Bota

SHBA, përpjekje për të konfirmuar se kush e rrëzoi avionin malajzian

SHBA kanë teknologji të sofistikuara që mund të diktojnë raketalëshuesit, madje të identifikojnë nxehtësinë që emetohet nga motori i një rakete

avioni

Kryeministri ukrainas tha se rrëzimi i avionit malajzian  në Ukrainën lindore ishte “pa dyshim një akt terrorizmi”. Separatistët që kontrollojnë zonën ku u rrëzua avioni me 298 persona në bord, mohojnë se se janë përgjegjës dhe kanë akuzuar forcat e qeverisë ukrainase për ngjarjen. Administrata e Presidentit Obama vazhdon përpjekjet për të konfirmuar se kush e goditi avionin malajzian që udhëtonte nga Amsterdami për në Kuala Lumpur.

Në një fjalim para biznesmenëve, Kryeministri i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, tha se separatistët prorusë, që ai i quajti “banditë” nuk i kishin lejuar hetuesit ukrainas të shkonin në vendin e rrëzimit të avionit.

“Ne kemi filluar një hetim të pavarur dhe u bëj thirrje qeverive të vendeve të tjera të ndërmarrin një hetim ndërkombëtar rreth kësaj tragjedie, që është pa dyshim një akt terrorizmi,” tha zoti Yatsenyuk.

Separatistët që kontrollojnë zonën ku u rrëzua avioni malajzian me numër fluturimi 17, thanë se kishin gjetur kutitë e zeza dhe po shqyrtonin se çfarë do të bënin me to. Deklarata e tyre mund të kenë ndikime të rëndësishme lidhur me integritetin e hetimit.

Ata kanë mohuar se kanë përgjegjësi për rrëzimin e avionit dhe kanë akuzuar forcat e qeverisë ukrainase. Presidenti rus Vladimir Putin fajësoi Ukrainën për ofensivën kundër separatistëve që filloi dy javë më parë. Zoti Putin e quajti aksidentin një “tragjedi”.

Autoritetet e zbulimit amerikan besojnë se avioni është rrëzuar nga një raketë tokë-ajër, por administrata e Presidentit Obama vazhdon përpjekjet për të konfirmuar se kush e lëshoi raketën dhe nëse në avion ka patur shtetas amerikanë.

Mes pyetjeve pa përgjigje është nëse raketat u lëshuan nga ana ruse apo ukrainase e kufirit, sipas një zyrtari amerikan, i cili nuk ishte i autorizuar për të diskutuar mbi këtë çështje publikisht. Por zyrtari tha se vlerësimet amerikane të zbulimit thonë se gjasat më të shumta janë që avioni të jetë rrëzuar nga separatistët pro-rusë apo nga rusët se sa nga forcat qeveritare të Ukrainës.

Zyrtari thotë se avioni me sa duket ishte vënë në shënjestër qëllimisht nga dikush që mund ta ketë marrë për një aeroplan ushtarak transporti.

SHBA kanë teknologji të sofistikuara që mund të diktojnë raketalëshuesit, madje të identifikojnë nxehtësinë që emetohet nga motori i një rakete.

Shtëpia e Bardhë thotë se ndonëse ende nuk dihen të gjitha faktet, “incidenti ka ndodhur në kontekstin e një krize në Ukrainë që është nxitur nga mbështetja e Rusisë për separatistët, duke përfshirë mbështetjen me  armë, materiale dhe trajnim.”

Në deklaratën e saj, Shtëpia e Bardhë bën thirrje për një hetim “të plotë, të besueshëm dhe të papenguar ndërkombëtar sa më shpejt që të jetë e mundur.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button