Libri

Fan Noli, historia e bustit në Ibrik Tepe

Diplomati shqiptar, Mal Berisha, ndan një rrëfenjë jetësore. Si u vendos busti i Nolit në vendlindjen e tij 

Nga Rudina Hoxha

Nëse sot, një bust i poetit tonë të madh, Fan Noli, ngrihet në vendlindjen e tij, fshatin e Ibrik Tepes, 25 kilometra larg nga kufiri greko-turk, përpjekja fillestare i takon diplomatit shqiptar Mal Berisha. I pasionuar pas shqiptarëve nëpër botë, që na bëjnë të ndihemi krenarë, Berisha pati rastin ta rrëfente historinë interesante rreth këtij busti gjatë një simpoziumi dhe meshe përkujtimore që u mbajt së fundmi në qytetin e Bostonit (SHBA), me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së Nolit.

Në fjalimin e tij konciz dhe plot fakte, Berisha ndau përvojat e tij jetësore në rrugëtimin e tij drejt njohjes sa më të thellë të veprës së Nolit. Fillimisht, ai do të nënvizonte se kur ishte një djalosh i ri, vargjet e Fan Nolit e ‘çarmatosnin’. E më pas, fakti që bota e Nolit ngërthehej ngushtas midis artit, muzikës dhe politikës, i vunë vulën interesit të pashmangshëm të diplomatit fin ndaj figurës së Nolit. Dhe këtu fillon historia … Fati do ta donte që gjatë kohës kur Mal Berisha shërbente si konsull i përgjithshëm i Shqipërisë në Stamboll (1995-1997), një studiues amerikan, i quajtur John Freely, i shoqëruar nga shkrimtari Emin Sahatçi (botuesi i revistës “Cornucopia”), do të trokisnin në derën e konsullit. John Freely është një fizikan amerikan, mësues dhe autor librash për udhëtarët, si dhe për historinë e Stambollit, Athinës, Venecias, Turqisë, Greqisë dhe Perandorisë Osmane. Miqtë elitarë, që kishin studiuar me kërshëri Shqipërinë dhe familjet shqiptare në Stamboll, do të ndiheshin shumë të mirëseardhur nga Berisha, sepse vërtet kishin shumë gjëra për të diskutuar së bashku.

Vizita dhe takimet në vendlindjen e Nolit

“Atë ditë ne folëm për Fan Nolin. Më takonte mua të kisha shumë njohuri rreth tij, por dr. Freely, i cili ishte i informuar rreth Nolit, më propozoi të vizitonim vendlindjen e poetit në Ibrik Tepe. Ai ishte një fshat me pluhur, me pak asfalt vetëm në qendër. Dikur ishte quajtur Qyteza dhe ishte i populluar prej shqiptarësh ortodoksë nga Jugu i Shqipërisë. Por tani ishte një fshat tipik turk. Në fakt nuk kishte ndonjë gjë të veçantë mbresëlënëse. Pyetëm ca fshatarë që gjetëm aty nëse dinin ndonjë gjë për shqiptarët dhe jetën e tyre. Asnjëri nuk dha ndonjë përgjigje të saktë. Ata ishin myslimanë të zhvendosur kohë pas kohe nga Bullgaria dhe të vendosur aty, ndoshta gjatë luftërave të fundit. Vazhduam të ecnim nëpër fshat deri sa dikush na ftoi të vizitonim disa shtëpia të fshatit, të cilët kishin dyer shumë të vjetra me dekorime të veçanta. Na lanë të vizitonim tri shtëpi të asaj natyre. Secila kishte dyert e brendshme me disa dekorime që nuk kishin asgjë të bënin me ornamentet myslimane. Ato nuk kishin ikona të pikturuara, por prapëseprapë dyert e drunjta ishin të skalitura me ornamente që të kujtonin jetën e banorëve jomyslimanë të mëparshëm të atyre shtëpive. Dr. Freely dhe Emin Bey bënë fotografi. Pastaj ne u përfshimë në një diskutim se si duhet të ketë qenë jeta në atë vend për shqiptarët e asaj kohe, të cilët kishin lënë vendin e tyre dhe qenë vendosur aty. Ishin kohërat e perandorisë, kur jeta për shqiptarët ishte aq e vështirë”, rrëfeu Berisha, përpara pjesëmarrësve në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston. Më pas, diplomati, studiuesi dhe shkrimtari shkuan te Bashkia e Ibrik Tepesë. Ata do të injektonin të njëjtën entuziazëm edhe te kryebashkiaku Beledyie Baskani, një burrë i thjeshtë, por jo me aq dijeni rreth historisë, siç e përshkroi ambasadori në fjalën e tij. “I shpjeguam qëllimin e vizitës sonë. I treguam për një bir të atij fshati, një prift, një poet, shkrimtar dhe përkthyes. Duket se asnjë nga këto nuk i bënë aq përshtypje deri sa i thamë se ai ka qenë edhe politikan dhe se ka qenë edhe Kryeministër i Shqipërisë për një farë kohe në vitin 1924. Ky fakt i preku atij nervin e politikanit të vogël provincial. Ndoshta mendoi se një Kryeministër nga fshati i tij mund t’i jepte edhe atij ndonjë shenjë trashëgimie për të bërë karrierë në nivele më të larta politike në provincën e tij ose më tej. Ai menjëherë kërceu dhe tha: Allah Allah! Demek ki Bir başbakan bizim köyden çıkmış oldu? (O Zot, prej këtij fshati paska dalë një Kryeministër?)”!

Një bust i madh në fshatin e vogël

Më pas u diskutua për mundësinë e vendosjes së një busti të Nolit në fshatin e vogël. Kryebashkiaku ishte dakord me këtë ide, por nuk e dinte se si mund të financohej një projekt i tillë. “U ktheva në Stamboll dhe e raportova këtë çështje te qeveria shqiptare. Nuk vonoi shumë dhe u largova nga Turqia para se të mund të merresha me vendosjen e ndonjë monumenti të Fan Nolit. Nuk bëra dot asgjë në atë kohë, por fara e një nisme të tillë tashmë ishte mbjellë. Vitet kaluan dhe kjo u bë realitet, shtoi z. Berisha. Busti, vepër e skulptorit Andrea Demçe, u vendos nga autoritetet shqiptare dhe diplomatët tanë në Turqi me pjesëmarrjen e ministrit tonë të Kulturës dhe një jetëshkruesi të Nolit për nder të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë dhe 130-vjetorit të lindjes së Fan Nolit. Merrnin pjesë edhe prefekti i Edirnesë dhe kryetari i Bashkisë së Ibrik Tepesë. “Ky bust qëndron krenar në atë qytezë tashmë siç është krenar për veprën që na ka lënë trashëgimi deri më sot”, përfundoi Berisha. I pasionuar veçanërisht në studimin e historisë së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe në përgjithësi në kontributin e të huajve për Shqipërinë dhe shqiptarët, ambasadori Berisha ka shkruar shumë libra, ku më i fundit është “Realitete shqiptaro-britanike”, të cilin ai e prezantoi në Nju Jork në prag të festave të nëntorit. I ftuar nga Shoqata “Vatra” në Nju Jork, Berisha e përshkroi këtë libër si “fryt të një pune shumëvjeçare për ndriçimin e disa çështjeve, që kanë të bëjnë me historinë e Shqipërisë dhe në veçanti me rolin dhe kontributin e të huajve për Shqipërinë dhe shqiptarët.” “Realitete shqiptaro-britanike – 1358 ditë në Londër” ju sjell ashtu siç ka qenë kontributin e britanikëve dhe komunitetit shqiptar në Londër dhe disa figurave të shquara shqiptare dhe miqve të njohur të shqiptarëve atje”, tha z. Berisha. Diplomati 63-vjeçar, i cili e nisi karrierën në diplomaci në vitin 1992, dallohet për pasionin e tij në fushën e studimeve dhe përkthimeve, ku mund të përmendim Herman Bernstain, Charles Erikson,Shqiptarët, lisa mbi truallin Ilir, Shqiptarët, europianët më të lashtë dhe më të rinj, Shpëtimi në Shqipëri – Një qind për qind e hebrenjve në Shqipëri të shpëtuar nga Holokausti, shkruar nga Harvey Sarner dhe përkthyer nga Mal Berisha e shumë të tjerë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button