Libri

Pjellat e llahtarshme të Meri Shellit

Frankenshtajn, në labirinthet e një prej romaneve më të rëndësishme të letërsisë europiane

Enit Karafili Steiner

Kur nis t’i prezantoj studentët meFrankenshtajn ose Prometeun Modern, romanin gotik të Meri Shellit, zanafilla e veprës është grep që nuk dështon të kapë vëmendjen edhe të studentit që si rastësisht gjendet në klasë. Rrethanat e lindjes së personazheve në zemër të këtij romani janë vetë lëndë për roman.Frankenshtajn i ka rrënjët në një garë të vogël mes tri prej penave më të mëdha të letërsisë europiane: Bajronit, Përsit dhe Meri Shellit. Në këtë trio të famshme, madje duhet shtuar edhe mjeku i Bajronit, Xhon Polidori. Po më tutje diçka rreth tij.

Ky është djepi i Frankenshtajnit: verë 1816. Vila Diotati në breg të Lemanit, liqenit të Gjenevës. Disa qiraxhinj anglezë verojnë në gji të natyrës alpine pranë Mon Blanit. Tre prej tyre, Bajroni, Përsi Shelli, Meri Shelli u kanë kthyer krahët brigjeve të vendlindjes për të shmangur stuhitë e një jete me skandale. Duhet të ishin muajt më të ngrohtë, por një vullkan ka shpërthyer nga lartësitë e Tamborës indoneziane dhe retë e hirit që kanë mbështjellë gjithë rruzullin, e kanë shndërruar verën në dimër. Aq sa viti 1816 kujtohet si “viti pa verë”. Të ngujuar mes mureve të vilës Diodati, Bajroni, Përsi, Meri Shelli dhe Xhon Polidori nuk po dinë si ta kalojnë kohën. Si shumë bashkëkohës të tyre, darkat i zënë duke lexuar në shoqëri. Disa mbrëmje me radhë ua ka gllabëruar imagjinatën një zhanër fort popullor asokohe: rrëfime me fantazma (ghost stories) e fenomene të mbinatyrshme. Net të tëra kanë pasur në dorë një vëllim gjerman, Fantasmagoriana. Kur bëjnë pushim prej prozës gjermane, u kthehen poemave gotike të S. T. Kolerixhit. Si në lojë e sipër e të shtyrë nga nevoja për të gjetur zbavitje mes mureve të shtëpisë vihen në garë: secili prej tyre do të shkruajë një histori me fantazma e do t’ua prezantojë të tjerëve. Dy prototipa, me të cilët shekulli XX nuk do të ketë të nginjur, janë fryti i kësaj loje kundër kohës dhe motit: Frankenshtajn i Meri Shellit dhe Vampiri i Xhon Polidorit (1819), tregimi mbi të cilin Bram Stoker do bazohet për të shkruar Drakula (1897).

Idenë për këtë aventurë mes shkrimtarësh e jep Bajroni. Të gjithë pranojnë. Për Meri Shellin nis një garë e egër me veten dhe me pritshmëritë që gjeneza e saj dikton. Sepse Meri Shelli, anipse ende çupëlinë nëntëmbëdhjetëvjeçare, paçka se ndryshe nga Bajroni dhe Përsi, nuk ka botuar asgjë, ka emër mes emrave më në zë. Meri Shelli është vajza e Meri Uollstounkraft, filozofes, romancieres dhe pamfletistes së famshme dhe Uilliam Goduin, filozof dhe romancier. Meri është një nga ata fëmijë të rrallë, që ka dëgjuar në shtëpinë e të atit “Rimën e marinarit të vjetër” të recituar nga vetë S. T. Kolrixh. Me makth dhe mosbesim ajo e pranon sfidën. Shpesh e vizitojnë lloj-lloj zhgjëndrrash dhe frika se nuk do të arrijë të shkruajë gjësendi të denjë për të konkurruar me gjeni të kalibrit të Bajronit dhe Përsit. Hiçgjë me të cilin i ati mund të krenohet. Kanosja e dështimit të shumëfishtë e trazon.

Ndërsa shtrëngata buzë liqenit ngre peshë ujë, gjethe e gjë të gjallë, një natë Meri Shelli symbyllur, por me të gjitha shqisat zgjuar, sheh një vizion, të cilin e përshkruan kështu në parathënien e 1813: “Pashë praktikuesin e arteve të mosozotshme në gjunjë pranë gjësë që kishte formuar pjesë pas pjese. Pashë fantazmën e llahtarshme të një mashkulli të shtriqur, që mandej, nën ndikimin e një mjeti të fuqishëm dha shenja jete dhe u përpëlit njëherë me siklet e si gjysmë i gjallë”. Mes këtyre trysnive lind Frankenshtajn, ose Prometeu Modern, të cilin Meri Shelli e quan “pjella ime e llahtarshme” (my hideous progeny). Struktura e romanit u ngjan kutive kineze ose matrioshkës ruse: rrëfimi struket në rrëfim. Një eksplorator, në kërkim të një kalimi mes deteve të Polit të Veriut, kallëzon në letrat e drejtuara të motrës historinë autobiografike që ka dëgjuar nga një shkencëtar me emrin Viktor Frankenshtajn. Është historia e një eksperimenti të patentuar më parë, e një sekreti dhe tragjedie, që e ka lënë Frankenshtajnin pa miq e familje, me brenga të pashlyeshme edhe etjen për hakmarrje kundrejt një biri të panatyrshëm: mish jo nga mishi i tij, gjak nga gjak i huaj, e prapëseprapë tërësisht fryt i shkencëtarit. Është historia që e bën shkencëtarin ambicioz baba të një krijese që shënjon fillim të ri; krijesë esendërgjuar jo nga Zoti, por dora e njeriut. Frankenshtajn është i ati i Adamit të Dytë. Ashtu si Zoti anashkaloi riprodhimin seksual, duke e formuar Adamin prej dheut, Frankenshtajn, nën ndikimin e teorive të fizikanëve Luixhi Galvani e Alesandro Volta, dhe mjekut dhe filozofit Erasmus Darvin, gjyshit të Çarls Darvinit, ndërton krijesën e tij si të qe një pazëll prej mishi e kocke. Mish e kockë pa jetë, sepse, Frankenshtajn i kalon netët nëpër thertore dhe kufomore duke mbledhur pjesë trupash të vdekur, të cilat i ngjit e i qep në laboratorin e tij të fshehtë. I zgjedh enkas të mëdha këto copë këmbimi, pa medituar për madhësinë që po i jep krijesës së tij, meqë kështu avancon më shpejt. Kur mbërrin momenti kritik i zgjimit të jetës prej materies së vdekur, Frankenshtajnit i vjen në ndihmë teoria e galvanizmit, që ka eksituar imagjinatën e gjithë kontinentit, me mrekullinë e elektricitetit. Frankenshtajn e pret me ndjesi madhështie kurorëzimin e këtij projekti të pashoq, që prek kufijtë mes vdekjes dhe jetës për t’i thyer përgjithnjë. Si një uragan e rrëmben entuziazmi i risisë që po sjell në botë: “Do të çaj tejendanë dhe do të derdh një lumë drite në mes të errësirës të botës sonë. Një specie e re do të më bekojë si krijuesin dhe burimin e saj. Shumë qenie të lumtura e të epërme do të më detyrohen për jetën. Nuk ekziston baba që me të drejtë do ta presë mirënjohjen e fëmijëve të tij ashtu siç e meritoj ta presë unë”. Aq i madh sa ngazëllimi i fillesës është zhgënjimi i rezultatit final. Jo ngaqë Frankenshtajn dështon. Krijesa u përgjigjet shpresave të atit. Jeton. Por jeta që Frankenshtajn ka rrëmbyer nga vdekja, jeta që vërshon në eshtrat e stërmëdha të birit – Frankenshtajn krijon një djalë – e tmerron prindin. Aty për aty e braktis krijesën, ndërsa vetë strehohet në gjirin e familjes.

Gjithçka vijon më pas, është kritika eksplicite e një fëmije të braktisur, e foshnjës në trupin e një të rrituri gjigant, të lënë në mes të rrugës, pa identitet, pa gjuhë e deri pa emër. E thënë thukët, historia e Frankenshtajnit është një histori mbi origjinën: origjinën e botës, të jetës, ngrohtësisë dhe fajësisë njerëzore. Historia e një shkence që arrin të masë madhështinë e vizionit, por jo cakun e rrjedhojave. Kjo nuk është historia e hidhur, por lavdiplotë e Prometeut që vodhi zjarrin prej Zotave për ta vënë në shërbim të njerëzve; as ajo e Prometeut të Zgjidhur që Përsi do botonte një vit më vonë. Prometeu Mordern i Meri Shellit është historia e një përgjegjësie të munguar, për të cilën Viktor Frankenshtajn nuk përgjigjet kurrë. Është historia e një shkence gjinofobe, që e koncepton progresin si përçapjet e trurit mashkullor për ta mbushur rruzullin me kopje të vetvetes. Viktor Frankenshtajn jo vetëm krijon një djalë, por edhe refuzon kërkesën e të birit për t’i dhënë jetë një krijese femër, të fabrikuar njësoj si ky në laborator. Përkundrazi, Frankenshtajn para syve të birit e shkatërron trupin e femrës, i frikësuar se të dy ata do të shumohen e formojnë një racë tjetër, antagoniste të njerëzores, rebele, vigane e të pakontrollueshme. Njëkohësisht, pyetja e madhe që hedh romani mbi koston e progresit paraqet një reagim të distiluar kundrejt Revolucionit Frëng, i cili gjatë Regjimit të Terrorit, ashtu si Saturni, hyri në histori si babai që përlau fëmijët e tij.

Meri Shelli e përcjell akuzën e fëmijës disazërashe. Ndonëse e re, ajo ka asimiluar veprat e së ëmës dhe të atit, shkrimtarë në front të mendimit edukativ romantik. Jo vetëm kaq, por ajo identifikon dy zëra të fuqishëm që kanë ndikuar mbi prindërit e saj dhe diskurset bashkëkohore, aq të pleksura me filozofinë e revolucionit amerikan dhe frëng. Poema kolosale e Xhon Miltonit, Parajsë e Humbur (1667) dhe gjithë vepra e Zhan-Zhak Ruso mbi origjinën e shoqërisë civile, avantazheve, kompromiseve dhe veseve të saj, edukimin e njeriut të denjë për t’u quajtur qytetar, si edhe mbi lirinë dhe përgjegjshmërinë e edukatorit, janë materiali që mban gjallë zjarrin e akuzës. Frankenshtajn nis me një citat nga Parajsë e Humbur, ku Adami ngrihet e i thotë Zotit:

A mos vallë ta kërkova, o Krijues, që prej baltës

Të më formoje Njeri, a të luta unë ty

Të më nxirrje nga errësira?

Biri i Frankenshtajnit pyet: “Krijues i mallkuar, përse më formove një monstër aq të llahtarshëm sa ti vetë më shmang me neveri?” Edhe pasi ka vrarë njerëz të pafajshëm, i rënduar nga barra e mëkatit, biri, si një dishepull i vërtetë i Rusos, këmbëngul: “Unë isha i mirë dhe miqësor, mjerimi më bëri të lig”.

Kaq të turbullt e përcjell Meri Shelli vizën mes fajtorit dhe viktimës – edhe në nivelin leksikor, Frankenshtajn dhe biri i tij pasqyrojnë e shtrembërojnë njëri-tjetrin, duke iu referuar të njëjta vlerave humane për të vërtetuar pafajësinë e tyre – sa pyetja mbi monstruozitetin mbetet e ngërthyer mes këtyre personazheve tragjike. Mbase për këtë arsye, tek-tuk në kujtesën kolektive, shkencëtari dhe eksperimenti, krijuesi dhe krijesa, kanë mbajtur të njëjtin emër: Frankenshtajn.

www.revistasaras.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button