Europa

BE merr në shqyrtim reformat në Greqi

Në takimin e tyre në Bruksel ministrat e financave të Eurozonës marrin në shqyrtim gjendjen e reformave në Greqi. Në Athinë kryeministri i majtë Alexis Tsipras tregohet optimist.

Nga perspektiva e qeverisë greke çdo gjë shkon sipas planit, për të mos thënë edhe më mirë. Natën duke u gdhirë e diela parlamenti në Athinë miratoi buxhetin për vitin 2016, i cili parashikon rritje taksash në miliarda dhe shkurtimin e shpenzimeve. Greqia ka predispozita të mira të hyjë sërish në rrugën e zhvillimit nga mesi i vitit 2016, deklaroi kryeministri grek Alexis Tsipras gjatë debatit parlamentar. Sukses qeveria quan edhe rikapitalizimin e bankave të mëdha greke me më pak ndihmë nga shteti, nga sa ishte planifikuar fillimisht. Ndaj një raporti të gazetës Welt am Sonntag, sipas të cilit Greqia ka mbetur larg planit të saj për reforma dhe i ngjan një anijeje pa drejtues, zyra e shtypit e kryeministrit reagoi me fjalë jashtëzakonisht të ashpra, “armiqtë kokëfortë dhe të paepur të Greqisë” do të vazhdojnë të mbështeten te “dezinformatat dhe spekulimet”.

Por sipas analistit polititik Levteris Koussoulis nuk ka shkak për t’u shqetësuar: “Raporti ka të drejtë. Në fakt vendi është pa udhëheqje, kjo në kuptimin që qeveritarët nuk kanë dëshirën, apo nuk janë në gjendje që të japin rezultate konkrete, por kanë mbetur tek një mentalitet i vjetër dhe punojnë në rradhë të parë për të mbajtur pushtetin e vet.” Edhe “në kuptimin metaforik” mund të thuash, se anija është pa drejtim, “sepse ekipi drejtues është i interesuar në rradhë të parë të qendrojë në timon dhe nuk kujdesen me të vërtetë se ku shkon anija”. Por shumë në Athinë nuk janë të këtij mendimi. “Presion dhe shantazh – donatorët e njohin lojën”, kritikon gazeta e majtë liberale e redaktorëve dhe e cilëson kontributin gazetaresk nga Berlini si “kalin e Trojës së Gjermanisë”. “Unë nuk e di se çfarë fshihet pas kësaj”, tha zëvendësministri i Jashtëm Dimitris Mardas në një intervistë në radio të hënën.

13 reforma konkrete mbi tryezë

E qartë dhe aspak e fshehtë është kërkesa për të kontrolluar progresin e reformave në Greqi, që sipas planit fillestar duhej të ndodhte në tetor. Por për arsye të brendshme politike ajo u shty vazhdimisht. Por qeveria greke mënjanoi një pengesë të madhe në fund të nëntorit, duke arritur të kalojë në parlament paketën e reformave, për të cilën mori një këst kredie në vlerën e dy miliardë eurove. Tani deri me 11 dhjetor do të miratohen reforma të tjera, duke përfshirë një reformë të kontestueshme për pagat në shërbimin civil, privatizimin e padëshiruar politikisht të një furnizuesi energjetik në pronësi të shtetit. Për këtë do të jepet një këst i ri prej një miliardi. Përveç kësaj deri në fund të janarit pritet një koncept për reformën e pensioneve. Kohët e fundit kreditë e Greqisë paguhen gjithsesi në këste gjithnjë e më të vogla dhe vetëm në këmbim të reformave konkrete dhe të verifikueshme.

Rikapitalizimin e bankave Athinae konsideron suksesRikapitalizimin e bankave Athinae konsideron sukses

Që para miratimit të paketës së fundit në nëntor financuesit kanë bërë presion mbi Athinën, për të korigjuar çështjet e pazgjidhura – me sa duket me sukses. Analisti Koussoulis beson se huadhënësit do ta shtojnë presionin, ndërsa kryeministri Tsipras kërkon hapësira për të manovruar. Në fakt pushtetarët detyrohen të zbatojnë këtë apo atë, sepse për momentin nuk mund të përballojnë një krizë të re dhe as prishjen me Evropën, thotë analisti. Por bëhet fjalë vetëm për një tërheqje taktike. “Qeveria thotë vetë se nuk është dakord me shumë reforma dhe sinjalizon në këtë mënyrë, se ata nuk do të zbatohen. Unë besoj se ajo do të luajë me kohën, me qëllim që ta vërë aparatin shtetëror nën kontrollin e vet. Nëse rrethanat do të duken të favorshme, ajo me siguri që do të guxonte një konfrontim të ri, duke hequr dorë nga pagesa e një kësti të ti kredie.”

Përpjekje për konsens

Për të kryer reformat politikisht të diskutueshme të mbetura pa u realizuar kryeministri Tsipras gjatë debatit parlamentar për buxhetin në Athinë kërkoi një konsensus të gjerë mbipartiak për kursin e tij ekonomik. Ai menjëherë mori shumë refuzime, sepse si lider i opozitës ai kishte shfrytëzuar çdo rast për të pamundësuar konsensusin. Prandaj kryeministri nisi sulmin, sidomos në drejtim të partisë kryesore të opozitës, Neademokratia (ND), duke thënë se ajo duhet të përgatitet për katër vite të vështira në opozitë.

Shumë të gabuara këto fjalë nuk duken, pasi partia konservatore dikur e fuqishme aktualisht bën një figurë të trishtuar. Pasi zgjedhja e një kryetari të ri u anulua në fund të nëntorit për shkak të një difekti kompjuteri, drejtuesi i përkohshëm Evangelos Meimarakis dha dorëheqjen, megjithatë la në postin e shefit mikun e tij Jannis Plakiotakis. Tani ai po punon me zell për t’u rikthyer, ndërsa të paktën tri pesha të rënda të partisë po përpiqen ta parandalojnë këtë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button