Ekonomia

Lundro në adrenalinë me ‘Albanian Rafting Group’

Kënaqësitë dhe relaksimin nuk mund ta arrish vetëm përmes asaj që të ofron uji i detit, plazhi dhe pjesët tjera të natyrës. Një perlë tjetër të natyrës, Zoti i ka dhënë Shqipërisë, ato, që quhen Kanione. Edhe pse deri më tani, jo shumë të shfrytëzuara nga pikëpamja turistike, kanionet, të cilat po konsiderohen si “Koloradot e Evropës” kanë nisur të zbulohen edhe për këtë aspekt.

Është kanioni i Osumit, të cilin dhjetëra turistë nga Kosova, kryesisht njerëz të medieve që e kishin të parin në agjendën e tyre për tri ditë qëndrimi në këtë vend.

26 km gjatësi, 450 m mbi nivelin e detit, formuar rreth 2-3 milionë vite më parë nga erozioni i ujit që deporton thellë në tokë, 6 ngushtica, 8 ujëvara, 1 katedrale, 1.5 m ngushtësi në shtratin e lumit, janë numra që përshkruajnë një mrekulli e cila të lë pa fjalë.

Por, kjo nuk mund të përjetohet përmes fotografive, videove e përshkrimeve me fjalë, pa provuar kontaktin fizik me këtë reliev mahnitës.

Ju lehtë mund ta gjeni këtë vend, duke udhëtuar për 126 kilometra nga Tirana për në Berat. Mund edhe mos të ndaloni në këtë qytet të vjetër, por do t’i bini pishman, për shkak të një ushqimi të mrekullueshëm që vetëm beratasit mund ta shërbejnë.

Pas këtij qyteti, juve ju duhet të bëni edhe rreth 60 kilometra të tjerë, për të mbërri në Skraparë, në vendin që njihet edhe si Qyteti i Trëndafilave. Skraparlinjtë, të presin me valle e këngë, e po ashtu edhe me një raki shtëpie, që tashmë janë të njohur për këtë.

Këta banorë, nuk kanë se si mos të ju ftojnë për të provuar edhe ecjen në lumin Osum që kalon në gjirin e kanioneve.

Kanionet e Osumit, të cilat shtrihen për rreth 13 kilometra dhe që ndodhen në rrethin e Skraparit, janë një bukuri që nuk duhet lënë pa vizituar nga asnjë shqiptarë por edhe popuj të tjerë.

E këtu ushtrohet River Hiking dhe një sport i certifikuar dhe i sigurt, Rafting.

Agjencia Kombëtare e Turizmit në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Rafting organizuan një tur për mediat nga Kosova dhe Shqipëria, për të promovuar këto vlera të rralla dhe njohur sa më shumë Shqipërinë.

Sekretarja e përgjithshme e Federatës Shqiptare të Rafting, Blerina Ago, e cila është edhe njëra prej promovueset e turizmit në Shqipëri ka treguar për KosovaPress, për kohën kur në këtë kanion mund të zhvillosh ecjen në lumë e po ashtu edhe rafting.

Sipas saj, në periudhën Shkurt – Qershor, kanioni mund të shfrytëzohet për rafting, ndërsa në periudhën Korrik – Shtator, mund të shfrytëzohet për River Hiking (ecje në ujë).

Ago, thotë se përpos kësaj, ky vend ofron edhe gjëra të tjera të mira.

“Kështu që, nëse doni të shikoni dhe të vizitoni vende që edhe në ëndrrat e juaja nuk i keni menduar aq të bukura, ejani në Shqipëri, në Berat, Skrapar, Përmet dhe do shikoni një Shqipëri më ndryshe. Një Shqipëri, që duan ta gjejnë të gjithë dhe ta ndjejnë. Kjo është Shqipëria jonë autentike dhe Shqipëria jonë fantastike”, ka thënë Ago për KosovaPress.

 

Sporti i rafting, që zhvillohet në lumin Osum dhe lumin Vjosa, ka tërhequr shumë turistë në thellësi të kësaj zone, duke e kthyer këtë qytet, që konsiderohet si xhep i Shqipërisë, në një zonë tërheqëse turistike.

Nga viti në vit, Blerina Ago, thotë ky vend ka rritje të vizitorëve nga promovimi që i bëjnë në media por gjithashtu edhe nga personalitetet e ndryshme që kanë vizituar kohëve të fundit këtë vend.

E për këtë vend nuk ka çmim. Ago, thotë se është eksperiencë e papagueshme.

“Të gjithë turistët që vijnë këtu dhe e vizitojnë është eksperiencë që nuk ka vlerë, e papagueshme, pa vlera monetare. Por mund të them se kushton sa çdo fundjave tjetër e kaluar në çdo vend tjetër të Shqipërisë dhe Kosovës, por këtu keni edhe aktivitetet shtesë, të rafting, riverhiking dhe një skuadër e tërë e cila është këtu për tu kujdesur për ju, dhe është në dispozicionin tuaj për çdo informacion, për të ju informuar dhe për të ju përcjellë gjithçka nga shpirti shqiptarë”, shprehet Ago.

Albania Rafting Group, punon në treg që dhjet vite e më shumë, është themeluese e Federatës Shqiptare të Rafting, anëtare me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare, Rafting.

Si fillim, gjithçka ka lindur si pasion me një kamerdare gomash të zetorëve duke eksploruar kanionet e Skraparit dhe luginave të tjera të Shqipërisë, mirëpo tash për Blerina Agon, është një mision, një mision për të promovuar Shqipërinë si një vend i qëndrueshëm në mes të Evropës. Gjithçka është me standarde ndërkombëtare, guidat janë të certifikuara dhe të licencuara dhe po ashtu siç edhe mund të shihet të gjitha pajisjet janë në bazë të normave të BE-së për këtë aktivitet.

Ekspeditave të tilla, nuk mund t’i ikë as Nëntor Oseku nga Gjakova. I riu që nuk lë vend pa shkuar, ka gjashtë vite që eksploron dhe promovon turizmin në Kosovë dhe Shqipëri. Edhe pse me profesion jurist, Oseku thotë për KosovaPress se kjo lloj aventure nuk përshkruhet.

Ai madje është edhe si një urëlidhës për turistët kosovarë që dëshirojnë ta vizitojnë këtë vend.

“Rafting nuk do të thotë që të jesh patjetër profesionist. Rafting mund ta bëjnë çdo moshë dhe çdo gjini. Mund të vish, kontaktoni përmes meje dhe bëjmë rezervime. Rreziku me ne është zero dhe skuadra është shumë profesionale. Adrenalina që përjetohet këtu dhe përjetime nuk paguhen asnjëherë. Janë përjetime që nuk harrohen dhe të njëjtën kohë të lirojnë nga streset ditore të punës që kemi”, thotë Oseku për KosovaPress.

 

Këto eksperienca i rrëfejnë edhe dy turistë të tjerë. Njëri nga Çekia e tjetri nga Italia, e përshkruajnë Shqipërinë si vend imagjinar.

“E gjeta këtë vend në internet, përderisa po shikoja në Youtube. Kështu vendosa të vizitoj këtë vend sepse ka natyrë shumë të bukur dhe të ofron adrenalinë, kështu që desha ta provoj. Sot ishte një ditë e mrekullueshme. Kushtet janë perfektë për të zhvilluar këtë trip. Gjithçka është perfektë. Para katër vjetësh kam qenë në Shkodër, u shokova kur pashë rrugë të pashtruara. tani isha përsëri atje, përsëri u shokova, por kësaj here për të mirë, sepse Shqipëria është zhvilluar shumë shpejt”, ka thënë turistja çeke.

“Unë jam Andrea nga Roma dhe punoj në Tiranë. Sot patëm një eksperiencë të mirë dhe që nuk e mendoja se në Shqipëri të ketë një vend të tillë dhe të kem një eksperiencë aq të mirë. Është hera e parë që në jetën time e provoj”, ka thënë Andrea për KosovaPress.

Për herë të parë Albanian Rafting Group organizoi ekspeditën treditore, me gazetarët nga Kosova dhe Shqipëria, me qëllim të promovimit të vlerave turistike të qytetit të Beratit, Çorovodës- Skrapar dhe Kanionit të lumit Osum dhe lumit Vjosa.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button