Arte

Sa peshon arti bashkëkohor?

Informal Mind vjen si Manifest më 5-10 dhjetor nën kurimin e Klod Dedja/Gjashtë artistë “provokojnë estetikisht” te Piramida

“Informal Mind”, një nga aktivitetet e rëndësishme të artit bashkëkohor në vend, këtë vit zhvendoset në Tiranë. Piramida do të jetë skena që do të bëjë bashkë gjashtë artistë si Alban Hajdinaj, Heldi Pema, Robert Gligorov, Kozmos, si dhe Driant Zeneli që është në rezidencë. Për kuratorin Klod Dedja “ky event nuk është ekspozitë apo prezantim, por një deklarim ndërmjet simbolikës së veprave pjesëmarrëse, për më shumë si Manifest i një qëndrimi politikisht korrekt me përballjen dhe dëshirat”. “Në sipërfaqe të çdo perceptimi Informal Mind, nuk është një produkt i nevojshëm, por i domosdoshëm në llojin e vet. Duke lindur si pasojë e keqinformimeve ose keqedukimit mbi artin bashkëkohor, tendenca për të qenë të parashikueshëm është zero. Nga kjo rrjedhojë edhe shijet estetike nuk i përngjajnë konceptuales, por simbolikës së drejtpërdrejtë, sikur të dojë të fusë në krizë vetveten”, thotë Dedja. Një nga pyetjet që ngre natyrshëm kur përballesh me këto evente është se sa peshon arti bashkëkohor? Artisti Alban Hajdinaj do të prezantojë veprën “Një jetë e re lulëzon gërmadhash”, e cila është një simbolikë tribale e koshiencës. Si një heshtje që gërthet pa llogaritur estetikën optike, por kronikën e një historie të madhe sesa ajo personale. Heldi Pema sjell veprën “Communication on demand”, duke iu afruar revistave për adoleshentë, por të rreshtuar gati për të qenë pjesë e një edukimi të detyruar nga tregu, shkolla, shtëpia. Artisti Robert Gligorov sjell “Origination”, e cila është një dhomë me ide hermetike dhe mazokiste duke tejkaluar edhe limitet e fuqisë reale të imagjinatës, pasi ai e ka kompromentuar atë tashmë. Kozmos pritet të jetë një nga performancat më interesante të këtij aktiviteti. Atë e bijë dy njerëz që kanë ndarë jetën në ish-Metalurgjikun e Elbasanit do të vijnë në Tiranë tashmë si artistë. Ata rrëmojnë tokën e zezë dhe aty gjejnë mbetje për t’i shitur. Ky akt është një zhvendosje e realitetit në një realitet paralel. Ai është një gjeni për sa i përket universit. Ai flet dhe di gjithçka enciklopedike mbi planetët dhe kozmosin. Informal Mind është event që bën bashkë emra të njohur të artit bashkëkohor, duke provokuar estetikisht situata të ndryshme në vend. Një vit më parë, ky aktivitet u zhvillua në ish-Metalurgjikun e Elbasanit, duke i dhënë jetë një hapësire që për vite me radhë ishte kthyer në një gangrenë për qytetin. Emra të njohur të artit bashkëkohor si Anri Sala. Sislej Xhafa, Alban Muja, Fatmir Mustafa-Carlos, Alban Hajdinaj, Shelbatra Jashari, Fatos Qerimi, Edit Pula, Sadik Spahija, Milena Joviceviç, Brilant Pireva, Marina Markoviç, Sanja Latinovic, Ranko Dankovic etj., ishin pjesë e edicionit të vjetshëm. Vendosja e veprave në një hapësirë të ish-diktaturës, duke i dhënë jetë përmes artit ishte një gjetje artistike nga ana e Dedjas, i cili i dha ish-Metalurgjikut dimensionin e një galerie bashkëkohore arti. Por, këtë vit, Informal Mind u zhvendos në Tiranë, në një tjetër hapësirë provokuese siç është ish-muzeu i diktatorit Enver Hoxha. Pyetjes se sa shumë peshon arti bashkëkohor, Dedja do t’i japë përgjigje përmes veprave përzgjedhëse për këtë edicion, që do ekspozohen nga nesër te Piramida. “Këto retorika nga romanticizmi modern, bëjnë të mundur kundër-reaksione të vërteta interpretimi, si një gjest i deklaruar duke përdorur komunikimin si urë drejt artit dhe jo e kundërta. Duke u nisur nga komunikimi si dëshirë-Manifest, përpjekjet i drejton në forma kubike të rregullta me potencën e simbolit të personalizuar”, thotë Dedja.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button