Kryeartikull

Dallimi midis 8 dhjetorit dhe 21 janarit

Andrea Stefani
Andrea Stefani

Berishistët po përpëliten mes sofizmash banalë për të justifikuar vandalizmin që u shfaq në protestën e 8 dhjetorit. Ndaj revokojnë 21 janarin. Kritikave ndaj goditjes me gurë të institucioneve, thyerjes së xhamave, fëlliqjes së fasadave apo shkatërrimit me zjarr të bunkerit pranë Ministrisë së Brendshme ata i përgjigjen: Edhe në protestën e 21 janarit pati dhunë, u dogjën disa makina dhe u goditën policët me shkopinj dhe gurë!

Është një avokati shumë e dobët e barbarisë. Po, është e vërtetë se edhe në protestën e 21 janarit pati dhunë. Por kush ka thënë se dhuna e ushtruar atëkohë nga militantë të Partisë Socialiste në opozitë, është një justifikim për dhunën e ushtruar sot nga militantë të PD po në opozitë?! Në rast se ca militantë socialistë dogjën mos vallë kjo ju jep të drejtën militantëve të PD të djegin?! E keqja nuk është premisë për të justifikuar të keqen. Ky është lapsusi i parë logjik i kësaj avokatie të dhunës berishiste.

Edhe pse e pranishme në jo pak protesta në demokraci, dhuna mbi policinë është një dukuri e pa pranueshme. Dhe ky ka qenë përgjithësisht emërues i përbashkët për prononcimet, pavarësisht krahëve politikë, mbi 21 janarin. Personalisht e kam kritikuar dhunën mbi policinë në atë rast. Por edhe më e pajustifikueshme ka qenë edhe një pjesë e dhunës së ushtruar nga policia dhe forcat e Gardës mbi protestuesit. Dhe këtu vijmë në atë që i dallon të dy protestat. Në 21 janar pamë të hidhej deri edhe gaz lotsjellës mbi protestuesit derisa dhuna u përshkallëzua në ekstrem duke derdhur breshëri plumbash luftarakë mbi ta. Për rrjedhojë, mbetën 4 të vrarë dhe shumë të tjerë të plagosur. Në 21 janar qeveria reagoi ndaj protestës tipikisht si një qeveri diktatoriale. Policia dhe Garda u nxitën nga fryma e qeverisë.

Krejtësisht e kundërta ndodhi në 8 dhjetor. Edhe pse policia u provokua, edhe pse protestues u ngjitën në shkallët e Kryeministrisë, askush nuk u prek e jo më të qëllohej për vdekje me plumba luftarakë. Protestuesit nuk u prekën as kur thyen xhamat e Ministrisë së Transporteve dhe rrënuan vandalisht një objekt publik. Pavarësisht se ai ishte një bunker. Në 8 dhjetor u manifestua një frymë dhe mendësi krejt tjetër e qeverisë dhe për rrjedhojë, edhe e reagimit të policisë. Një frymë krejt e kundër me atë të 21 janarit.

Për të bërë dallimin mes dy rasteve, mjafton të kujtoni Berishën që me një logjikë rreshteri, i tregonte shqiptarëve një rregullore duke e sjellë si “argument” se pse (demek!) Garda kishte të drejtë të vriste protestuesit! Shkurt, tentoi fillimisht një avokati sipas së cilës Ziver Veizi, Aleks Nika, Faruk Myrtaj, Hekuran Dedja qenkëshin vrarë më të drejtë! Vetëm më pas Berisha u tërhoq nga kjo avokatia antihumane dhe i bishtnoi përgjegjësisë për këtë krim duke zhdukur provat, duke dhunuar prokurorinë dhe ligjin e më në fund fare, me alibinë e “rikoshetës”. Teza tjetër qe se protestuesit ishin vrarë jo me të drejtë por “pa dashje”, me rikoshetë!

Por edhe “rikosheta” nuk e shpëton Berishën dhe ministrin e brendshëm të asaj kohe, Bashën, nga përgjegjësia për atë krim. Së pari, sepse, sikundër theksoi edhe Nikolas Sarkozy në atë kohë, një qeveri demokratike nuk përdor fishekë luftarakë për të përballur protestat. Policia dhe forcat e tjera të rendit kanë arsenal krejt tjetër për raste të tilla. Sepse protestuesit në demokraci nuk janë palë ndërluftuese, palë armike, përballë qeverisë. Por qeveria e Berishës dhe Bashës i trajtuan si armiq. Hajde mos e quaj frymë diktatoriale! Së dyti, duke pranuar se protestuesit qenkan vrarë “pa dashje”, me rikoshetë, Berisha ka pranuar edhe se nuk paksa qenë e drejtë që të vriteshin. Që do të thotë, se ata nuk ishin pjesë e një sulmi mbi kryeministrinë. Pra, duke u përpjekur t’i ikë përgjegjësisë me “rikoshetë”, Berisha ka goditur për vdekje tezën e puçit! Prandaj as Berisha dhe as Basha nuk kanë kurajo të mbrojnë deri në fund, para drejtësisë dhe opinionit vendas dhe ndërkombëtar, akuzën se ka pasur një puç të opozitës për të marrë me forcë pushtetin dhe se, për rrjedhojë, ishte e ligjshme të vrisje për të mbrojtur institucionet dhe rendin kushtetues. Por si mund ta bënin një gjë të tillë kur mediat kishin transmetuar “live” vrasjen e protestuesve jo vetëm të pa armatosur por edhe mjaft larg oborrit të kryeministrisë?!

Ajo që ndodhi në 8 dhjetor flet edhe për një mungesë integriteti të lidershipit të PD. Integritet do të thotë që t’i përmbahesh disa parimeve të paluajtshme, disa vlerave të qëndrueshme, pavarësisht rrethanave dhe pozicionit. Pra, nëse je kundër dhunës kur je në pushtet, po kështu duhet të jesh edhe kur kalon në opozitë. Standardet e dyfishta janë shprehje e fanatizmit dhe e shndërrimit të “arsyes” në instrument për të justifikuar të keqen, në këtë rast, dhunën. Por dhuna nuk mund të jetë e keqe vetëm kur drejtohet kundër pushtetit tënd dhe e mirë, “demokratike”, kur të leverdis ty për t’u rikthyer në pushtet?

Një standard i tillë, i dyfishtë, po manifestohet nga berishistët edhe në çështjen e bunkerit. Përse bunkeri i ngritur pranë Ministrisë së rendit qenka simbol i diktaturës dhe ai i inaguruar nga Berisha në krah të Kuvendit, jo?! Janë të dy bunkerë. Pse njëri qenka vlerë dhe tjetri antivlerë? Përse ai që ka instaluar ministri Tahiri revolton të përndjekurit politikë ndërsa ky tjetri jo? Përse njëri qenka demokratik dhe tjetri diktatorial? Shpjegimi gjendet vetëm në degradimin, instrumentalizimin e arsyes, për të përligjur fanatizmin, gjakimet dhe krimet që rrjedhin prej tyre.

Në 8 dhjetor doli edhe më në basoreliev një tjetër dukuri alarmuese: Këmbëngulja e destruktivitetit në politikën shqiptare të këtyre 25 viteve. Ka nisur që me rënien e diktaturës kur s’dihet se pse ju vu flaka dhe vagonëve të trenave. Ka vazhduar me shkatërrimin e gjithë industrisë së trashëguar, të plantacioneve me agrume, të shtetit dhe ushtrisë në mars ’97, të institucioneve në shtator ’98. E më pas ka këmbëngulur edhe në shkatërrimin e mbikalimit te “Zogu i zi” apo edhe të varrosjes së investimit të Bashkisë së Tiranës në bulevardin qendror. Por fryma destruktive shfaqet edhe më gjithëpërfshirëse po të llogaritim edhe rrënimin e projektit të demokracisë liberale (rrënimin e Kushtetutës) dhe shtetit ligjor. Një frymë të kobshme për Shqipërinë që lidershipi i PD e shpalosi edhe në 8 dhjetor.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button