Muzike

Elina Duni, mes grupeve më të mira të xhazit për 2015-n

Këngëtarja shqiptare, Elina Duni, renditet mes këngëtarëve më të mirë të xhazit në botë, sipas një klasifikimi të bërë nga prestigjiozja Telegraph.co.uk. Albumi i saj “Dallëndyshe” është klasifikuar mes albumeve muzikore më të mira që nuk duhen humbur pa dëgjuar të këtij viti. Është kritiku i muzikës xhaz, Ivan Hewett, dhe redaktori i kulturës, Martin Chilton, që mes 47 albumeve muzikore të vitit 2015 kanë përzgjedhur vetëm 15, mes të cilave dhe albumin e këngëtares shqiptare. Grupi i parë që ka marrë vëmendjen e Ivan është Maria Schneider Orchestra, për të vijuar me Kenny Wheeler, Bob Dylan, Troyka, Liam Noble etj. “Shqiptaro-zvicerania, vokalistja e grupit, Elina Duni, ka një ndjeshmëri të mrekullueshme në mënyrën sesi interpreton (jo në anglisht) në albumin “Dallëndyshe”. Kuarteti i saj janë në sinkron të arrirë me njëri-tjetrin, si basisti Patrice Moret, bateristi Norbert Pfammatter, shoqëruar nga pianisti i shkëlqyer Colin Vallon. Albumi është një shkrirje e bukur mes folkut dhe xhazit, me materiale të zgjedhura nga Shqipëria. “Ti mund ta humbësh veten nën tingujt e këngëve të tilla, si Kur të pashë, Ylberi dhe Delja Rudë. Një atmosferë shumë e dashur ndihet në këtë album”, thuhet në përshkrimin që Martin Chilton, i bën grupit të këngëtares Duni. Në këtë album, këngëtarja ka zgjedhur 12 këngë të vjetra shqipe nga folklori ynë, që i dedikohen mërgimit dhe dashurisë, duke i kthyer në xhaz. I gjithë albumi është një dedikim për ikjen dhe dashurinë. Vetë emri i albumit është një simbolikë, e dallëndyshes që fluturon larg e sërish kthehet në shtëpi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button