Home / Ekonomia / Kuvendi shqyrton sot në parim p/buxhetin 2016

Kuvendi shqyrton sot në parim p/buxhetin 2016

Kuvendi shqyrton në parim të premten në seancë të posaçme plenare projektbuxhetin e vitit 2016 si dhe paketën fiskale që shoqëron atë, pas diskutimit prej rreth 2 javësh të tij në të gjitha komisionet parlamentare.

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, duke nënvizuar tre karakteristika, e quajti projektbuxhetin e vitit 2016, si buxhet i zhvillimit rajonal, thellimit të reformave dhe uljes së borxhit dhe taksave. Ky, tha kreu i financave publike, është një buxhet me sens të theksuar zhvillimi dhe mirëqënieje për qytetarët. Sipas tij, rritja reale ekonomike për vitin 2016 është 3.4 për qind, i treti vit radhazi me rritje reale ekonomike.

“Së pari, është një buxhet me sens të theksuar zhvillimi për mirëqënien e qytetarëve, sepse mbështet disa sektorë tradicionalë, ku do të përmendja bujqësinë dhe pyjet. Së dyti, rrit kompetencat, shërbimet dhe fondet për qeverisjen vendore duke e kthyer në një pushtet që ofron mundësi dhe potenciale zhvillimi. Së treti, karakteristikë e këtij buxheti është se nuk rrit taksat, përkundrazi i ul ato, duke inkurajuar punësimin dhe uljen e varfërisë”, tha Cani.

Por, opozita tha se ky është buxhet i varfërisë, i cili braktis ekonominë dhe ngrin përfitimet për qytetarët. “Inflacioni do jetë 2.5 për qind, zero rritje pagash. U bë viti i tretë që për të gjitha kategoritë e administratës publike rritja është zero. Ndërsa pensionet rriten me 1.1 miliarde, aq është kontigjenca, që do të thotë me 0.8 për qind”, deklaroi gjatë debateve ish-ministri i Financave në qeverisjen e djathtë, deputet i PD-së, Ridvan Bode. Sipas opozitës, qeveria vitin e ardhshëm do ta përkeqësojë sërish mbledhjen e taksave.

Lidhur me investimet, qeveria tha se investimet publike, të pushtetit qendror dhe vendor, do jenë 6 për qind e prodhimit të brendshëm bruto, ose 92 miliardë lekë, por sipas opozitës, në raport me PBB-në, investimet janë në minimumin historik.

Në vitin 2016 shpenzimet totale parashikohen në masën e 452 125 milionë lekëve, ndërsa të ardhurat planifikohen 417 694 milionë lekë. P/buxheti i 2016-ës ka nivelin më të ulët të defiçitit buxhetor, prej 2.2 për qind e Prodhimit Kombëtar, çka bën të mundur që për herë të parë pas shumë vitesh rritje Shqipëria të ulë borxhin publik nga 72.6 për qind në 70.9 për qind të prodhimit kombëtar.

Pas diskutimeve të projektbuxhetit për vitin që vjen e paketes fiskale në komisionet e përhershme parlamentare, Kuvendi miraton sot në seancë të posaçme plenare këtë draft. Më pas p/buxheti rikthehet sërish për diskutim nen për nen në komisionet parlamentare për t’u miratuar nen për nen dhe në tërësi në datën 17 dhjetor./

Leave a Reply

%d bloggers like this: