Amerika

Masakra e San Bernardinos, rrëfehen të mbijetuarit

Një tjetër mëngjes i mbyllur në sallën e konferencave, një tjetër takim i detyrueshëm me të gjithë stafin, ku Patrick Baccari, një nga të mbijetuarit e masakrës së San Bernardinos, e gjeti kolegun e tij Syed Farook të ulur krejt vetëm në një tavolinë.

“Hë, je gati për t’u bërë derr?”, e pyeti me nënqeshje. Kjo ishte shakaja e tyre e vjetër. Konteja e San Bernardinos u kërkon të gjithë inspektorëve shëndetësorë të mblidhen të paktën dy herë në vit për një ditë fjalimesh e informimi. Përgjigja, e shoqëruar po ashtu me buzëqeshje, ishte: “Jam gati”.

Gjithçka normale, çdo gjë rutinë deri në momentin kur Farook largohet për t’u kthyer bashkë me të shoqen, të armatosur deri në dhëmbë. Të shtënat nuk zgjasin më shumë se katër minuta. Bilanci i ngjarjes: 14 të vdekur, 21 të plagosur, një qytet në kaos dhe pyetja që ende nuk ka një përgjigje: përse?

Shefja e zyrës, Amanda Adair, thotë se Farook kishte qenë gjithmonë një prej punonjësve më të këndshëm, më të qetë e ndër më të mirët në punën e vet. Ishte i mirëarsimuar, me 5 vjet eksperiencë në fushën e shëndetit publik. Kishte marrë vetëm një pushim të zgjatur për udhëtimin drejt Arabisë Saudite, ku do të takohej me gruan e cila më pas u bë bashkëshortja e tij.

Kolegët e zyrës i kishin organizuar këtë vit dhe një festë për lindjen e djalit. Gjesti i tij, ajo kërdia e tmerrshme që iu shfaq para syve efektivëve të policisë që mbërritën të parët në vendngjarje, nuk ka ende një motiv zyrtar. Viktimat tashmë janë identifikuar që të gjithë. Më i riu është 26 vjeç, më i vjetri 60. Zyrtarët e sigurisë besojnë se ka pasur një lloj planifikimi e sipas shefit të policisë lokale, Jarrod Burguan, çifti mund të ketë qenë i përgatitur të ndërmerrte dhe një sulm tjetër.

“Ishte një lloj misioni, këtë tashmë e dimë”, pohoi David Bowdich, zëvendësdrejtor i zyrës së FBI-së në Los Angeles.

“Ajo që nuk dimë është nëse qendra e mësyrë ishte shënjestra e vërtetë apo diçka e nxiti që të vepronte aty në moment”, shton Bowdich.

Presidenti Barack Obama njoftoi më herët se çështja i ka kaluar për shqyrtim FBI-së, ndërsa përpos konflikteve në vendin e punës, nuk përjashtohet as pista e një incidenti me sfond terrorist.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button