Libri

Autorët shqiptarë u rekomandohen botuesve të huaj

“Albanian book”. Një guidë për shkrimtarët shqiptarë në anglisht, për botuesit e huaj

Letërsia shqipe është një nga letërsitë më pak të përkthyera në botë. Përveç librave të shkrimtarit tonë të njohur, Ismail Kadare, që tashmë është i përkthyer e lexuar në shumë gjuhë të botës, shumë pak shkrimtarë kanë pasur fatin të përkthehen në gjuhë të tjera këto vite. Fatos Kongoli është një prej tyre që është përkthyer në frëngjisht, italisht, gjermanisht, spanjisht etj., por sërish vetëm disa prej librave të tij e kanë pasur këtë fat. Rumanishtja është një gjuhë ku letërsia shqipe ka depërtuar me disa autorë të saj, po kështu italishtja për shkak dhe të afërsisë gjeografike. Në Poloni, përkthyesja Dorota Horodyska ka dhënë një kontribut për njohjen e letërsisë shqipe. Franca për shkak të lidhjeve që si vend kemi pasur me këtë gjuhë, e ka më të pasur listën e autorëve shqiptarë në librari, mes të cilëve mund të përmendim jo vetëm Kadarenë, por Kongolin, Ylljet Aliçkën, Rita Petron. Gjatë gjithë këtyre viteve është vënë shpesh theksi në nevojën e mbështetjes që shteti duhet të japë për financimin e përkthimeve të autorëve shqiptarë në gjuhë të tjera. Për një gjuhë e cila flitet në një hapësirë të vogël si shqipja, kalimi i veprave në gjuhë të tjera do të ndihmonte në rritjen e autoritetit të kulturës sonë. Së fundmi, Ministria e Kulturës ka bërë bashkë në një libër “albanian books” autorët më përfaqësues të letërsisë shqipe, si një guidë për shtëpitë botuese ndërkombëtare, të cilat mund të zgjedhin mes tyre atë që duan të botojnë. I shkruar në anglisht, ky libër na njeh me autorë që kanë debutuar me vepra në tregun e librit shqip dhe të vlerësuar nga kritika këto vite. Çdo autor është përzgjedhur me një libër, dhe një pasazh të përkthyer nga libri i përzgjedhur. I pari që hap siparin e librit me shkrimtarët shqiptarë është Agron Tufa me romanin “Mërkuna e zezë”, botim i vitit 2009. Te “Mërkuna e Zezë”, Agron Tufa ikën nga simbolika e ndërtuar me lëndë empirike realiste dhe na tërheq bukur, thjesht, ëmbël, në një rrëfim ku përzihen ngjarje, ndodhi, peizazhe realiste, me përfytyrime të praktikave mitike, në një botë ku misteri dramatik përzihet me seksin, jeta dimërore e fshatit malor zhytet në një mjegull të paparë marrëdhëniesh magjie, personazhet bartin një peshë kuptimore dhe një karakterizim psikologjik, që i vendos ata nën një tension dramatik të lëvizshëm”, do të shprehej për këtë libër Artan Fuga. Tufa është përkthyer nga Marija Barjaktaroviç dhe Vesna Bratic. Më pas është poeti Alban Bala me librin poetik “Dashuria e burrit” të përkthyera nga vetë ai. Arben Dedja prezantohet me librin “Histori (e)skatologjike”, botim i vitit 2014, një përmbledhje me 15 tregime të shkurtra që përshkruajnë periudhën e komunizmit. Duke qenë se tregimet janë shkruar në italisht, aty ku autori jeton prej vitesh ato janë përkthyer në anglisht nga Johanna Bishop. Ardian Kyçyku prezantohet me romanin “Sy”. “Prozatori i ri, siç i thonë disa është, në fakt, i moçëm dhe i vënë në sprovë si vetë Ballkani. Por një i sprovuar i qetë, që lëviz mes të fshehtave të ëmbla të lindjes dhe të vdekjes, të Fillimit e të Fundit, me një shpërfillje prej të pavdekshmi ose mbase të një qenieje racionale të ardhur nga një tjetër botë”, shprehet për krijimtarinë e Kyçykut Corneliu Vlad. Kyçyku është përkthyer nga Dr. Luminita Tarchila. Ardian Vehbiu prezantohet me veprën “Bolero”, përkthyer në anglisht nga Elona Pira. Poeti Arian Leka prezantohet me përmbledhjen me poezi “Shpina e burrit”, përkthyer nga Sara Lynn Smith. Azem Qazimi është përzgjedhur me përmbledhjen me poema “Për dhuntinë e mahnitjes” përkthyer nga Sara Kraja. Balil Gjini prezantohet me novelën “Melusina” përkthyer nga Sopot Gjini. Bashkim Shehu vjen në këtë guidë me romanin “Mozart me vonesë”.Në këtë roman rrëfehet vënia në skenë e një opere të Mozartit, “Cosí fan tutte”, në Shqipërinë e viteve ’60, dhe se si veprimi skenik dhe pasojat e shfaqjes i kapërcejnë kufijtë e skenës, duke u ndërthurur në fatet e personazheve të ndryshme: në skandale marrëdhëniesh erotike për disa, po për disa të tjerë gjithçka shndërrohet më tej në një histori absurde përndjekjesh policore dhe akuzash politike me pasoja nga më të rëndat. Në qendër të romanit nuk është thjesht fati i një individi, por i shumë syresh, të “lidhur” me njëri-tjetrin me anë të Mozartit. Nis me gruan e një kandidati të Byrosë Politike të Komitetit Qendror, gjithashtu drejtuese e lartë në vitet ’60, për të vijuar me fatet e shumë personazheve të tjera, si drejtori i Teatrit të Operës dhe Baletit, tenorin, sopranon, baritonin, skenografin e të tjerë artistë, ose jo që morën pjesë në ndërmarrjen e vënies në skenë të operës mozartiane. Nëpërmjet fokusimit në mjediset artistike dhe pushtetare, paraqiten xhelatë dhe viktima, fajtorë dhe bashkëfajtorë, shpirtra të përçudnuar dhe shpirtra që, me dëshpërim, përpiqen të ruajnë brenda vetes një dritëz vërtetësie, në farsën e teatrit të madh të jetës nën totalitarizëm. Ai është përkthyer nga Manjola Nasi. Besnik Mustafaj prezantohet me romanin e tij të fundit “Autoportret me teleskop”, një roman gati autobiografik me të cilin debuton në letërsi pas kthimit nga politika aktive nën përkthimin e Manjola Nasit. Diana Çuli prezantohet me romanin “Engjëj të armatosur”. Ky libër sipas kritikës është romani më i arrirë i Diana Çulit. Një punë shumëvjeçare kërkimore e hulumtuese mbi histori lufte e histori njerëzore të ndërthurura në tragjeditë më të rënda që ka prodhuar shoqëria shqiptare, një thellim në kohë dhe hapësirë për të kuptuar honet e shpirtit dhe kapërcimet e mendjes, një përshkrim i hollësishëm e ekzotik i njërës prej krahinave më interesante të Shqipërisë, Bregut të Detit, i karakterit mesdhetar të banorëve të tij, i pasioneve, vrulleve, traditave, legjendave të hershme dhe të tashme, të gjitha këto në sfondin e Luftës së Dytë Botërore. Ervin Hatibi vjen me përmbledhjen poetike “Pasqyra e lëndës” përkthyer nga Robert Elsie. Fatos Lubonja me librin “Ridënimi”, nën përkthimin e Nasit. Flutura Açka me romanin “Kukullat nuk kanë atdhe” nën përkthimin e Robert Elsies. Një grup kukullash, që një çast të caktuar vendosin të dalin në jetën reale, mëtojnë gjatë nëpër Tiranën e ditëve tona, t’u gjejnë përgjigje pyetjeve që i mundojnë, ato dhe qytetarët e vendit të tyre. A do të munden ato ta krijojnë dhe ruajnë identitetin nëpër këtë atdhe të munduar nga politika, nga historia dhe kaosi i tranzicionit të gjatë shqiptar? Është një pyetjet që autorja ngre në këtë libër. Gazmend Krasniqi vjen me romanin “Valsi i lumturisë”, nën përkthimin e Granit Zelës. Gentian Çoçoli vjen me përmbledhjen poetike “Perimetri i hirit” nën përkthimin e tij dhe Erica Weitzman. Lazër Stani vjen me përmbledhjen me tregime “Kohë për nuse”, nën përkthimin e Nasit. Lisandri Kola vjen me përmbledhjen me poezi “Fluturat vdesin në maj”, përkthyer nga Ani Gjika. Luljeta Lleshanaku vjen me një nga librat e saj më të vlerësuar “Pothuajse dje”, nën përkthimin e Henry Israeli. Mimoza Ahmeti vjen me romanin “Gruaja haluçinante” nën përkthimin e Ilir Shametit. Mira Meksi vjen me romanin “E kuqja e demave” nën përkthimin e Idlir Azizit. Parid Teferiçi vjen me përmbledhjen poetike “Meqenëse sytë” nën përkthimin e Robert Elsie. Preç Zogaj vjen me përmbledhjen me poezi të zgjedhura “Ngjarje në tokë”, përkthyer nga Gjekë Marinaj. Ridvan Dibra me novelën “Legjenda e vetmisë” nën përkthimin e Shinasti Ramës. Rita Petro me përmbledhjen poetike “Vrima”, nën përkthimin e Ukë Buçpapajt. Romeo Çollaku me romanin “Varrezat e vendlindjes” nën përkthimin e Manjola Nasit. Rudi Erebara vjen me romanin “Vezët e thëllëzave”, nën përkthimin e Nasit. Autori tregon internimin të një familjeje gjatë viteve të diktaturës komuniste. Romani është një kryevepër mbijetese shumëplanëshe, ndërsa personazhet e brishta nënë-bijë luhaten gjatë rrëfimit në pragun midis jetës dhe vdekjes. Do të rrojnë apo do të vdesin? Letërsia e Erebarës i ka bërë të pavdekshme Lindën dhe Afërditën, personazhet që hidhen në prova dhe dënime absurde, por ato asnjë çast nuk braktisin jetën me krenari dhe dinjitet. Ngjarjet rrëfehen me qetësi dhe naivitet nga Afërdita 13-vjeçare. Është ditari i një fëmije në nivele të larta artistike. Autori Thanas Medi prezantohet me romanin “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, ndërsa Virion Graçi me romanin “Stina e hijeve”. Visar Zhiti prezantohet me romanin “Ferri i çarë” përkthyer nga Genc Korça. Ylljet Aliçka me përmbledhjen me tregime “Parullat me gurë”. Zija Çela i cili mbyll edhe listën rekomanduese me autorët shqiptarë prezantohet me romanin “Las varrezas” nën përkthimin e Nasit. Ajo çfarë vihet re në këtë listë shkrimtarësh është se prezantohen jo vetëm autorë që kanë debutuar në letërsi pas viteve ’90, por edhe para këtyre viteve. Përkthimi i autorëve shqiptarë në gjuhë të tjera duhet të jetë një sfidë jo vetëm për të ndihmuar autorët, por një sfidë e cila do të ndihmonte në njohjen më shumë të gjuhës dhe kulturës sonë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button