Home / Intervista / Isa Mustafa: Gjykata nuk merret me vlerësime politike – uzurpuese është PDK’ja

Isa Mustafa: Gjykata nuk merret me vlerësime politike – uzurpuese është PDK’ja

Uzurpimi i ulëseve të Kuvendit nga PDK ishte i paligjshëm, sikurse edhe veprimet okupuese të Flora Brovinës si kryesuese e seancës. Ne nuk i frikësohemi asnjë vendimi të Gjykatës Kushtetuese, pasi ajo s’merret me vlerësime politike. Nëse situata përsëritet, atëherë, koalicioni LDK-AAK-NISMA do të fuqizohet edhe më shumë. Mirëpo, secili duhet ta dijë se 83 deputetë mund të vendosin edhe për ndërrimin e Kushtetutës. Ende kemi hapësirë për arritjen e një marrëveshjeje me Vetëvendosjen. Kryeparlamentari i ri, Isa Mustafa, flet për Express.mustafa-t-euml-respektohet-vullneti-qytetar_hd

Express: Pse vendosët që të mos uleshit në karriget që Kryesia dhe Sekretariati i Kuvendit i kishin rezervuar për deputetët e koalicionit?

I. Mustafa: Pasi ulëset e parapara për LDK’në ishin të uzurpuara nga PDK’ja dhe koalicioni i PDK’së dhe nuk e konsideruam që një mbledhje konstituive të Kuvendit ta shfrytëzojmë për të luftuar për karrige të Kuvendit. Këtë ne e konsiderojmë si thyerje të vendimit të Kryesisë dhe thyerje të rregullave për çka u betuan dje të gjithë deputetët e Kuvendit e edhe ata të koalicionit të PDK’së. Por, nuk dëshiruam ta shfrytëzojmë këtë situatë që të lindë ndonjë mosmarrëveshje ose konflikt për arsye të karrigeve. Ne u sollëm shumë tolerantë në mënyrë që seanca të zhvillohej dhe të kryhej procedura e konstituimit. Por, gjithnjë vlerësojmë se vendet e mesit në Kuvend i takojnë grupit më të madh parlamentar dhe ky grup është ai i LDK-AAK-NISMA me 47 deputetë.

Express: Megjithëkëtë, PDK e shfrytëzoi këtë dhe u ulën në ulëset e mesit, ndërkohë, ju më herët keni thënë se do të qëndroni në këmbë nëse ato ulëse uzurpohen nga deputetët e PDK’së?

I.Mustafa: Ne kemi hyrë në seancë që të mos ketë asnjë përplasje lidhur me karriget. Meqenëse, në rendin të cilin u ulëm kishte vetëm 37 vende, ndërkaq, ne jemi 47. Ne pranuam që një pjesë e deputetëve të Grupit Parlamentar të uleshin në pjesën e fundit të ulëseve të mesme në mënyrë që deputetët të mos qëndrojnë në këmbë sepse ishte mbledhje punuese. Ne iu përmbajtëm asaj që të mos ketë asnjë përplasje lidhur me ulëset sepse konsiderojmë se është gjest shumë i ulët që në seancën konstituive të ketë probleme se ku do të ulen deputetët. Megjithatë, ne mbesim prapa qëndrimit se duhet të zbatohen vendimet e Kryesisë, ata të heqin dorë prej atyre vendeve dhe të ulen aty ku e kanë vendin.

Express: Të gjithë prisnin që dje në mëngjes të arrihej marrëveshja Koalicion – VV, por ai nuk u arrit. Çfarë ndodhi?

I.Mustafa: Ne kemi punuar shumë dhe kemi pasur përafrime shumë në qëndrimet me Vetëvendosjen. Konsideroj se edhe kësaj radhe t’i falënderohem Vetëvendosjes në qëndrimin shumë konstruktive që e patën dje në Kuvend dhe qëndrimi shtetformues sepse ata gjithnjë ishin prezentë aty, në të gjitha etapat e konstituimit të Kuvendit. Por, ne nuk arritëm të harmonizojmë qëndrimet sepse ishte koha shumë e shkurtër sa i përket qëndrimeve tona lidhur me dialogun dhe lidhur me procedimet lidhur me privatizimin dhe marrëveshjeve lidhur me dialogun. Ne edhe më tutje duhet të bisedojmë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe ka hapësirë të mëdha që t’i bashkërendisim dhe të gjejmë interesin tonë të përbashkët.

Express: A ishit pajtuar me Vetëvendosjen një natë para se të mbahej seanca konstituive, pasi kështu u raportua?

I. Mustafa: Ne u pajtuam që të kemi një marrëveshje të përbashkët. Ne do ta diskutonim atë marrëveshje në mëngjes. Unë isha në bisedë me z. Kurti dhe dy bashkëpunëtorët tanë, z. Kujtim Shalën dhe z. Dardan Molliqaj. Biseduam gjatë dhe konstatuam se kemi shumë interesa që na bashkojnë, mirëpo, atë natë ne nuk e kemi shikuar tekstin përfundimtar, i cili është punuar më vonë nga z. Shala dhe z. Molliqaj. Ishte problemi për disa pika, për të cilat, ne nuk pamë mundësi që menjëherë të japim pëlqimin tonë e sidomos me drejtimin e dialogut nga Vetëvendosje, sepse drejtimi dialogut bëhet nga Kryeministri i ardhshëm. Ndërkaq, për çështje të tjera ka hapësirë të gjejmë gjuhë të përbashkët. Megjithatë, konsideroj se dje Lëvizja Vetëvendosje e ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe përkundër asaj që nuk na ka votuar. Ata kanë qenë prezentë në seancë gjatë gjithë seancës dhe kanë dhënë kontributin e tyre.

Express: Edhe me tutje faktorët kyç nga Bashkësia Ndërkombëtare, por edhe Presidentja e vendit, kane hezituar t’i nisin urimet ne adresën tuaj. Çfarë thotë për ju ky hezitim?

I.Mustafa: Për mua është me rëndësi që në seancën e djeshme kanë qenë 83 deputetë në sallë. Kanë qenë 2/3 dhe kam marrë shumicën e votave, apo 65, që është më shumë se shumica e numrit të deputetëve të Republikës së Kosovës. Ky është suksesi më i madh politik sepse vota është çështje e përcaktimit politik dhe nuk është çështje e procedurave të Kuvendit. Nëse në Kuvend kanë qenë prezentë 83 deputetë që janë 2/3, atëherë, ata 83 deputetët marrin vendimet më të rëndësishme që janë ta parapara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Çështja e asaj se kur marr urime prej ndërkombëtareve është çështje e tyre. Unë urimet i kam marrë dje prej deputetëve të Republikës së Kosovës dhe e kam marrë besimin e tyre. Këtë besim unë do ta ushtroj në harmoni me votën e tyre.

 

Expresss: A frikësoheni që ju mund të jeni viktima e dyte, prej radhëve të LDK’së, që do të rrezohet prej Gjykatës Kushtetuese?

I.Mustafa: Unë nuk frikohem fare nga asnjë vendim i Gjykatës Kushtetuese. Mirëpo, Gjykata Kushtetuese nuk vendos se si do të votojnë deputetët e Republikës së Kosovës. Vota e deputetëve ka ndodh, qëndrimi i deputetëve është aty dhe kjo është çështje politike. Vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk duhet t’i frikësohemi por ato vendime duhet të jenë në harmoni me Gjykatën Kushtetuese. Kushtetuta thotë që Kryetari i Kuvendit propozohet nga Grupi më i madh parlamentar, i cili është themeluar në bazë të dispozitave kushtetuese, dhe Kushtetuta nuk parasheh rrethana kur një kryesuese e Kuvendit e uzurpon dhe pengon zhvillimin e rregullt të seancës së Kuvendit. E kanë parë të gjithë se për rreth tri orë është penguar vazhdimi i seancës së rregullt. Ne kemi besim në Gjykatën Kushtetuese, mirëpo, secili jemi të vetëdijshëm se kjo gjykatë s’merret me vlerësime politike, por merret vetëm me aspekte juridike.

Express: Nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese flet negativisht për ju, cili do të jetë fati i koalicionit?

I.Mustafa: Gjykata Kushtetuese s’mund të vendosë se kush do të jetë Kryetar i Kuvendit. Gjykata Kushtetuese i ka procedurat e veta dhe koalicioni mund të fuqizohet edhe më shumë. Mendoj, se nëse i hyjmë edhe një herë këtij procesi ne do të kemi më shumë se 80 vota për Kryetar të Kuvendit. Prandaj, ardhmëria e koalicionit do të jetë edhe më i fuqishëm, por nuk shoh asnjë arsye të kontestohet vullneti i 83 deputetëve të pranishëm në seancë.

Express: Pas seancës konstituive, Kryetari i PDK’së, Hashim Thaçi tha se Parlamenti u uzurpua nga partitë tjera. Cila është përgjigja juaj?

I.Mustafa: Mendoj se ai duhet të merret më shumë me problemet politike, sepse nëse dikush ka uzurpuar Kuvendin, atëherë, ajo është Flora Brovina, e cila ka qenë deputete e koalicionit të PDK’së dhe e cila ka penguar mbarëvajtjen e seancës konstituive të Kuvendit. Të gjithë e kanë parë se cka ka ndodhur në seancë dhe ne kemi qenë shumë të durueshëm, shumë tolerant dhe kemi reflektuar kulturë demokratike. Ne vetëm e kemi shfrytëzuar të drejtën tonë që të vendosim me shumicën e deputetëve.

 

Express: Kur do të caktohet seanca e radhës së Kuvendit?

I. Mustafa: Seanca e radhës do të caktohet më bashkëpunim me grupet parlamentare sepse kemi të bëjmë me disa propozime, të cilat do t’i marrim për Nënkryetarët e Kuvendit nga koalicioni LDK-AAK-NISMA, një Nënkryetar nga PDK’ja, një Nënkryetar nga Lista “Srpska”, sepse janë zgjedhur vetëm dy nënkryetar dhe besoj se javën e ardhshme mund të mbahet kjo seancë. Por, paraprakisht, do të flasim me këto grupe parlamentare që ata të japin propozimet për Nënkryetarët e Kuvendit.

Express: Presidentja Jahjaga ka deklaruar se nuk do të merr asnjë hap për mandatarin e Qeverisë pa përfunduar procedurat në Gjykatën Kushtetuese?

I.Mustafa: Është çështje e vendimeve të Presidentes. Por, unë nuk shoh asnjë arsye të veçantë, por nëse Presidentja sheh ndonjë arsye për të mos e mandatar Kryeministrin e ardhshëm, atëherë, ajo le të vendos në momentin e duhur. Por, unë apeloj që në këtë rast të zbatohet Kushtetuta, të zbatohet vullneti politik dhe të zbatohet vullneti i deputetëve, i cili nuk mund të ndryshojë pavarësisht se çfarë do të ndodh në procedurat e mëtejme. Në këtë rast, ne kemi të bëjmë me një vullnet politik. PDK dhe koalicioni i PDK’së nuk ka arritur t’i bëjë 61 vota, ndërsa, ne i kemi bërë 65. Në seancën e Kuvendit kanë marrë 83 deputetë dhe kjo është kryesorja. Tjerat janë çështje që përmes procedurave të tjera të tentohet të fitohet dhe askush në këtë vend s’mund të fitojë në këtë vend nëse nuk e ka shumicën.

Leave a Reply

Your email address will not be published.