Europa

Francë, Sarkozy fiton Lokalet. Ekstremi i djathtë në vend të tretë

Ekspertët e kishin paralajmëruar dhe eksperienca e së shkuarës gjithashtu: Fronti Nacional nuk arriti të fitojë as edhe një rajon të vetëm në balotazhin e së dielës.

Partia e ekstremit të djathtë është shtyrë në vend të tretë, edhe pse triumfoi në raundin e parë, ku fitoi në 6 prej 13 rajoneve të Francës kontinentale. Të parët këtë radhë renditen republikanët e Nicolas Sarkozysë, ndërsa pas tyre vijnë socialistët e Presidentit Francois Hollande.

Marine Le Pen e pranoi humbjen, por u zotua gjithsesi të vazhdojë luftën. Fajin për disfatën, ajo ia faturoi dy partive të mëdha, për të cilat tha se kishin bashkuar forcat për ta larguar Frontin Nacional nga perspektiva e pushtetit, ndërsa simpatizantëve u tha se fitorja iu ishte privuar në mënyrën më të turpshme të mundshme, nga një fushatë gënjeshtrash dhe dezinformimi.

“Ne nuk na ndal më asgjë. Me trefishimin e numrit të këshilltarëve do të jemi forca kryesore opozitare në pjesën më të madhe të rajoneve të Francës”, tha Marine Le Pen, kryetare e Frontit Nacional.

Udhëheqësja e FN garoi vet si kandidate për presidente rajonale në zonën veriore Nord-Pas-de-Calais-Picardie, ndërsa mbesa e saj, Marion Marechal-Le Pen ishte kandidate e partisë së ekstremit të djathtë në Provence-Alpes-Cote d’Azur, në jug të vendit.

Pasi të dyja politikanet e së njëjtës familje morën mbi 40% të votave në raundin e parë, kandidatët socialistë u tërhoqën nga gara në këto rajone, me qëllim që votuesit e tyre të mbështesnin në balotazh kandidatët republikanë.

Nga 22,6 milionë votues, që ishte pjesëmarrja më 6 dhjetor, të dielën ajo u rrit në 26,2 milionë. Në këto zgjedhje u votua për këshillat dhe presidentët e 13 rajoneve franceze, që kanë fuqi të zgjeruar mbi transportin lokal, arsimin dhe zhvillimin ekonomik.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button