Home / Arte / Teater / TKOB, rikthehet “La Boheme” dhe “Carmina Burana”

TKOB, rikthehet “La Boheme” dhe “Carmina Burana”

Teatri i Operës dhe Baletit rikthen në dhjetor veprat më të suksesshme të vitit

Trupa e Baletit të Teatrit të Operës dhe Baletit ka nisur një turne dyjavor në qytete të ndryshme të Italisë për të prezantuar baletet si “La Sylphide”, “Coppelia” dhe “La Stravaganza”. Pas këtij turneu, TKOB ka zgjedhur për muajin dhjetor një repertor, ku dominon muzika e dhomës, si dhe do të kthejë operën “La Boheme”. Më 15 dhjetor, në orën 19:00, në skenë do të ngjitet një koncert simfonik nga kompozitorët Georges Bizet, Franz Liszt dhe César Franc. Ky koncert do të sjellë në skenën tonë dy emra të rëndësishëm: solisten Miranda Deliallisi (piano) dhe Lionel Stoleru, i cili do të drejtojë orkestrën e TKOB. Më 23 dhjetor, në skenën e TKOB do të ngjitet një koncert me muzikë dhome të kompozitorëve Mozart, Handel dhe Benedetto Marcello. Do të interpretojë Orkestra e Dhomës e TKOB e drejtuar nga M. Angelo Gabrielli me solistë Eleonora Buratto (soprano), Vikena Kamenica (mezzosoprano), Mario Cassi (bariton), Erik Tauzi (oboe).

Drejtori i TKOB, Ilir Kerni, e quan të rëndësishëm këtë koncert, pasi shënjon dhe ringritjen e Orkestrës së Dhomës së TKOB në një cikël koncertesh që fillon më 23 dhjetor 2015 dhe që përmban gjithsej shtatë koncerte që do të mbahen përgjatë sezonit artistik 2016. Ditët e fundit të fundvitit do të rikthehet opera e famshme e Puçinit, “La Boheme”, nën interpretimin e artistëve si: Eva Golemi, Armando Likaj, Ramona Tullumani, Dorina Selimaj, por edhe të ftuar nga jashtë. Orkestra e TKOB do të drejtohet nga M. Francesco Cilluffo. “La Boheme” është një opera me katër akte nga kompozitori Giacomo Puccini bazuar në romanin “Scènes de la vie de bohème” nga Henri Murger. Më datat 28-30 dhjetor në skenë do të ngjitet baleti “Carmina Burana”, një produksion i tetorit të këtij viti e konsideruar si një dhuratë që TKOB i bën publikut për festa.

Leave a Reply

Your email address will not be published.