Ekonomia

Gjermania, grant 2 milionë euro për rimëkëmbjen e sektorit energjetik

gjermaniMinistri i Energjetikës, Damian Gjiknuri dhe ambasadori gjerman në Tiranë Helmut Hoffman, firmosin marrëveshjen për dhënien e një granti nga Gjermania për sektorin e energjisë.

Ministri i Energjetikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri dhe ambasadori gjerman në Tiranë, Helmut Hoffman, nënshkruan të mërkurën në Tiranë, marrëveshjen për dhënien e një granti prej 2 milionë euro nga Gjermania, për rimëkëmbjen e sektorit energjetikë në Shqipëri.

Ministri Gjiknuri, duke vlerësuar mbështetjen që ka dhënë dhe vazhdon të japë Gjermania në ekonominë shqiptare, u shpreh se “nënshkruam një marrëveshje te re me Republikën Federale Gjermane, me mbështetjen e bankës KfW, që do të lëvrojë një fond rreth 2 milionë euro për sektorin e shpërndarjes së energjisë elektrike, për ato elementë shumë të rëndësishëm që kanë të bëjnë me rimëkëmbjen e kompanisë së shpërndarjes”.

Bashkë me KfW-në, tha kreu i Energjetikës, jemi duke zhvilluar edhe masterplanin e investimeve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. “KfW-ja është një nga partnerët kryesorë në sektorin elektroenergjetik. Ka një portofol jashtëzakonisht të rëndësishëm në investime, sidomos në infrastrukturën energjetike.

Bashkëpunimi me Gjermaninë ka qenë shumë i mirë në këtë drejtim dhe do të vazhdojë i tillë, aq më tepër tashmë që sektori elektroenergjetik po kthehet në një sektor solid, me të dhëna financiare shumë solide, me një rimëkëmbje të dukshme”, theksoi Gjiknur. Ai siguroi, që këto para do të përdoren për të përmirësuar Operatorin e Shpërndarjes, që klientët shqiptarë të kenë shërbime më të mira, ulje të humbjeve në mënyrë drastike dhe menaxhimi i kësaj korporate të kapë standardet që kërkohen, standardet e një kompanie bashkëkohore.

Ndërsa kryediplomati gjerman, e cilësoi këtë marrëveshje vijimin e angazhimit të Gjermanisë për rimëkëmbjen e sektorit energjetik shqiptar. “Kemi bërë një hap të mëtejshëm përpara në furnizimin e vazhdueshëm me energji në Shqipëri. Qeveria shqiptare ka dëshmuar se po merr reforma të mëdha për të çuar përpara këtë sektor dhe për të përparuar më tej me reformat. Më lejoni t’ju falënderoj që keni sjellë rendin dhe eficencën këtu në Shqipëri. Ju inkurajoj të vazhdoni kështu”, tha ai.

Më tej, Hoffman tha se pas linjës së tensionit të lartë me Malin e Zi në pranverë përfundon edhe linja e tensionit të lartë me Kosovën.

“Linja 110 kv në jug mendohet të jetë në funksion të plotë në janar. Dy nënstacionet në Himarë dhe Orikum do të jenë gati pas 18 muajsh. Qindra mijëra shqiptarë do mund të furnizohen vazhdueshëm me energji elektrike”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button