Home / Parlamentare / Tahiri: Buxheti, investime për ta bërë vendin më të sigurt

Tahiri: Buxheti, investime për ta bërë vendin më të sigurt

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ftoi sot opozitën të votojë buxhetin e vitit të ardhshëm. Tahiri tha se opozita duhet të flasë me votë nëse do më shumë investime, për ta bërë vendin më të sigurt.

“Sipas buxhetit policia do të ketë më shumë investime për ta bërë vendin më të sigurt. Opozita mund të thotë nëse e do këtë gjë duke e votuar buxhetin.

Opozita duhet të flasë me votë për të ngritur byronë kombëtare të hetimit, për të rritur transparencën dhe për të luftuar korrupsionin, trafikimin e drogës, për të bërë zero taksat për biznesin e vogël, për të rritur investimet në bujqësi, për më shumë shkolla e spitale dhe mbi të gjitha për reformën në drejtësi. Këto duhej të ishin debatet sot dhe jo shfaqja e padenjë që neverit të rritur e të mitur”, tha Tahiri.

Tahiri tha se dy vjet më parë në shëndetësi ilaçet kushtonin më shumë se sëmundja, administrata ishte bërë njësh me partinë në pushtet dhe informaliteti kafshonte shtetin dhe shoqërinë.  Ai tha se sot Shqipëria është në rrugën e duhur.

“Askush nga ne nuk thotë dot se Shqipëria është lule, por është e sigurt që jemi në rrugën e duhur. Ndaj kur të votoni mos e pyesni veten a është kjo Shqipëria që duam, por a është rruga për Shqipërinë që duam”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.