritik dhe shpirti artistik mund të përcillen edhe në një realitet më të ri, me kusht që të rikonceptohen. Mendoj se unë e përcjell traditën pikërisht pse e reformoj atë, pra refuzoj ta pranoj në gjendje fosile.

Piktura ishte një zgjedhje në jetën tuaj?

Po, ka filluar shumë herët. Ka qenë pjesë e përditshmërisë dhe një aspiratë që i jepte kuptim jetës. Një përzierje aromash terpentine dhe imagjinatash plot me peizazhe. Gjithsesi, shumë vite më vonë, kam njohur realisht çdo të thotë mundësia e vërtetë e zgjedhjes dhe vlera njerëzore e saj. Kushdo ka pikëpyetje. Të miat kanë qenë shpeshherë filozofike dhe ekzistenciale. Vazhdoj të kem pasion të mësoj nga vetja dhe të tjerët, çdo ditë. Gjatë viteve kam zhvilluar edhe pasione të tjera të lidhura me imazhin apo fjalën e megjithatë lumturinë më të madhe e njoh kur jap maksimumin në një krijim të ri.

Të fokusuarit te një personazh në tablo, çfarë sjell, kam parasysh se pjesa më e madhe e tablove janë personazhe …?

Jam shumë kurioz për psikologjinë e njerëzve. Dua të kuptoj psenë e mënyrës sesi mendojnë. Zbuloj tek ta shumë gjëra, të cilat nuk mund të përshkruhen, të paktën jo me fjalë. Është sfidë mjaft tërheqëse që elementet grafike të një portreti të përcjellin këto cilësi të ndryshme individuale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button